free web tracker Tragjedia që tronditi rrjetin: Tre motra gjenden të vdekura, dyshohet se u vranë nga babai - Shqipet

Tragjedia që tronditi rrjetin: Tre motra gjenden të vdekura, dyshohet se u vranë nga babai

Një ngjarje e rëndë është regjistruar së fundmi në Washington, ku tre motra janë gjetur pa shenja jete, ndërsa dyshohet se janë vrarë nga i ati.

Tre motrat e vogla kishin prindër të divorcuar dhe çfarë duhej të ishte një takim rutinë me të atin, është kthyer në tragjedi.

Paityn Decker (9 vjeçe), Evelyn Decker (8 vjeçe) dhe Olivia Decker (5 vjeçe) u gjetën të vdekura të hënën, më 2 qershor, pasi autoritetet lokalizuan makinën e babait të tyre pranë një qendre kampingu.

Policia nuk dha detaje mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë, apo vendndodhjen e saktë të automjetit. Megjithatë, ata theksuan se babai i tyre, Travis Decker, 32 vjeç, nuk ishte në vendngjarje dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Sipas autoriteteve, ai është shpallur në kërkim për tre akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një akuzë për rrëmbim.

“Nuk dihet nëse Decker është i armatosur për momentin, por mund të paraqesë rrezik serioz nëse i afroheni,” tha policia, duke shtuar se ai ka përvojë të mëparshme ushtarake.

Çfarë u gjet në vendngjarje?

Në vendngjarje është gjetuar automjeti i babait të vajzave, teksa trupat e këtyre të fundit janë gjetur pranë makinës. Vajzat dyshohet se kanë vdekur nga asfiksia. Detajet e plota të autopsisë nuk janë bërë publike, por policia ka konfirmuar se bëhet fjalë për vrasje.

Po ashtu, autoritetet kanë gjetur gjurmë gjaku, rroba të përgjakura, si dhe sende personale të vajzave.

Si ndodhi ngjarja, sipas informacioneve paraprake

Travis Decker mori vajzat të premten, më 30 maj, sipas marrëveshjes me nënën e tyre, por nuk i ktheu në kohën që dy ish-partnerët kishin rënë dakord. Si pasojë, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti për shkelje të kujdestarisë prindërore.

Pasi nisën hetimet për shkak të shkeljes së marrëveshjes prindërore, policia lokalizoi automjetin e tij.

Policia kishte njoftuar më herët se Decker ishte i pastrehë dhe zakonisht jetonte në makinën, nëpër motele apo kampingje në zonë. Që nga ajo ditë nuk ka asnjë gjurmë të të atit të viktimave.

Scroll to Top