Edi Paloka sulmon gazetarët, Xhelal Mziu: Ça prisni ju, ne s’jemi badigardë të zihemi me grushta
Edhe Edi Paloka, ashtu si Flamur Noka, sulmoi mediat pse iu kërkojnë llogari për humbjen në zgjedhje.
“Komentet i ka bërë kryetari i Partisë. Po Rama ka përgjegjësi. Rama ka përgjegjësi që i vodhi. Apo kemi vetëm ne përgjegjësi?
Sepse vetëm ju jeni media që përgjegjësinë nuk e shihni te hajduti por e shihni tek ai që vidhet”, u shpreh me tone të larta Paloka, kur u pyet se kush do ta mbajë përgjegjësinë për rezultatin katastrofik të PD.
Sakaq, Xhelal Mziu u shpreh se kandidatët për deputetë nuk mund të bëjën bodigardin për të mbrojtur votën që të mos vidhet nga socialistët.
“I vodhi Rama zgjedhjet. Përgjegjës duhet të shkojë hajduti i vjedhjes së votave. Pse çfarë jemi ne bodigardë? Ne kemi dalë për të bërë fushatë… Nga humbja në humbje kur përdor paratë e krimit dhe të korrupsionit dhe shkon e blen një votë 300 euro, çfarë duhet bëjmë ne?
A jemi bodigardë ne? Kur policia vihet në shërbim të ndarjes së parave. Kur prokuroria nuk reagon kur ne i kapnim me para, kush e ka fajin? Në Kavajë drejtojnë demokratët nuk ka patronazhistë. Banda numër një është Edi Rama”, u shpreh drejtuesi politik i PD për Dibrën.
Klevis Balliu ishte i vetmi ndër demokratët që u shpreh se duhet reflektim në radhët e tyre për këtë humbje.
“Besoj që patjetër dhe ne duhet të shikojmë votën tonë, por nuk duhet të shpërqendrojmë vëmendjen nga zgjedhjet e Xhabaftëve. Besoj dhe ju bini dakord me mua. Nuk mendon se Xhabaftët janë justifikim por mendoj që janë fakt. Dhe ne duhet të shikojmë ku çalojmë në këtë proces por nuk mund të shohim gjërat e vogla para të mëdhave”, deklaroi Balliu.