free web tracker Qysh u mbrojt Gjeneva me shembullin e Skanderbeut - Shqipet
⬇️OFERTË VETËM PËR JU⬇️

Qysh u mbrojt Gjeneva me shembullin e Skanderbeut

Para disa ditësh isha në Gjenevë, e tuj shetitë nëpër rrugët e qeta e të pastra t’qytetit të vjetër, për herë t’parë dëgjova nji histori që m’la pa mend. Nji tregim që nuk e kisha pritë me pas lidhje me ne shqiptarët, e aq ma pak me Gjergj Kastriotin – Skanderbeun.

Në dhjetor të vitit 1602, Gjeneva – qytet i vogël me veç 24 mijë banorë – ishte në frikë të madhe. Duka i Savojës, Emanueli i Parë, kishte ardhë me ushtri te porta, tue u përgatit me e pushtu qytetin e me e shpallë kryeqytet të principatës së vet. Gjeneva u gjind vetë, pa përkrahje, pa ndihmë, e nën presion të madh. E në atë errësinë e frikës, doli dritë nji shpresë.

Autoritetet e qytetit, për me i dhanë zemër popullit, u kthyen kah librat. E mes tyne, nji libër francez i vitit 1576, i titulluem “Historia e Gjergj Kastriotit, i njohun si Skanderbeu, Mbreti i Shqipnisë”, i shkrum prej historiani Jacques de Lavardin, u ba burim frymzimi. Libri rrëfente për heroin shqiptar që për 25 vjet i bani ballë Perandorisë Osmane.

Autoritetet shpërndanë mbi 1000 fletushka me histori të Skanderbeut nëpër qytet. Njerëzit lexojshin sesi nji popull i vogël, me ushtri modeste, pa aleanca të mëdha, kishte përballue nji perandori gjigande.

E u përhap nji fjali që i ngjalli gjakun popullit:
“Nëse Skanderbeu e mposhti Perandorinë Osmane, edhe na mujna me mbrojtë Gjenevën prej Dukës së Savojës!”

Nata mes 11 e 12 dhjetorit 1602 ishte nata e betejës. Forcat e Dukës tentuen me hy fshehtas, por qytetarët ishin zgjuet. Gratë fillun me hedhë ujë të valë nga dritaret, dej sa burrat luftonin me shufra, thika, çka t’kishin n’dorë. Legjendare u ba nji kuzhiniere, Catherine Cheynel, me kazanin e supës e cila ua derdhi pushtuesve përmbi krye. Mbas asaj nate, u pagëzue si “Mère Royaume” – Nana e Mbretërisë.

U fitue jo me ushtri, por me guxim. Me frymëzim. Me Skanderbeun.
Ai u kthye në udhërrëfyes të shpirtit të qytetit. Nji hero nga Ballkani u ba shpresë e Gjenevës në natën ma të errët.

Që prej asaj dite, L’Escalade – si quhet kjo betejë – përkujtohet çdo vjet në Gjenevë. Me parada, me veshje tradicionale, e madje edhe me fletushka që tregojnë për Skanderbeun tonë. Legjenda jeton.

Edhe studiuesi shqiptar Prof. Astrit Leka, në hulumtimet e tij, ka zbulu se kjo histori asht e vërtetë. Autoritetet e Gjenevës, përpara betejës, gjithherë shpërndanë fletushka të bazueme në librin e Lavardenit për Skanderbeun, për me ua ngritë moralin qytetarëve. Nji popull i vogël që qëndronte përballë fuqisë së madhe – shembull i përkryer për çka po përjetonte Gjeneva.

Libri “Histoire de Georges Castriot surnommé Scanderbeg, Roy d’Albanie” u botue në Paris më 1576, dhe ma vonë, në 1596, u përkthye në anglisht e u botue në Londër. Përfshinte madje edhe nji sonet të Edmund Spenser, poet i madh anglez, që tregon se sa lart ishte vlerësue figura e Skanderbeut në gjithë Evropën.

E sot, kjo histori rrallë njihet mes shqiptarëve – por në zemër të Evropës, në nji qytet që triumfoi, emni i Skanderbeut u ba flamur i lirisë.
—–
Në Gjenevë ashtë ngritë nji bust i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij historik dhe për komunitetin shqiptar në Zvicër. Ky bust është vendosë më 1 nëntor 1997 në parkun William Rappard, pranë liqenit Leman dhe përballë zyrave të Kombeve të Bashkueme. Vepra është realizu nga skulptori i njohun shqiptar Odhise Paskali dhe është përuru nga veprimtarët Astrit Leka dhe Zaim Jashari, me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga Shqipëria, Kosova dhe autoriteteve zvicerane.
Faleminderit për këtë pjesë historike Ali dhe Shpresa!

Scroll to Top