Kush e donte vdekjen e Ahmet Zogut? Më 23 shkurt 1924 iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues! Në Vjenë, u qëllua 9 herë mbi mbretin dhe suitën e tij
Më 9 prill të vitit 1961 ndërroi jetë në Paris mbreti Zog. Në një sërë publikimesh monografike, të dhënat e gjurmueshme të prejardhjes së familjes Zog tregojnë se vendorigjina e pararendësve gjendej edhe më në veri, para zhvendosjes në Burgajet të Matit në fund të shekullit të XV.
Ahmet Muhtar Zogolli, i biri i Xhemal Pash Zogut dhe i Sadie Emin bej Toptanit, u lind më 8 tetor 1895. Mentorët e tij të parë qenë Dervish Hima, Sali Torra dhe Hafus Ismeti. Në moshën 7-vjeçare do të largohej nga vendi për të vijuar edukimin në Turqi, ku krahas liceut francez të Stambollit, kreu kursin e oficerëve rezervë. Në atdhe do të kthehej më 20 korrik 1912, në kohë për të kremtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Relativisht herët do të niste rrugëtimin e tij në politikë në postin e ministrit të Brendshëm. Më 31 janar 1925, do të shpallej President i Republikës Shqiptare, ndërsa më 1 shtator 1928 do të mbërrinte në apogje të karrierës, duke drejtuar monarkinë shqiptare. Me nisjen e pushtimit italian u shpërngul nga atdheu për t’u vendosur fillimisht në Greqi, prej nga ku do të merrte udhë një kalvar mërgimi me ndalesën e fundme në Francë. Në vlerësim të kontributit si shtetar, me rastin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u organizua një ceremoni zyrtare për kthimin e eshtrave të tij në atdhe, të cilat u vendosën në mauzoleumin e familjes mbretërore. Gjithashtu, në këtë kuadër, u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.
SI U SHPËTOI ATENTATEVE
Më 23 shkurt 1924 për shkak se Zogu me anë të një koalicioni me indipendentët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues, ku gjatë hyrjes i bëri pritë Beqir Valteri. Dorasi qëlloi tri herë e Zogu mori dy plumba kalimthi, njëri në kofshë dhe tjetri në baqth. Plagët iu lidhën përkohësisht nga dr. Simonidhi. Pasi atentatori mori garancinë personale, doli përzierja e Avni Rustemit në atentat, komplotin e kishin organizuar 15-20 veta dhe u burgosën ndër organizatorët Sali Hoxhë Elbasani (Hidri), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, etj.. Më 1927 dështon në embrion një atentat i organizuar nga jugosllavët. Më 20 shkurt 1931 në një vizitë në Vjenë, pasi ndoqi operën “Der Bajazzo” (“Pagliaçi”) i bëhet një atentat nga Aziz Çami e N. Gjeloshi. Atentatorët qëlluan nëntë herë mbi mbretin dhe suitën e tij, duke vrarë majorin Llesh Topallaj dhe plagosur ministrin e oborrit, Eqrem Libohovën, të dy me pasaporta diplomatike jugosllave dhe që ndihmoheshin nga “Bashkimi Kombëtar”. Më 1933 sipas dëshmisë së Ibrahim Çelos, Hasan Prishtina u përpoq ta bindte që t’i bënte atentat Zogut. Mars 1939 dështon plani italian për një atentat kundër tij.
LARGIMI NGA SHQIPËRIA
Në Perëndim si emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik. U largua nga Shqipëria pa bërë asnjë deklaratë dhe sapo kaloi kufirin, e shpërndau qeverinë duke e lënë Shqipërinë pa qeveri antifashiste në mërgim. Ikja e tij krijoi në Shqipëri vakum institucional, i cili i dha mundësi Musolinit për të manipuluar statusin politik të Shqipërisë sipas interesave të Italisë fashiste. Më 12 prill një Asamble Kombëtare e përbërë nga kolaboracionistë të rekrutuar nga qarqet monarkiste zogiste dhe qarqet antizogistë në emigracion shpalli se në Shqipëri nuk kishte ndodhur okupacion ushtarak, por vetëm ndërrim i kreut të shtetit. Qe mjaftueshëm aktiv në shtypin perëndimor, në të cilin numëroheshin dhjetëra intervista dhe shkrime për të në gazetat më të njohura britanike. Në një intervistë për gazetën “Manchester Guardian” më 12 shtator 1942, lakoi mundësinë për një Federatë Ballkanike. Njohja e tij si sovran në mërgim kundërshtohej nga Moska dhe Uashingtoni. Në vjeshtën e 1940 disa përkrahës të Zogut në Stamboll formuan Komitetin e Fshehtë, të organizuar nga Stërling me pjesëmarrës Konicën, Merxhanin, Hiqmet Delvinën, A. Sylën dhe Dibrën. Detyra e tij ishin të merreshin me çështjet shqiptare si dhe anglezët të kishin një organ informativ. Për komitetin kishte dijeni Musa Juka. Komiteti paguhej nga një zyrë angleze që quhej EAC (Economic Advisory Committee).
APARATI SHTETËROR
Politika autoritare e Zogut (1925-1939) solli njëfarë stabiliteti, duke konsoliduar aparatin shtetëror dhe luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Qershorin e 1925 organizoi në Namazgjah të Tiranës pritjen e 540 krerëve tradicionalë të bajrakëve e maleve, edhe armiq të betuar të Presidentit të ri dhe u kërkoi besën që të rronin paqësisht me njëri-tjetrin, të dorëzonin armët, të mos bënin vetëgjyqësi, por t’ia linin shtetit tagret e së drejtës, duke arritur kështu stabilitetin duke u ujdisur me krerët e tjerë vendorë, si bejlerët dhe shehlerët; i përkrahu komunitetet fetare, duke i çmuar edhe si mur mbrojtës kundrejt bolshevizmit.
Rikthimi i tij në pushtet dhjetorin e 1924 është konsideruar nga ndonjë historian si “pengesa më serioze për përhapjen e komunizmit në Shqipëri”. Zgjedhja president u shoqërua me një amnisti të gjerë për shumë të arratisur dhe të burgosur, duke u përpjekur të pajtonte të kaluarën me të tashmen. Vazhdimi i amnistive më 1927, 1932 qe baza e asaj që Zogu quante “pajtim kombëtar”; me 10-vjetorin e Mbretërisë Shqiptare në shtator 1928, u shpall falja e përgjithshme për të arratisur politikë. Të tjerë e kanë hedhur poshtë argumentin e stabilitetit duke vënë në pah se vendi u trondit disa herë nga trazira dhe kryengritje. Po këto e shohin se de facto e shndërroi Shqipërinë në monarki absolute. Ai përqendroi në duart e veta, diku haptazi e diku tërthorazi, pushtetet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Gjatë sundimit të tij, Shqipëria u bë koloni ekonomike e Italisë dhe kjo e fundit kishte edhe ndikim politik.
Arratisja e Zogut në prill 1939 pas sulmit të Italisë fashiste është kritikuar ashpër dhe është quajtur dezertim. Ikja e tij e pazakontë e dëmtoi popullaritetin e tij të mbetur. Sipas Fischer, po të kishte qëndruar dhe po të kishte organizuar rezistencën do t’i kishte bashkuar shqiptarët dhe do të kishte lënë përshtypje më të mirë në histori, mirëpo pas zbarkimit të italianëve dhe ikjes së mbretit pothuajse tërë shqiptarët iu dorëzuan fatit të pashmangshëm. Zhdukja e Zogut dhe kolapsi i rezistencës u mundësoi italianëve që më 8 prill ta marrin Tiranën pa u shkrepur asnjë plumb i vetëm. Arratisja e Zogut është dënuar edhe nga liderë të së djathtës shqiptare, të cilët e akuzojnë për prerje në besë të shqiptarëve. “Po të kishte qëndruar – thotë Abas Ermenji – forcat e reja do t’ishin mbledhur rreth Zogut, do t’ishte krijuar një tjetër bosht përqendrimi dhe do t’i ishte prerë Udha komunizmit”.
Çfarë la pas arratisja
Në vitin 1939, kur mbreti Zog iku në mërgim, Shqipëria mbetej vendi më i varfër, më i izoluar dhe më i prapambetur në Evropë. Mungesa e talentit konstruktiv të Zogut, paaftësia e tij për të kuptuar ekonominë moderne ose për të gjetur këshilltarë që e kuptonin dhe dështimi i tij për të zgjidhur çështjen e bujqve e lanë Shqipërinë shumë prapa vendeve tjera evropiane. Më shumë se 80% e popullsisë merrej me bujqësi dhe blegtori në një vend ku vetëm 11% e tokave ishin të punueshme. Bujqësia dhe blegtoria ishin në nivel mesjetar. Përpjekjet e pasuksesshme të Zogut për të bërë reforma agrare e lanë pjesën dërrmuese të tokave në duart e feudalëve myslimanë dhe urdhrave fetarë. 60% e tokave të punueshme në Shqipëri ishin në duart e vetëm 150 pronarëve të mëdhenj. Të paktën 40% e fshatarëve ishin pa tokë dhe jetonin në varfëri të skajshme. Edhe kushtet shoqërore mbetën në nivel primitiv.
Në veri ende bënte kërdinë gjakmarrja. Në jug, toskët e varfër trajtoheshin si bujkrobër nga feudalët myslimanë. 15% e popullsisë jetonte në qytete. Vetëm Durrësi, Vlora dhe Tirana dukeshin si qytete evropiane, sidomos kjo e fundit ishte rritur shumë shpejt pasi u caktua kryeqytet i Shqipërisë dhe në vitin 1939 numëronte 30 mijë banorë. Në qendër të Tiranës ishin ngritur nga italianët disa ndërtesa qeveritare dhe hotel “Dajti”. Paratë e huave italiane nuk u shpenzuan në mënyrë të duhur, udhët dhe urat e konstruktuara i shërbenin në radhë të parë qëllimeve ushtarake italiane, godinat e ndërtuara nuk ishin të domosdoshme duke përfshirë godina qeveritare fashiste mburravece dhe një pallat për mbretin Zog. Nuk u investua në kanalet e ujitjes dhe në kanalizime, të cilat ishin nevojat kryesore. Kushtet e jetesës ishin të mjera.
Të ushqyerit ishte i dobët, shërbimet e shëndetit publik nuk ekzistonin, njerëzit ishin të rrezikuar nga sëmundjet. Zija e bukës ishte dukuri kronike në Shqipëri. Në vitin 1935 mori përmasa më të mëdha. Me mijëra burra, gra dhe fëmijë të uritur dhe të zhveshur grumbulloheshin para dyerve të prefekturave dhe kërkonin misër. Rrugët mbusheshin me turma fëmijësh të uritur që lypnin bukë. Si pasojë e keqësimit të gjendjes ekonomike të popullit, të mungesës së ushqimit dhe të gjendjes së rëndë sanitare në vend u përhapën tuberkulozi, malarja, skarlatina, fruthi, sifilizi etj. U rrit vdekshmëria e fëmijëve. Edukimi ishte i mangët. Shqipëria kishte shkallën më të lartë të analfabetëve në tërë Evropën, me 85%. Në Shqipëri nuk kishte universitet dhe kishte fare pak shkolla të larta. Për arsimin dhe kulturën shpenzoheshin shuma të vogla të buxhetit, të cilat për shkak të krizës ekonomike u shkurtuan edhe më shumë për të mbuluar deficitin buxhetor.