free web tracker Video nga viti 1976 ku zonja shqiptare flet shqip nga Siria! - Shqipet

Video nga viti 1976 ku zonja shqiptare flet shqip nga Siria!

Sot hasa në nji video t’vjetër prej vitit 1976, postue nga Mece Gazmiri, ku nji zonjë shqiptare prej Sirisë flet shqip. Zani i saj, fjala, theksi, mallëngjimi… m’bani me u emocionu. Ajo e ka rujt gjuhën tonë përmes brezave, tue e marrë prej nanës e gjyshes së vet, e vet tue ia përcjell fëmijëve të saj.

Ma prekëse se gjithçka ishte ninulla që ja ka këndu gjyshja:


Transkript i plotë i videos:
Gazetari:
Kush ua ka mësuar shqipen?
Zonja:
Shih, nana jeme pak. Veq une qe 4 vjet e ma shume s’flas hiq shqip. Për qata tashti asht zor për mue me folë.
Gazetari:
A ju kujtohet ndonji kangë e nanës përshembull?
Zonja:
Ah po. Nona jeme, kur u kon fmija i vllaut tem i vogël, kur donë me flejtun, i ka marue nona jeme nji kong:

  • “Nina-nina djep me hi
  • Shumë po tutna po bjen shi
  • Shum po tutna që po t’lagë
  • Gjyshja jote shumë oshtë plakë
  • Nina-Nina banu i fortë
  • Rruzt e tua janë pij lotë
  • T’i kam bo për me ti vnu,
  • Kmishë me lula t’kam harrnu”

Një copëz shpirt shqiptari që ka jetu e ka marrë frymë larg prej trojeve tona, por që e ka rujt gjuhën, kujtimin e dashninë si amanet të shenjtë.

Kjo intervistë është thesar për historinë tonë të shpërndarë.

Ajo e shqipton me dashni e përkushtim, me nji theks të pastër gegë, e me mall të madh për të kaluemen. Përveç bukurisë së saj, asht edhe ma e bukur me e ndigjue se si gjuha e kujtesa kulturore janë rujtë kaq larg prej trojeve tona shqiptare.

Nuk ka fjalë sa krenare e mirënjohëse ndihem për këta shqiptarë që, edhe larg e t’harruem prej nesh, nuk e harruen as vendin, as gjuhën, e as rranjët.

Shqiptarët në Siri janë nji pjesë e shpirtit tonë që duhet me e gjetë, me e njoftë, me e ruejt.

Lufta në Siri e ka goditë randë këtë komunitet. Shumë prej tyne janë shpërngulë për në Turqi, Evropë e vende të tjera. Ka pasë përpjekje nga diaspora shqiptare me i identifiku e me i ndihmue. Por ka ende shumë për me u ba…

Nexha Gjema

Scroll to Top