“E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…”- Petro Nini Luarasi, si u helmua nga qarqet shoviniste grekomane!
Në 22 prill të vitit 1865, në Luaras të Kolonjës, lindi Petro Nini Luarasi. Ka qenë prift ortodoks i krishterë, mësues, publicist dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare.
Edhe babai i tij, Nini Petro Kostallari, kishte qenë aktiv në Rilindjen Kombëtare Shqiptare si publicist dhe mësues. Pasi mbaroi shkollën e seminarit të Qestoratit nën Koto Hoxhin, punoi si mësues në fshatrat e rrethit të Kolonjës, ku mësoi shqip i maskuar dhe përgatiti një numër shokësh si mësues të ardhshëm të shqipes. Në vitin 1887 Luarasi dhe shoku i tij mësues Thanas Sina morën drejtimin e shkollës shqipe në Korçë nga Pandeli Sotiri pas largimit të tij. Mes viteve 1887 dhe 1893 Luarasi hapi në Ersekë dhe në disa fshatra të rrethit të Kolonjës shkolla në gjuhën shqipe.
Themelimi dhe promovimi i shkollave shqipe nga Luarasi në zonën e Kolonjës e solli atë në konflikt me Filaretos, kryepeshkopin grek të Kosturit. Në vitin 1892 një letër qarkore iu dërgua popullatës shqiptare ortodokse të Kolonjës për të shkëputur lidhjet mes tyre dhe Luarasit me Filaretos, duke iu referuar atij si një “renegat i mallkuar” që përhapte “masonerinë dhe protestantizmin e lirë”, ndërsa dënonte punën e tij me shkollën shqipe dhe thoshte se gjuha shqipe “nuk ekzistonte”. Më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën 1904 – 1908, ku ishte anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nismëtar i shoqatave patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Luarasi, punoi, gjithashtu si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Qiriazi në Korçë dhe në vitet 1909- 1911 punoi si drejtor i shkollës së Negovanit, të themeluar nga Papa Kristo Negovani.
KONTRIBUTI
Petro Nini Luarasi, gjithashtu, ka kontribuar në organizatat për rrugën që çon në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (shkëputja) nga Perandoria Osmane. Luarasi mori pjesë në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit të shqipes në vitin 1908. Për veprat e tij patriotike, shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtarinë shoqërore, ai u persekutua të dy nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës dhe regjimi i turqve të rinj. Sipas shumë mundësive ai vdiq i helmuar nga Patriarkana më 17 gusht 1911.
Ai bashkëpunoi, botoi dhe ishte kryeredaktor me këto revista: Bashkimi i kombit (botuar në Manastir gjatë periudhës 1909-1910), ku ai ishte kryeredaktor; “Drita”, (botuar në Sofje, Bulgaria gjatë periudhës 1907-1908); “Kombi” (botuar në Boston, më 1908); “Liria” (botuar në Selanik gjatë periudhës 1909-1910). Në këto revista ai botoi shkrime mësimore, poezi dhe publicistike. Në veprën e tij politike “Mallkimi i shkronjave shqipe” dhe “Çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911), mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për të drejtat e tyre për kulturën e vet kombëtare. Ai propagandoi idetë kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që ishin ato të bashkimit të popullit shqiptar në luftën e tij për lirinë e Shqipërisë, pavarësisht besimeve fetare. Ish-presidenti i vendit Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.”
PËRNDJEKJA
Veprimtaria e Petro Nininit u gjurmua në çdo hap nga mitropoloi Grigori i Kosturit, i cili kishte dërguar qarkore në Eparhinë e Kolonjës dhe Vakëf që të mos e pranonin Petron si mësues në ato anë, madje duke i kërcënuar ata me shkishërim, ai edhe vetë Petron e kishte anatemuar e shkishëruar. Mirëpo Petron nuk e zmbrapsën këto kërcime. Ai vetëm sa e zgjeroi aktivitetin e tij, duke e hapur madje një shkollë edhe në Ersekë. Një nga detyrat e rëndësisë së veçantë të Petros me bashkëveprimtarët e tij ishte mbrojtja e këtyre shkollave nga armiqtë dhe kisha greke, si dhe nga organet e pushtuesit Otoman, por edhe furnizimin e tyre me libra shqip, si dhe mbajtja e tyre me mjete materiale. Dhespoti i Korçës, Filiothesos Konstandinidhis, po bënte plane për zhdukjen e Petros.
Diku në fund të viti 1891 Petro mori rrugë për Stamboll, Rumani e Bullgari për të mbledhur atje ndihma për mbajtjen e shkollës nga ana materiale. Atje takoi krerët e vatrave kombëtare si vëllezërit Frashëri, Nikollë Naçon etj. Petro nuk kishte lënë gur pa lëvizur në mënyrë që shkolla shqipe të ishte shembulli më i mirë i një fitoreje të plotë mbi errësirën që po pretendonin ta mbanin grekomanët mbi qiellin shqiptarë. Shkolla shqipe i vuri themelet e kalasë së madhe të diturisë shqiptare. Më pas, duke parë suksesin e kësaj nisme të mbarë, shkollat shqipe u hapën edhe në Pogradec, në Tresekë, Polenë, Luaras, Hereskë, Leskovik, Elbasan etj. Petro Luarasi kishte bërë një punë të Veçantë për hapjen e këtyre shkollave, madje ai mbante tërë barrën e furnizimit të këtyre shkollave me libra shqip të cilat i sillte nga Bukureshti. Ai nuk pushonte së renduri për sigurimin e mjeteve materiale në mënyrë që shkollat shqipet të mbijetonin katrahurat e asaj kohe.
REAGIMI
Propagandës shoviniste të grekomanëve Petro Nini Luarasi iu përgjigj në veprën e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit”, në të cilën ai pasqyron në mënyrë argumentuese, dhe me dokumente konkrete mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë. Duke u ndeshur me realitetin, Petro shkruante: “E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…, ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”- (P.N.Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…). Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Atë e helmuan qarqet shoviniste grekomane. Kjo vdekje atëbotë i trazoi shpirtrat përparimtarë e liridashës të kohës, për këtë rast të shëmtuar e kriminal, shkroi shtypi shqiptarë, por edhe ai anglez e amerikan.
MOTOJA
Petro Nini Luarasi përçoi kudo frymën atdhetare me moton: “Kombi mbi të gjitha!”. Më 1908 Petro Nini u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e patriotë të kohës për të luftuar si komitë për çlirimin e vendit. Në atë kohë u shpall Hyrieti, dhe ai filloi veprimtarinë e tij patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë. Andartë grekë, duke parë se atë nuk e ndal gjë nga rruga e tij e shenjtë në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe, vendosën ta helmonin Petron. Petro Nini vdiq më 17 gusht 1911, por vepra dhe puna e tij nuk do të vdesin kurrë, ai u përjetësua me veprat e tij të pavdekshme për hapjen e shkollës shqipe kudo në tokën shqiptare, ai mbeti i pavdekshëm me punën dhe porosinë e tij të vendosur: “Ruamani gjakun, se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…”, dhe “Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!”. Shovinistët grekë bënë çmos për të ndaluar vrullin e lëvizjes sonë kombëtare për zhvillim dhe përparimin e arsimit shqip. Ata shkuan deri në atë pikë sa shkishëruan patriotët ortodoksë si Papa Kristo Negovanin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Papa Totasin, madje me dorën e tyre të përgjakur ata vranë në mënyrën me çnjerëzore këta burra dhe dijetarë të mëdhenj të atdheut tonë. Andartë grekë më parë patën vrarë edhe Dhaskal Todhrin, patën helmuar Naum Veqilharxhin, Papa Totasin etj. Por armiqtë e kombit tonë nuk arritën kurrë, as sot e gjithë ditën, të vrasin dëshirën e shqiptarëve për shkollim, liri, bërjen e shtetit dhe përparim të vërtetë. Nuk kanë thënë së koti se: “Sa më shumë që shtyp një popull, aq më i madh do të jetë shpërthimi i tij për liri!”./Panorama