Edi Rama: lideri që ha të tijtë, sa herë që pushteti ‘kërkon gjak’
Në politikën shqiptare nuk ka më dyshime: Edi Rama është një lider që nuk bashkëpunon, ai vetëm përdor dhe flak. Nga Ben Blushi te Ditmir Bushati, nga Saimir Tahiri te Arben Ahmetaj, nga Gramoz Ruçi te Erion Veliaj, lista e “bashkëpunëtorëve të goditur” është më e gjatë se ajo e atyre që kanë mbetur pranë tij.
Tani radha është e Erion Veliajt. Dikur i shpallur si “trashëgimtari politik”, “djali i preferuar”, “shpresa urbane e Rilindjes”, Alter- Egoja’ e Ramës; sot është kthyer në një armik të braktisur, hija e të cilit po pastrohet zyrë më zyrë, shofer më shofer, përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale nga kryeministri që, si gjithmonë, ka vendosur të shpëtojë veten duke sakrifikuar çdo njeri që i ka shërbyer.
Nënkryetarja e komanduar prej tij në Bashkinë e Tiranës po bën çfarë i thuhet. SPAK po vepron aty ku i është lënë liri të veprojë. Por urdhri ka ardhur nga më lart: Veliaj duhet të fshihet nga harta. E jo për drejtësi, por për llogari politike.
Kjo është metoda e Edi Ramës: ai nuk ka bashkëpunëtorë, ka vetëm viktima. Dhe çdo njeri që e ka ngritur zërin, ka marrë popullaritet ose ka pasur kontroll në territor, është eleminuar: me dosje, me akuza, me heshtje ose me harresë.
Në këtë vend, nuk sundon më një forcë politike, por një njeri që ha njerëzit e vet, sa herë pushteti i kërkon gjak. Dhe më pas, kërkon të na e shesë si drejtësi./Pamfleti