Fakte të reja për pazaret Rama-Berisha; Si kompania që financoi Shkëlzeni mori 200 milionë lekë nga fondet e bujqësisë
Shkruar nga Adriatik Doci
Në këtë skemë dalin edhe 1.9 milionë euro, para që nuk u dihet burimi, me të cilat Shkëlzeni ka blerë pajisje.Kompania e Shkëlzenit rezulton me vetëm një punëtor, pra pothuajse pa aktivitet real, por me transaksione miliona euro.
Në vitin 2018, kompania e grumbullimit dhe përpunimit të frutave të pyllit Agromel, me nipt: L59308601M, ka përfituar 200 milionë lekë të vjetra nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për makineri për fruta dhe perime.
AZHBR-ja është nën hetim nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit nën dyshimet për korrupsion me ndarjen e fondeve të BE-së për bujqësinë, ndonëse duhet theksuar se kompania Agromel është financuar në kuadër të skemës kombëtare të mbështetjes së fermerëve, pra me para të taksapaguesve shqiptarë dhe jo të qytetarëve evropianë.
Kompania Agromel rezulton në listën e klientëve që kanë paguar Shkëlzen Berishën për shërbime ligjore dhe si sekser.
Pjesë e kësaj liste është edhe biznesmeni kontrovers pranë PD, Ismail Mulleti që mori nga Sali Berisha koncensionin e markimit të karburanteve.
Pjesë e listës është edhe biznesmeni Ilir Karçini që porositi vrasjen e Piro Bares, i cili pasi i dha Shkëlzenit 150 mijë euro, mori nga Berisha leje për ndërtimin e depozitave bregdetare të gazit të lëngshëm me kapacitet 3600 m3 në zonën e Porto-Romanos, Durrës, me anë të kompanisë PRIMAGAS ALBANIA.
Deri në vitin 2020, Shkëlzen Berisha ka deklaruar rreth 740 mijë euro të ardhura si sekser dhe konsulencë ligjore.
Në një rast, në vitin 2017, kompania Agromel, kalon në llogaritë e Shkëlzen Berishës 30 milionë lekë të vjetra, për konsulencë.
Investigimet mediatike kanë treguar se këto pagesa janë qoka dhe pagesa të kamufluara korruptive nga biznesmenë të ndryshëm për shkak të koncensioneve, tenderave, lejeve apo favorizimeve të ndryshme nga pushteti i Sali Berishës, babai i Shkëlzenit.
Kjo skemë korrupsioni besohet se është pjesë e dosjes së Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të Familjes Berisha, e cila vijon të pretendojë se dosja nuk ka asnjë provë për korrupsion.
Kush qëndron pas kompanisë Agromel që financon Shkëlzenin?
Pronar i kamufluar i kompanisë Agromel është Klodian Allajbeu i Spitalit Amerikan, një biznesmen që doli në pah gjatë pushtetit të Sali Berishës, me favorizime të shumta, zaptime pronash publike, ndërtime pa leje dhe monopole deri aty sa që Spitali Amerikan identifikohej si Spitali i Argitës.
Allajbeu jo vetëm ruajti pozitat pas largimit të Berishës nga pushteti, por mori koncensionin e hemodializës me vlerë 84 milionë euro, i vlerësuar si korruptiv nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, përlau miliona euro tendera me disa kompani në emrin e tij dhe të punonjësve të tij, bëri resortin Equos, kapi tregun e fruta-perimeve duke e kthyer në monopol, hyri në fushën e frutave të pyllit, asgjesimit të mbetjeve spitalore si dhe po privatizon në heshtje shumë shërbime shëndetësore, që po sabotohen në sektorin publik.
Po si kamuflohet Allajbeu pas kompanisë Agromel?
Shoqëria Agromel, e themeluar në vitin 2015, është në pronësi të kompanisë Agromark, me nipt L71903017K.
Ndërkaq, vetë kompania Agromark, që kontrollon Agromel, është në pronësi të kompanisë VENDEKA EUROPEAN INVESTMENTS B.V. në Holandë, e regjistruar në Dhomën Holandeze të Tregtisë, nr. regjistrimi CC1 66037182, me adresë të regjistruar në Nassaulaan 2 A, 2514JS’ -Gravenhage.
Pronar përfitues i kompanisë VENDEKA EUROPEAN INVESTMENTS B.V., me 100 % të aksioneve, është Klodian Allajbeu.
Kjo kompani kamuflon edhe kompani të tjera të Allajbeut, me të cilat ka marrë koncensione dhe tendera publikë. Kompania është stacioni i fundit i shumë aferave korruptive në Tiranë.
Po a mbaron këtu raporti financiar mes Shkëlzen Berishës dhe Klodian Allajbeut?
Në 24 dhjetor 2018 Shkëlzen Berisha, me anë të kompanisë së tij Logal shpk, merr një kredi në Banka Intesa Sanpaolo 1.8 miliona euro për të ngritur një fabrikë në Gërdec për përpunimin e frutave të pyllit.
Kredinë e merr 5 ditë pasi i kishte blerë pronat!
Duket si një larje ndërgjegje, pasi në vitin 2008 ishte pronar faktik i fabrikë së vdekjes, me korrupsionin e demontimit, ku humbën jetën 26 qytetarë dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.
Nga fabrikë baruti, në fabrikë boronicash, por dyshimet për korrupsion nuk ndryshojnë.
Behet fjalë për 3 parcela arë për një total prej 6.183 metra katrorë dhe 3 parcela te tjera truall prej 14.220 metra katrore nga të cilat 5.066.5 metra katrorë godinat, të gjitha pozicionuar në zonën kadastrale 2605 të fshatit Marqinet të Vorës, ngjitur me zonën e Gërdecit.
Për të justifikuar kredinë, Shkëlzeni ka lënë si kolateral pikërisht këto prona, vlera e të cilave është dukshëm më e ulët. Maksimumi m2 në atë zonë arrin 35 euro, ndërsa ndërtesat ishin të vjetra.
Në një procedurë normale, pronat duhet të kenë një vlerë të paktën 2.3 milionë euro, bashkë me principalin, për t’u vendosur si garanci.
Në këtë skemë dalin edhe 1.9 milionë euro, para që nuk u dihet burimi, me të cilat Shkëlzeni ka blerë pajisje.
Kompania e Shkëlzenit rezulton me vetëm një punëtor, pra pothuajse pa aktivitet real, por me transaksione miliona euro.
Brenda fabrikës së përpunimit të boronicave, është pikërisht kompania Agromel e Klod Allajbeut.
Në librat e blerjes së Agromel Shpk, priten çdo muaj fatura tatimore për kompaninë e Shkëlzen Berishës, Logal Shpk.
Pra përveç pagesës së drejtëpërdrejtë prej 30 milionë lekësh, Allajbeu kalon sistematikisht shuma parash tek kompania e Shkëlzenit.
Më shumë se sa një fabrikë boronicash, duket se kemi të bëjmë me një fabrikë pastrimi parash.
Nuk dihet nëse SPAK po e heton këtë skemë në kuadër të hetimit të rolit të Shkëlzen Berishës në Gërdec.