Lidhja Shqiptare e Prizrenit, rruga drejt shtetit dhe identitetit kombëtar
Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është ngjarja më domethënëse e shekullit XIX për shqiptarët. Kjo ngjarje shënon fillimin e rrugës drejt shtetit dhe identitetit kombëtar, ku u hodhën themelet e vetëdijes dhe bashkimit territorial.
Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.
Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.
Prej Lidhjes doli një Komitet Kombëtar, i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet financiare ishte Sulejman Vokshi.
Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin pashë Dino, duke përdorur më së miri artin diplomatik, penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë. Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokolit, të cilat u shkaktuan humbje të rënda forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me vendosmëri Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën. Jehona e kësaj ngjarjeje në arenën ndërkombëtare ishte shumë e madhe duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe duke sjellë akoma më tepër në vëmendje vendosmërinë e shqiptarëve për aspiratat e tyre politike dhe patriotike. /atsh/