free web tracker Rrugëtimi i hershëm në histori i Leka i Madh “prej Petrele nd’Arbënë zu fill monarkinë e vet, Matiet” - Shqipet

Rrugëtimi i hershëm në histori i Leka i Madh “prej Petrele nd’Arbënë zu fill monarkinë e vet, Matiet”

Studiuesja Shqipe Hoxha ka ndarë një kumtim interesant në rrjetet sociale, i cili sjell në vëmendje lidhjen mes burimeve të vjetra historike dhe legjendave popullore shqiptare për Lekën e Madh.

Në veprën e tij të vitit 1685, Cuneus Prophetarum (Kronologjia e botës ose Jetët e Shekullit), Pjetër Bogdani shënon:

“Në vitin 3623 të botës, Leka i Madh, prej Petrelës në Arbëri, mori fill monarkinë e vet në Matiet.”

Ky numër, 3623, nuk i referohet kalendarit tonë modern, por është pjesë e një kronologjie biblike që përdorej në kohën e Bogdanit për të llogaritur vitet që nga krijimi i botës.

Më parë, në vitin 1635, Frang Bardhi, në veprën e tij, identifikon qytetin e lashtë Pella të Maqedonisë me Petrelën shqiptare, duke e cilësuar atë qytet shqiptar dhe vendlindje të Aleksandrit të Madh, mbreti i maqedonasve.

Por, sipas rrëfimeve popullore, para lindjes së Lekës së Madh, nëna e tij u largua nga Pela dhe u vendos në Emadhija, ku Leka lindi dhe u rrit. Thuhet se ajo iku për t’i shmangur mundësinë që të lindnin djem.

Kur Leka u rrit, mori kalin dhe u nis për t’u takuar me të atin, Filipin e II-të, në Pela. Në majë të kalit, Leka i Madh e pa për herë të parë babanë e tij.

Sipas rrëfimeve që janë përcjellë brez pas brezi, Leka, i shoqëruar nga nëna dhe një grup malësorësh, kaloi nëpër luginën e Bulqizës, ku sot shtrihen fusha me grurë.

Në atë kohë, Bulqiza ishte mbuluar nga një pyll i madh dhe i dendur. Ata pushuan pranë një burimi aty, ndërsa vargu i fundit i një kënge të lashtë thoshte:

“Jetë të gjatë Lekës, birit të Filipit të Dytë, Lekës së Madh, mbretit të gjithë botës.”

Këtë histori, Rose Wilder Lane e dëgjoi në Thethin e Madh në pranverën e vitit 1921 dhe e përshkroi në librin e saj Zonja Lane për Shqipërinë.

Përgatiti: Albert Vataj

Scroll to Top