Një datë, një gardë zvicerane, një komandant shqiptar në Vatikan dhe shumë simbole
Në çdo ceremoni në Vatikan ata bien në sy: pjesëtarët e Gardës Zvicerane të Papës bartin uniforma në trajtë shallvaresh me ngjyra kaltër, kuq, verdhë. Ata kanë qenë në fokus të kamerave sidomos këto ditë gjatë ceremonive të përcjelljes së Papës në amshim. Garda Zvicerane (Schweizergarde) kujdeset për sigurinë e Papës që nga viti 1506.
Njëri nga komandanët e parë të Gardës Zvicerane ka qenë një arbër (shqiptar): Konstantin Araniti. Çka i bashkonte shqiptarët dhe zviceranët në atë kohë? Mercenaria! Jetonin në kodra, male e vise alpine dhe lufta në shërbim të të tjerëve ishte një mundësi për të fituar para e nam.
Nëna e Konstantin Aranitit quhej Despina Araniti. Ishte greko-italiane. Dhe vjehrra e Skënderbeut. Në prill të vitit 1469 Despina Araniti dhe i biri i saj Konstantini u shfaqën në Romë para Papës Palit II dhe kardinalëve të tij dhe kërkuan para dhe strehim. Kishin ikur ndërsa në viset shqiptare marshonin trupat e Sulltan Mehmetit të II-të.
Despina Araniti përballej me një problem: djali i saj tjetër i ishte bashkuar trupave osmane dhe sulmonte pozicionet e Venedikut. Kur u paraqit para kardinalëve në Romë më 1469, Konstantin Araniti i habiti ata me shumëgjuhësinë e tij: fliste shqip, italisht, latinisht, greqisht dhe sllavisht (historiani Oliver Jens Schmitt supozon se sllavishtja e tij ishte maqedono-bullgarishtja).
6 maji, Dita e Shën Gjergjit, merret si datë e lindjes së Skënderbeut. 6 maji është ditë e rëndësishme edhe për Gardën Zvicerane në Vatikan. Atë ditë betohen gardistët e rinj. Më 6 maj 1527, gjatë plaçkitjes së Romës, 147 mercenarë (gardistë) zviceranë u hodhën në mbrojtje të Papës dhe dhanë jetën e tyre. Për shkak të vdekjes së Papës, ceremonia e betimit të gardistëve të rinj sivjet është shtyrë për në vjeshtë.
Armata më e lashtë në botë pranon vetëm burra në radhët e saj. Por nga viti 2030, kur pritet të jetë gati një kazermë e re, portat e Gardës Zvicerane do të hapen edhe për gra. Sipas të gjitha gjasave! Deri më tani pjesëtarë të Gardës së Vatikanit mund të bëhen vetëm shtetasit zviceranë mes moshës 19 dhe 30 vjeçare. Ata duhet të jenë së paku 1,74 metra të gjatë dhe të praktikojnë besimin katolik. Ushtarët obligohen të shërbejnë 26 muaj; gjatë kësaj kohe ata janë shtetas të Vatikanit. (Enver Robelli)