Flamur Noka betohet: Nuk e jap kurrë dorëheqjen. Ata që kërkojnë dorëheqjen time, i shërbejnë Ramës
Në Partinë Demokratike nuk priten ndryshime të lidershipit të saj, si pjesë e reflektimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Duke e cilësuar procesin një farsë dhe jo një ushtrim demokratik të së drejtës për të zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, ndoqi të njëjtën linjë si kryetari Sali Berisha.
I pyetur nga Gazetasi.al, nëse do të japë dorëheqje për t’i lënë vend ndryshimit të lidershipit, zoti Noka nuk la vend për diskutim.
Madje ai thotë se dorëheqja apo ndryshimi i drejtuesve të PD tani është një tezë që i shërben Edi Ramës dhe nxitet prej tij për të marrë nën kontroll opozitën.
“E kuptoj këtë dëshirën që gjithë partia të japë dorëheqjen dhe ta marrë Edi Rama partinë. Kjo nuk do të ndodhë. Ne do të qëndrojmë në ballë të betejës. Opozitën nuk e zgjedh Rama, por e kanë vendosur demokratët. Rama ta harrojë se mund të kontrollojë opozitën dhe ta harrojë se do të krijojë opozitën që do”- u shpreh zoti Noka për Gazetasi.al.
Prania e kryeministrave të Bashkimit Europian në Tiranë dhe urimi i tyre për rizgjedhjen e kryeminstrit Rama nuk shihet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD si pranim i rezultatit të zgjedhjeve prej tyre.
“Duhet të bëjmë durim. Institucionet dhe qeveritë e BE dhe SHBA po njihen me disa nga faktet kryesore të blerjes së zgjedhjeve, të përdorimit të burimeve shtetërore, të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjen e deputetëve të PS-së. Është një proces që merr kohë.
Ne do të bëjmë gjithçka për të arritur objektivin tonë që shqiptarët të votojnë të lirë nën drejtimin e një qeverie teknike”- tha Flamur Noka për Gazetasi.al, pa harruar të rreshtojë në krahun e Edi Ramës edhe Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
“Faktet treguan se SPAK ishte krejt i parëndësishëm në zgjedhje, pavarësisht denoncimeve tona. Ju e patë tani që, megjithëse zoti Berisha e denoncoi disa herë në zgjedhje eksponentin e krimit të organizuar në Durrës, megjithëse autoritetet italiane e kishin mbyllur hetimin që në shkurt, SPAK e vonoi dhe e shtyu operacionin për arrestimin e tij pas zgjedhjeve dhe nuk e arrestoi dot, sepse operacioni u dekonspirua”- u shpreh zoti Noka.