free web tracker Rama: Këtë mandat rindërtojmë linjat hekurudhore! Më 8 maj fluturimi pagëzues i aeroportit të Vlorës - Shqipet

Rama: Këtë mandat rindërtojmë linjat hekurudhore! Më 8 maj fluturimi pagëzues i aeroportit të Vlorës

Duke e quajtur një nga kuajt më të fortë të betejës, kryesocialisti Edi Rama prezantoi sot projektet infrastrukturore që synojnë të realizojnë deri në vitin 2029. Gjatë mandatit të katërt, shefi i qeverisë premton të ndërtojë edhe 700 kilometra të tjera rrugë, duke përfunduar disa prej projekteve më strategjike për vendin.

“Nga viti 2013 deri më sot janë ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, përfshirë 21 kilometra ura dhe 12 kilometra tunele. Por për mandatin e katërt, qeveria synon të ndërtojë edhe 700 kilometra të tjera rrugë, duke përfunduar disa prej projekteve më strategjike për vendin”, tha Rama.

Korridori 8 dhe Korridori Blu janë në qendër të investimeve, duke u kthyer në kantiere të mëdha ndërtimi. Brenda mandatit të katërt, qeveria synon të përfundojë të dyja këto korridore të rëndësishme, që do të lehtësojnë lidhjet rajonale dhe integrimin e Shqipërisë në rrjetin europian të transportit.

“Sot, Korridori 8, Korridori Blu për të cilin na qeshnin kur unë e thashë është korridori i piktorit. Korridori i piktorit sot është korridor i futur në rrjetin europian, në rrjedhën e korridoreve europiane falë Samitit që bëmë këtu në 2023 me Bashkimin Europian kemi edhe korridorin e 8, që nuk ishte i futur në rrjedhën e korridoreve europiane dhe faktikisht, qoftë njëri, qoftë tjetri, sot janë kantiere reale, janë kantiere reale me segmente të përfunduara dhe me segmente që janë në punë e sipër”, tha Rama.

  • Korridori 8- afati i përfundimit 2030

Lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Brenda Shqipërisë, përfshin segmente si Durrës – Tiranë – Elbasan – Qafë Thanë dhe më tej vazhdon drejt Maqedonisë së Veriut.

  • Korridori Blu- afati i përfundimit 2030
  • Korridori Blu nis në Kroaci e mbaron në Greqi. Në Shqipëri pjesë e këtij korridori është Muriqan-Balldre-Milot-Thumane-Kashar-Lekaj- Fier.
  • Kryesocialisti Edi Rama listoi edhe disa prej akse kryesore rrugore pritet të përfundojnë gjatë mandatit të katër.
  • Dhërmi-Sarandë rruga turistike që do të lidhet me tunelin e Llogarasë, Tiranë-Krujë, Berat-Çorovodë.

“Rruga e bregut, Dhërmi-Sarandë, brenda mandatit të katërt do të jetë një rrugë turistike, që do të vazhdojë atë nga tuneli i ri i Llogarasë, deri në Dhërmi, rruga e shumëpritur, e shumë dëshiruar dhe e shumë nevojshme. Ndërkohë që brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat- Ndroq – Plepa. Maqellarë- Peshkopia përfundon këto ditë, Qukës- Qafë Plloçë, Berat – Ballaban përfundon po këtë vit”, tha Rama.

Projektet infrastrukturore

  • -Rruga e Bregut Dhërmi-Sarandë – një rrugë turistike që do të lidhet me tunelin e ri të Llogarasë.
  • -Tiranë-Krujë
  • -Berat-Çorovodë
  • -Ura e Leklit Përmet- Çarshovë
  • -Ersekë-Leskovik,
  • -Rrëshen-Burrel
  • -Korçë-Sarandë
  • -Vau i Dejës-Pukë-Fushë Arrëz
  • -Tepelenë-Vlorë (Rruga e Vjetër)
  • -Ura mbi lumin Vjosë-Selenicë
  • -Skrapar-Gramsh, Skrapar-Përmet,
  • Gjirokastër-Libohovë, Poliçan-Zagori
  • -Qukës-Qafë Plloçë, Berat-Ballaban – përfundimi brenda 2024
  • -Aksi Tiranë-Durrës, Kombinat-Ndroq-Plepa – përfundimi deri në 2026

Një tjetër prioritet i qeverisë është infrastruktura hekurudhore, me disa projekte të rëndësishme që përfshijnë, rikonstruksionin e linjave Rrogozhinë-Pogradec dhe Rrogozhinë-Vlorë, hekurudhën Durrës-Prishtinë, si një projekt strategjik për lidhjen me Kosovën, lidhjet Vorë-Hani i Hotit dhe Sukth-Porto Romano, si pjesë e rrjetit rajonal të transportit, linja Tiranë-Rinas-Durrës që pritet të vihet në funksion së shpejti. Rama u shpreh se realizimi i tyre do të sjellë një transformim të madh dhe do të lidhë vendin me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nuk do të lëmë pa bërë atë që është pjesa e shumë munguar e gjithë këtyre viteve. Falë gjitha këtyre ndërhyrjeve ne praktikisht, jo vetëm me rrugët, por edhe me hekurudhat futemi në rrjetin hekurudhor të rajonit; bashkohemi me Kosovën, bashkohemi me Malin e Zi, bashkohemi me Maqedoninë e Veriut”, tha Rama.

  • Hekurudha Rrogozhinë-Pogradec dhe Rrogozhinë-Vlorë – Investime që synojnë të lidhin jugun dhe juglindjen me rrjet hekurudhor
  • Durrës-Prishtinë – Një projekt ambicioz në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.
  • Vorë-Han i Hotit – Financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim
  • Sukth-Porto Romano dhe Durrës-Rrogozhinë – Pjesë e zhvillimit të korridorit 8
  • Tiranë-Rinas-Durrës – Projekt në përfundim me 80% të punimeve tashmë të realizuara

Një element i ri në infrastrukturën rrugore do të jetë Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, e cila do të hyjë në funksion në 2025-ën, duke eliminuar patrullimin fizik të policisë në rrugë. Projekti është parashikuar të monitorojë fillimisht akset Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, By Pass i Fierit dhe Levan-Vlorë, në 200 km e para me një total prej 150 kamera inteligjente dhe radarë.

“Do kalojmë në një nivel tjetër, nuk do kemi më policë nëpër rrugë, nuk do kemi më postblloqe, nuk do kemi më njerëz që dalin nga ferra me uniformë, edhe që thonë “Ndalo”, dhe ti s’di të ndalosh a mos ndalosh, se mund të mos jenë ekzaktësisht ata që thonë që janë”, tha Rama.
Me shifrat rekord të turistëve që vizituan vendin tonë, kreu i qeverisë lajmëroi se më 8 maj pritet të mbahet edhe fluturimi i parë për ‘pagëzimin’ e pistës së aeroportit të Vlorës.

“Kur ne e morëm detyrën në atë aeroport hynin e dilnin 1,7 milionë pasagjerë në vit. Vitin që lamë pas ishin 11 milionë pasagjerë në Tiranë, në aeroport. Në 8 maj, shpresojmë do të bëjmë edhe fluturimin e pagëzimit të pistës së aeroportit të Vlorës, ku terminali do të kërkojë edhe ca kohë për shkak të vonesave me furnizimet materiale”, tha Rama.

Shumë shpejt pritet të nisë puna edhe për Portin e ri Tregtar në Durrës, ku do të stacionohet edhe një bazë ushtarake e NATO-s./L.F-dritare.net

Scroll to Top