free web tracker Desdemona e tejzgjahut/ Artizania më e njohur në Gjirokastër, prej 40 vitesh mban gjallë trashëgiminë - Shqipet

Desdemona e tejzgjahut/ Artizania më e njohur në Gjirokastër, prej 40 vitesh mban gjallë trashëgiminë

Desdemona Paskali është një nga figurat më të njohura të artizanatit në Gjirokastër. Ajo ka nisur të punojë që në moshë të vogël dhe sot është një mjeshtre e vërtetë e endjes tradicionale në tezgjahun prej druri. Ajo vijon të ruajë dhe përtërijë një trashëgimi të rrallë familjare

Prej më shumë se katër dekadash, Desdemona Paskali është një nga figurat më të njohura të artizanatit në Gjirokastër. Ajo ka nisur të punojë që në moshë të vogël dhe sot është një mjeshtre e vërtetë e endjes tradicionale në tezgjahun prej druri. Në qendrën e saj të artizanatit, të hapur prej 10 vitesh në Pazarin karakteristik të qytetit, ajo vijon të ruajë dhe përtërijë një trashëgimi të rrallë familjare.

“Unë kam që 14 vjeç që punoj, dmth 42 vjet në këtë zanat. Kam mësuar në ndërmarrje artistike dhe kam vazhduar gjithë jetën. Kam tani 10 vjet që kam dyqanin tim këtu në pazar. Ne kemi trashëgimi familjare në art me gjyshin skulptor dhe babain modelist në fabrikën e këpucëve, por ishte edhe dëshira ime që më pëlqente kjo punë”.

Me duart e saj ka krijuar qylyma, sixhade dhe vepra të tjera me motive të larmishme shqiptare, duke i përshtatur ato edhe me shijet moderne. Turistët që e vizitojnë shfaqin kuriozitet dhe interes për këtë mjeshtëri.

“Preferencat e turistëve janë të ndryshme. Preferojnë edhe motivet e vjetra por edhe modele moderne, sepse unë përveç të vjetrave nxjerr edhe modele të reja dhe kombinoj ngjyra dhe motive siç ata i pëlqejnë”

Ndërsa gjatë muajve të verës, dyqani i saj shndërrohet edhe në një hapësirë trajnimi, ku vizitorë nga vende të ndryshme të botës përpiqen të mësojnë bazat e endjes në tezgjah.

“Unë jam Jaison Bell dhe gjendem këtu me Monën, që bën çdo gjë me dorë pikërisht këtu dhe po blej një prej punimeve për tavolinën në shtëpinë tonë në Amerikë. Ajo bën punë të shkëlqyer.”

Megjithatë, artizanja gjirokastrite nuk fsheh shqetësimin për mungesën e interesit nga të rinjtë shqiptarë.

“Ky zanat duhet të mbijetojë, por nuk e di pse të rinjtë nuk kanë dëshirë për ta vazhduar. Këtu kanë më shumë dëshirë të huajt, vijnë e më kërkojnë që të mësojnë, por nuk kanë dëshirë të rinjtë e sotëm – nuk e di”

Desdemona Paskali mbetet mes të paktëve artizanë për mjeshtërinë që përcjell, me një kontribut të veçantë në ruajtjen dhe përtëritjen e një trashëgimie shekullore lokale./TCH

 

Scroll to Top