free web tracker Zyrtare/ Nis epoka e Igli Tares te Milani, kuqezinjtë prezantojnë drejtorin e ri sportiv! Shqiptari: Krenari e madhe - Shqipet

Zyrtare/ Nis epoka e Igli Tares te Milani, kuqezinjtë prezantojnë drejtorin e ri sportiv! Shqiptari: Krenari e madhe

Igli Tare është zyrtarisht drejtori i ri sportiv i Milanit në Serie A, teksa pasditen e kësaj të hëne (26 maj) klubi kuqezi ka bërë prezantimin e tij. Shqiptari është shprehur krenar për këtë mundësi, teksa mediet në Itali zbulojnë se “Bjondi” do përfitojë 800 mijë euro në vit dhe kontrata e tij është 2-vjeçare me mundësi për rinovimin edhe me një tjetër sezon.

I lindur në Vlorë më 25 korrik 1973, Tare ka përvojë të gjerë në futbollin profesionist italian, duke luajtur për Brescian, Bolognan dhe Lazion. Pasi u tërhoq nga karriera e tij si lojtar, ai e afirmoi veten si një drejtues i profilit të lartë, duke shërbyer si drejtor sportiv i Lazio për më shumë se 15 vjet (2008-2023).

Gjatë qëndrimit të tij në detyrë, ai kontribuoi ndjeshëm në sukseset e Lazios duke përfshirë fitimin e tre titujve të Kupës së Italisë dhe tre Superkupa italiane.

Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare komentoi: “Të bëhesh pjesë e një klubi si Milan është një burim krenarie dhe përgjegjësie e madhe. Falenderoj klubin që më besoi këtë rol. Drejtuesit e njohin vendosmërinë time të fortë dhe dëshirën time për të pasur sukses. Do t’ia kushtoj të gjithë përvojën time shërbimit ndaj këtij klubi të madh, i cili është i vendosur të kthehet në ballë të futbollit italian dhe evropian”, tha Tare për faqen zyrtare.

Drejtori ekzekutiv i Milan, Giorgio Furlani deklaroi: “Jemi të kënaqur të mirëpresim Igli Tare në familjen kuqezi. Ai është personi i duhur për të filluar rindërtimin tonë; kompetenca, vendosmëria dhe vlerat e forta, të kombinuara me një kuptim të thellë të futbollit italian dhe një vizion ndërkombëtar, e bëjnë atë profilin ideal për të mbështetur kapitullin e ardhshëm të klubit, përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv”, tha Furlani.

Në njoftimin për mediet Milani u kujdes të tregonte se Tare “do të raportojë drejtpërdrejt te Drejtori Ekzekutiv i Klubit, Giorgio Furlani”.

Scroll to Top