free web tracker Islamisti i dyshuar për vrasjen e policit i çonte ‘selam’ Amerikës: Do të tuboheni në xhehnem - Shqipet

Islamisti i dyshuar për vrasjen e policit i çonte ‘selam’ Amerikës: Do të tuboheni në xhehnem

Rilind Murati, i dyshuar për bashkëkryerje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, ishte figurë e njohur në rrjete sociale për ekstremizëm përmes postimeve të shumta, duke përfshirë faqen ‘Rinia Islame Kaçanik’, shkruan Gazeta Metro.

Murati, që dikur ishte pjesëtar i FSK-së, kishte marrë pjesë në shumë video të ‘Rinisë Islame Kaçanik’, duke mbajtur ‘ligjërata’ e ‘udhëzime’ për islam.

Ndër të tjera, Murati shpeshherë tregonte edhe qëndrimet e tij ekstremiste politike, duke dalë kundër ‘sistemit’ e kundër Amerikës.

Në një postim të këtillë, Murati shfaqet me gisht përpjetë sikur terroristët e ISIS-it e me sy të mbuluar me ‘blur’ dhe hidhte vrer mbi SHBA-në dhe ‘spiunët e saj’.

”Thuajini Amerikës dhe spiunëve të saj: Do të mposhteni dhe do të grumbulloheni në Xhehenem. Ky është vendimi i Allahut”, shkruante islamisti i dyshuar për vrasjen e policit.

Për Muratin foli edhe ish-ministri Ejup Maqedonci, duke treguar se ai e kishte lënë ushtrinë dhe ishte çmobilizuar në vitin 2022.

Murati bashkë me gjashtë të dyshuarit e tjerë do të vuajnë masën e paraburgimit për një muaj, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj. Prokuroria akuzon grupin në fjalë për vrasje të rëndë të policit Muhamed Lika më 1 prill.

Scroll to Top