“Ky qytet është i imi ose vdes” – Pse bosët e drogës në Angli e kanë tmerr të punojnë me shqiptarët
Policë me jelek antiplumb përplasin derën e një shtëpie dhe ecin në një korridor të errët për të zbuluar një fermë kanabisi të lidhur me bandat shqiptare. Deri këtu, një bastisje e zakonshme për drogë në Mbretërinë e Bashkuar…
Por ajo që e bën të veçantë këtë fermë është vendndodhja e saj – zona ‘West Derby’ e Liverpulit, një qytet që mafia shqiptare ka pasur gjithmonë vështirësi për ta depërtuar, ndryshe nga pjesa tjetër e Britanisë ku ajo dominon tregun e narkotikëve.
Kjo realitet pasqyrohej edhe në dramën kriminale të BBC-së ‘This City Is Ours’ (Ky Qytet është i Yni), ku bosi i krimit në Liverpul, Michael Kavanagh, refuzon një plan për të krijuar lidhje me trafikantë shqiptarë të kokainës.
Tani gazeta Daily Mail ka zbuluar një sërë provash, përfshirë mesazhe tekstuale, që tregojnë se si bandat lokale ruajnë kontrollin mbi tregtinë e drogës në Liverpul dhe tregohen të kujdesshme për të mos lejuar rivalët shqiptarë të fitojnë terren.
Është territori i fundit i drogave në Angli që nuk kontrollohet nga mafia shqiptare, e cila ka forcuar pushtetin në Britani përmes reputacionit për besueshmëri, çmime të ulëta dhe gatishmëri për të përdorur dhunë vdekjeprurëse.
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) pranon se kriminelët shqiptarë ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregtinë e drogës në Britani.
Atëherë si kanë arritur gangsterët e Liverpulit të mbajnë dominimin përballë një rreziku kaq të madh?
Shikuesit e serialit ‘This City Is Ours’ mund të kujtojnë një skenë ku Jamie Phelan – që përpiqet të zëvendësojë Michael Kavanagh si drejtues i perandorisë familjare të drogës – propozon të blejnë një ngarkesë nga trafikantë shqiptarë. Por Michael e refuzon idenë me zemërim, duke thënë se “nëse i përfshin shqiptarët, ata nuk do largohen më kurrë”.
Edhe pse skena është fiktive, prova nga jeta reale tregon se debati i bosëve të krimit në Liverpul për bashkëpunimin me furnizues nga Ballkani është shumë real.
Kjo u ilustrua nga një bisedë mes lordëve të drogës në Liverpul, Vincent dhe Francis Coggins – të njohur si pjesë e bandës së frikshme Huyton Firm – në platformën e koduar të mesazheve EncroChat, e cila tani është dekriptuar.
Mesazhet, të zbuluara gjatë një procesi gjyqësor, tregojnë vëllezërit duke diskutuar mundësinë për të punuar me një trafikant shqiptar me bazë në Marbella. Vincent i thotë Francis se një “djalë i ri” i kishte ofruar një partneritet, por Francis përgjigjet se “nuk ishin të interesuar”, duke sugjeruar në vend të kësaj një kontakt tjetër nga bota e krimit.
“Po, të lodhin shumë albot,” shkruan Vincent. “I thashë që nuk ishim të interesuar, por i lidhëm me dikë tjetër”.
Një burrë nga Liverpuli me njohuri për tregun e drogës tha se kjo bisedë pasqyron qëndrimin e përgjithshëm mes bosëve të bandave në qytet.
“Ja ku e keni – ata nuk duan të punojnë me shqiptarët, por kjo është në nivelin e shumicës, kështu që biseda është korrekte dhe mjaft e sjellshme,” i tha ai Daily Mail.
“Në këtë nivel, firma të ndryshme lëvizin para dhe ndajnë informacion e burime. Por nëse vëllezërit Coggins do të dëgjonin se shqiptarët donin të hynin në tregun me pakicë në Merseyside, biseda do të kishte qenë shumë ndryshe. Do të kishte luftë”.
Francis shkruan në një mesazh tjetër: “Qyteti është i imi ose vdes”.
Burimi i Daily Mail shtoi: “Francis është shumë i qartë se kush sundon Liverpulin, dhe nuk janë shqiptarët”.
Bandat shqiptare besohet se kanë marrë kontrollin e tregut britanik të kokainës, me vlerë 5 miliardë paund në vit, duke negociuar direkt me kartelet kolumbiane dhe duke konkurruar me çmime shumë më të ulëta kundër rivalëve kriminalë.
Ato janë ndihmuar edhe nga lidhjet e ngushta me ‘Ndrangheta’-n italiane, që dominon tregun e kokainës në Evropën kontinentale, ndërkohë që kanë fituar reputacion për dërgesa shumë të shpejta dhe të besueshme.
Një nga emrat kryesorë është Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, i cili u ekstradua në Shqipëri më në fund në janar, pas 27 vitesh arratisje.
Ky trafikant ishte përgjegjës për kontrabandimin e dhjetëra milionave paundë kokainë drejt Britanisë dhe vendeve të tjera evropiane dhe ishte në listën e më të kërkuarve nga policia e Londrës në vitin 2023.
Ai thuhet të ketë qenë kreu i një karteli ndërkombëtar droge të quajtur Kompanio Bello dhe dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy policë në Shqipëri në vitin 1999.
Vitin e kaluar, një dokument ligjor i rrjedhur nga Ministria e Brendshme britanike përshkruante bandat kriminale shqiptare si një “kërcënim akut” për Britaninë e Madhe dhe “shumë të përhapura në krimin e organizuar dhe të rëndë” në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata akuzohen për disa vrasje, përfshirë edhe atë të vitit 2021, kur u vra Rhys Thompson, një baba i ri, i cili u rrëmbye dhe u rrah për vdekje në një përleshje që lidhej me një tentativë të dështuar për të “taksuar” një fermë kanabisi, që besohej se drejtohej nga një bandë shqiptare.
Në një rast tjetër, Tomasz Waga, 23 vjeç dhe baba për herë të parë, u rrah për vdekje në vitin 2021 nga tre burra që mbronin një tjetër fermë kanabisi në Kardif.
Liverpul ka qenë prej kohësh një nga pak qytetet e mëdha që shqiptarët nuk kanë arritur ta përfitojnë, pasi bandat lokale kanë mbajtur dominimin duke shfrytëzuar lidhjet e ngushta me komunitetet lokale që ata shfrytëzojnë.
Ekspertët shpjegojnë këtë fenomen me faktin që shqiptarët e kanë të vështirë të “përzihen” në Liverpul siç bëjnë në Londër apo Birmingem, si dhe për shkak të rrezikut nga kundërpërgjigjet e dhunshme nëse do përpiqeshin të hynin me forcë në tregun lokal.
Disa vëzhgues të botës së nëntokës besojnë se kontrolli mbi Portin e Liverpulit u jep bandave lokale një avantazh të madh. Gjatë gjyqit të Francis dhe Vincent Coggins u dëgjua se vëllezërit kishin korruptuar disa punonjës porti.
Këta punonjës ndihmonin në kontrabandimin e drogës brenda anijeve me kontejnerë duke filmuar dërgesat me telefonat e tyre.
Burimi nga Liverpuli tha: “Nëse ke portin, ke qytetin. Nëse shqiptarët duan të bëjnë lëvizje, duhet të marrin kontrollin e portit. Por kjo nuk po ndodh për momentin”.
Një ish-trafikant i kokainës nga Liverpool po ashtu vuri në dukje rëndësinë e kontrollit të portit për bandat e drogës:
“Tregu i drogës të klasit A në Liverpul dominohet nga grupet nga Huyton, Speke dhe Vauxhall. Ata kanë shokë në Portin e Liverpulit, që u jep kontroll mbi atë që hyn në qytet. Ata nuk do t’i lejojnë shqiptarët në tregun e tyre”.
Edhe pse jo e gjithë droga hyn në Liverpul përmes transportit detar — shumë prej saj vjen me aeroplanë ose anije të vogla — ndikimi mbi portin padyshim ka ndihmuar ngritjen e grupeve si Huyton Firm.
Operacioni Venetic — emri i operacionit policor që shkatërroi shumë bosë duke përdorur mesazhet EncroChat — konfirmoi se edhe banda të tjera të Liverpulit përdornin portin e kontejnerëve për të futur kokainë direkt nga kartelet e Amerikës së Jugut.
Por edhe pse shqiptarëve u është mohuar aksesi në port, tregu i kanabisit të kultivuar lokalisht u ka dhënë atyre një pikë hyrjeje alternative.
Operacioni i lidhur me shqiptarët, që u zbulua nga policia në mars, duket të ketë qenë i rëndësishëm, me shtëpinë në ‘West Derby’ që ishte pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 100 fermash kanabisi në mbarë vendin.
Grupi prej 10 personash fshihej pas punonjësve të shërbimeve utilitare, duke hapur rrugë dhe trotuare për të aksesuar kabllot elektrike dhe për të vjedhur energjinë që përdorej për fermat e tyre, të cilat prodhonin kanabis me vlerë rreth 21 milionë paund.
Dy nga fermat ishin në Merseyside, ndërsa të tjera deri në Portsmouth dhe Dundee.
Daily Mail