Mori hapa të guximshëm për kohën/ Çfarë ndryshoi në Shqipëri kur Ernest Koliqi ishte ministër?! Si i shpëtoi jetën Petro Markos në burg
Ernest Koliqi është njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave.
Ai dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri, ku ishte ministër arsimi dhe në diasporën shqiptare, duke themeluar Institutin e Studimeve Shqiptare pranë Universitetit romak “La Sapienza” e shumë e shumë veprimtari dhe vepra monumentale. Ernest Koliqi lindi më 20 maj 1901 në Shkodër.
Profili i tij poliedrik ka ende nevojë për një studim gjithëpërfshirës, pasi tek Koliqi gjejmë anëtarin e shoqërive patriotike, shkrimtarin, gazetarin, përkthyesin, botuesin, mësuesin, drejtuesin e Institutit të Studimeve Shqiptare, funksionarin publik e politikanin. Pseudonimet e tij në shtypin e kohës (Borizani, Hilushi), do të joshnin kryesisht lexuesin e viteve 1920-1940 me disa punime që shënonin kulmin e prozës shqiptare. Teza e tij e diplomimit, “Epika popullore shqiptare”, do të ndikonte tek ai edhe në krijimin e figuracioneve pasqyrues të jetës tonë, nga të cilat u frymëzuan vepra, si: “Hija e Maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit”. Edhe pse shërbeu si ministër i Arsimit në periudhën e pushtimit fashist, Koliqi arriti të ndërmarrë hapa të guximshëm për kohën, duke çelur në “tokat e lirueme” (territoret ku flitej shqip) një numër të madh shkollash dhe duke mundësuar dërgimin për herë të parë të një grupi mësuesish shqiptarë në këto troje.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Koliqi jetoi në Romë ku drejtoi revistën “Shejzat” si dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, mbi bazën e së cilës u ngrit edhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Në vitet `60 nisi përkthimin e “Lahutës së Malcis” në italisht dhe punoi edhe për të tjera vepra në mënyrë që të huajt të njihnin letërsinë shqipe. Martin Cama shkruan: ..”Ernest Koliqi shtjelloi tema gjithfarësh shoqnore, frymëdhanëse të artit dhe përtrijse të kulturës shqiptare. Koliqi ishte i paisun me vlera të nalta njerëzore, si poet e dijetar, i gjithanshëm, i hapun kah jeta me krahë gjiganti, gjallnon; vepra e Tij e madhe flet gjithnji, si bazë komplekse e nji testamenti shpirtnor, fillue në vjetet tridhetë dhe e pandërpreme deri në ditët e fundit”. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme.
MËRGIMI
Me rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetor të 1924, doli në mërgim drejt Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, ku studioi gjuhën dhe letërsinë serbo-kroate. Qëndroi për dy vjet në Tuzla të Bosnjës. Më 1928 gjendej në Bari të Italisë. Në Zara të Dalmacisë botoi më 1929 përmbledhjen e parë me novela Hija e Maleve. U kthye në Shqipëri dhe nisi punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33). Nisi të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante pas ’70 me pseudonimin “Hilushi”.
Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij, të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924. Më 1933 dha dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes “Illyria”, ku do të botonte poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 u zbulua Migjeni me vjershën “Të lindet njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërua lektor të shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Tagliavini. Më 1937 doktoroi po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si Jokli, Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i gjuhës shqipe. Ishte në krye të grupit që përgatiti agresionin e 7 prillit ndaj Shqipërisë. Koliqi thërret pikërisht Mustafa Krujën për të hyrë në bisedime mes mërgimtarëve shqiptarë dhe autoriteteve italiane.
PUSHTIMI
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në prill 1939, Koliqi u emërua Ministër i Arsimit në qeverinë kolaboracioniste të Shefqet Vërlacit. Koliqi mbylli pothuajse të gjitha shkollat e huaja joitaliane në Shqipëri. Liceu francez në Korçë, i cili ishte qendra kryesore e kulturës frënge në Shqipëri, u mbyll me arsyetimin e Koliqit se ishte çerdhe e përhapjes së ideve armiqësore ndaj sistemit fashist. Gjatë kohës sa qe ministër i arsimit, u bënë ndryshime në programet dhe tekstet shkollore; u futën lëndë të reja si: edukata fashiste, mësimi i fesë dhe kulturës romake, ndërsa gjuha italiane u bë e detyrueshme. Shkollat e mesme u mbushën me mësues dhe drejtues italianë, kurse drejtuesit shqiptarë pak nga pak u mënjanuan. Për të përforcuar kontrollin e fashistëve mbi shkollën, ministri Koliqi në tetor 1939 propozoi që emërimet e mësuesve dhe të drejtuesve të shkollave të kalonin nëpër filtrin e Partisë Fashiste.
Me Mustafa Krujën dhe P. Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940. Themeloi dhe drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt “tokave të lirueme”. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i Arsimit të qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Joklin (Norbert Jokli, albanologu austriak me prejardhje hebreje) si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat. Koliqi është quajtur eminenca gri e Italisë në Shqipëri.
Në funksion të edukimit fashist, u krijua fondacioni “Skënderbeu”, në gjirin e të cilit u mblodh Instituti i Studimeve Shqiptare. Me propozim të Koliqit në të u mblodhën emra të njohur të kulturës dhe shkencës, shqiptarë dhe italianë, si dhe ideologë fashistë të kohës. Ministria e Arsimit në qeverinë pasardhëse Kruja pati si pasues Xh. Kortshën. Duke dhënë dorëheqjen, Koliqi kësodore i përkushtohet drejtimit të Institutit, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në vjeshtën e 1943 prej portit të Tivarit shkoi në Itali me familjen dhe të afërmit e tij.
AMBASADORI
Më 1943 në Romë vazhdoi punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e P. Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 u krijua partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjur veprës së Mark Gjon Markut. Kur Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë në 1948, mërgimtarët, mes të cilëve edhe Koliqi, i dërgonin letra Titos me anë të të cilave e ftonin atë ta sulmonte Shqipërinë, ta rrëzonte Hoxhën dhe t’ua linte vendin atyre. Ata i premtonin Titos se Shqipëria e tyre do të ishte mike besnike e Jugosllavisë.
Në mars të 1947 themeloi dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”. Në Itali, themeloi të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet. Kjo revistë qe vijimësi e traditës publicistike që la në Shqipëri me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën vend ku të kultivonin kulturën shqiptare në Itali. Koliqi ndihmoi talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapësirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori Lin Delija, shkrimtarët Camaj e Karakaçi dhe etnologu Malaj. Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emërua presidenti.
Koliqi u lidh shumë me komunitetet arbëreshe të Italisë, me të cilët mbajti një marrëdhënie të ngushtë akademike dhe miqësie. Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në Kosovë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe. Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg. Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.
Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq. Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Vdekja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvendësueshme e shpejtoi edhe vdekjen e tij. Koliqi vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros me datën 18 janar. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshme, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.
VEPRA
Megjithëse poezitë e para i shkroi në italisht në fletoren e liceut, vepra e tij e parë qe poemthi dramatik “Kushtrim i Skanderbegut”, të cilin ia kushtoi shokëve të shoqërisë “Bashkimi” pjesë e të cilëve ishte edhe ai vetë. Poemthi artikulon idetë kombëtare të autorit që shtjellon një dialog për të kaluarën dhe aktualitetin e kohës në Shqipëri. Me veprën poetike “Symfonija e Shqipevet” mëton të evokojë kulturën si esencën e themelimit të një kombi, kulturë e evokon që nga thellësitë e antikitetit në katër kohët e veprës. Kangjelet e Rilindjes është një poemë e kënduar në shtatë pjesë, me temë arbëreshe e krijuar me idetë rilindëse duke iu referuar “Këngëve të Milosaos” të De Radës. Në këtë poemë autori kërkon të dëshmojë se si ruhet veçantia arbërore në kohë, edhe e shkëputur nga trungu, përmes arbëreshëve të Italisë. Vepra poetike më me pretendime letrare e Koliqit është “Gjurmat e Stinve”, botuar më 1933.
Në këtë vepër kërkon të manifestojë vetëdijen e vet poetike në kohën e pjekurisë, i këndon Tingëllimit, por edhe i kushton tingëllime të ndjera qytetit ku kish lindur. Kulmin e vet letrar e arrin me librat e tregimeve Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit (1936); me këta tituj u bë themeluesi i prozës moderne shqipe qoftë në nivel tematike, ashtu edhe stili. Libri i parë trajton tema për moralin e Malësisë, tragjiken e vet dhe pleksjen me mjedisin qytetar, i dyti merret më shumë me jetën në mjedisin qytetar shkodran, mendësia, karakteret dhe paraqitje ironike të tipareve sociale të mjedisit qytetar; i treti është një biografi poetike e autorit me shtresëzim të shkollës simboliste.
Më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Më 1935 boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini, ku përfshiheshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Më 1961 nis të përkthejë “Lahutën e Malcís” në italisht, përkatësisht këngën XXVI, më tej më 1971 përktheu këngët XII-XIII-XIV dhe XV; më 1973 vazhdon të përkthejë pjesë të “Lahutës”.
STUDIMET
Nisi të botonte nga viti 1954 deri më 1961 studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese” (“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. Teksti i historisë së letërsisë shqipe i vitit 1983 i referohej pasivisht si “Koliqi tradhëtari” për shkak të bashkëpunimit me fashizmin. Ai themeloi dhe drejtoi revista ku u botuan dhe trajtuan letërsia e kultura shqiptare si: Ora e Maleve, Shkëndija, Shêjzat, etj. Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, “Minerva”, “Besa” etj./Panorama