free web tracker “Vaksinat kanë mish derri, nuk e lejon feja” - Mësuesja myslimane akuzon mjeken: Je bashkëpunëtore në krim - Shqipet

“Vaksinat kanë mish derri, nuk e lejon feja” – Mësuesja myslimane akuzon mjeken: Je bashkëpunëtore në krim

Rritja e rasteve me fruth në vendin tonë dhe mungesa e vaksinimit për shkak të teorive të autizmit ka ndezur debatin në studion e A2 mes mjekëve dhe mësueses myslimane Esmere Kola. Kjo e fundit ka akuzuar mjeken epidemiologe në Fier, Anila Muçi si bashkëpunëtore në krim për shkak të moszbatimit të protokollit shtetëror për vaksinat.

“Pse nuk i hapni vaksinat, a keni ekspertë çfarë ka vaksina brenda qetësojini njerëzit. Paguhesh me taksat e mia dhe nuk mund të lozësh me jetën e njeriut. Edhe ti doktoreshë ke marrë pjesë në krim, se vuajnë familjet shqiptare, je bashkëpunëtore në krim”, tha Kola.

Në përgjigje të saj epidemiologia iu përgjigj: “Unë marr pjesë në krim që punoj për të parandaluar sëmundjen e fëmijëve tuaj? Jam bashkëpunëtore për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve. Këtë e pranoj”.

Deklarata e myslimanes u kundërshtua nga mjeku Ilir Alimehmeti.

“O merrem unë me sistemin unë, ose nuk merret njeri me sistemin shëndetësor. Nuk e pranoj dot ti thuash një mjekeje bashkëpunëtore në krim. Është ofendim i rëndë”.

Kola tha se para se të bëhet vaksina, duhet të kryhen analiza për sistemin imunitar dhe sipas saj duhet të ketë vaksina të ndara. Ajo tha se vaksinat kanë përbërje derri, çka nuk e lejon feja myslimane dhe për këtë arsye nuk mund t í vaksinojnë fëmijët.

“Ndryshoni këndvështrimin dhe zbatoni rregulloren që ka përcaktuar shteti. Të gjithë fetë janë pro vaksinimit, dhe librat hyjnorë e nxisin njeriun që të kërkojë shërim. Përbërja e vaksinave është bërë shqetësim kryesor edhe në Amerikë, sepse në religjionin e tyre thonë që përbërja e vaksinës ka elementë nga fetuse të abortuar, që ato e quajnë krim.

Kurse në islam ne e kemi të ndaluar të përdorim produkte me përmbajtje derri dhe të gjitha mikrobet janë të përqëndruara në xhelatinë derri. Meqë nuk zbatojnë protokollin, le të na sjellë shteti në një xhelatinë që ne e pranojmë”.

Por mjekja Muçi reagoi duke i shpjeguar se çdo vaksinë ka të lexueshme përbërjen e saj.

“Nëse ju dyshoni çdo vaksinë ka me vete edhe patentën nga se është e përbërë dhe të gjithë elementët që ka brenda. Para se t’i vaksinoni fëmijët, i lexoni. Lexo patentën e vaksinës dhe je ok, është e bashkëlidhur aty”.

Kola këmbënguli në zbatimin e protokollit që sipas saj para vaksinimit duhet të kryhen analiza për të parë ndaj kujt mikrob është rezistent fëmija, në të kundërt ajo tha se nuk do ta vaksinojë.

“Nuk e ndiqni protokollin, nesër do jetë për kopsht fëmija im. Nëse fëmijës sim nuk i ofrohet analizë për të parë sistemin imunitar, unë nuk e vaksinoj. Ose të zbatohet protokolli ose nuk e vaksinoj. Mos i vrisni fëmijët e shqiptarëve”.

Ndërkohë mjekja Muçi bëri thirrje për mbulesë vaksinale prej 95% për mbrojtje më të mirë nga fruthi.

Scroll to Top