free web tracker Ndarja e Shqipërisë mes Greqisë e Serbisë dhe Konferenca e Paqes në Paris, dokumenti i 1946! Mbrojtje djallëzore e ministrit jugosllav?! - Shqipet

Ndarja e Shqipërisë mes Greqisë e Serbisë dhe Konferenca e Paqes në Paris, dokumenti i 1946! Mbrojtje djallëzore e ministrit jugosllav?!

PROF. DR. ELMAS LECI/ Dy anonçimet e mëposhtme, bërë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, flasin shumë për pazaret mbi Shqipërinë. Pijade, ministër i Jashtëm i Jugosllavisë: ”Grekët sapo na kanë bërë propozimin, për ta ndarë Shqipërinë mes nesh si Jugosllavi dhe atyre si Greqi” dhe nxori dokumentin e firmosur nga Kryeministri grek Kaldaris prezent aty në Konferencën e Paqes.

Kaldaris, Kryeministër i Greqisë: ”Nga ky podium, ju shpalos një faksimile të vitit 1940, ku Presidenti i Shqipërisë Omer Nishani i bënte thirrje rinisë shqiptare për t’u futur në partinë fashiste e për të luftuar Greqinë”.

Në Konferencën e Paqes në Paris, e cila i filloi punimet me 29 korrik të vitit 1946 delegacioni shqiptar mundi të shkoi atje “me vonesë”, pasi në punimet e saj fillimisht Shqipëria nuk ishte ftuar fare dhe arsyet e atij trajtimi nuk u sqaruan asnjëherë nga treshja e Koalicionit Antifashist. Që në fillim delegacioni shqiptar u përball me akuzat e grekëve se Shqipëria ishte sjellë ndaj tyre si një vend agresor, për ekzistencën e ligjit të luftës e nga këto Shqipëria nuk mund të konsiderohej një vend aleat.

Presioni i jugosllavo-sovjetikëve bëri të mundur që më 20 gusht të vitit 1946, Enver Hoxha nga pozicioni i ministrit të Jashtëm (funksion që edhe e mbante krahas atij të Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë), të shkonte në Konferencë. Udhëtimi u bë me linjën ajrore nga Beogradi, ku e priste Tito, nga i cili do të merrte “udhëzimet” e fundit se “si duhej të sillej në Konferencë”. Siç thotë në kujtimet e tij Myftar Tare, në atë kohë zëvendës ministër i Brendshëm e Shef i Zbulimit të Jashtëm, në rastin konkret për Konferencën i mbuluar si Sekretar Personal i Enver Hoxhës, “ndalesën e parë e bëri në Beograd. Nga Tirana na mori avioni personal i Titos dhe pasi arritëm në Beograd, bëmë edhe një fluturim për në Bled, një zonë turistike në Slloveni, ku na priste vetë Tito. Në atë takim Tito shoqërohej nga Aleksandër Rankoviçi (asokohe zëvendëskryeministër) dhe Vukmanoviç Tempo (anëtari i Byrosë Politike, ish-misionar i Jugosllavisë në Shqipëri). Bisedimet zgjatën rreth dy orë, ku Tito e instruktojë Enverin, (përse-ja do dalë ne vijim) se si të fliste për të rihyrë në radhët e fituesve të luftës”.

Pavarësisht se Enver Hoxha nga Bledi shkoi edhe në Pragë ku u takua me Gotvaldin duhet thënë se parapërgatitjet e Enver Hoxhës për në Konferencë, kryesisht u bënë nga Tito dhe po ashtu duhet theksuar se roli i Enver Hoxhës në Konferencë ishte vetëm i atyre gjërave që i tha Tito, d.m.th. rol i tij ishte ai i “suflerit”, konkluzion që e ka dhënë në studimin e tij për Konferencën e Paqes edhe historiani i mirënjohur shqiptar Kristo Frashëri, i cili ka shkruar se “Enver Hoxha në Konferencë nuk pati asnjë rol”.156)

“Gjithsesi ne na u desh, – ka treguar Myftar Tare – të bënim përgatitjet tona. Zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris, nuk isha pjesë e delegacionit, por ndihmës i Enver Hoxhës Sekretar Personal i tij, së paku ky ishte statusi me të cilin u paraqita para organizatorëve të Konferencës, ndërsa në fakt kryeja detyrën e Shefit të Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. Me sa dukej, funksioni e kërkonte të isha i pranishëm në këtë veprimtari të rëndësishme. Urdhrin për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar për në Paris, mua ma komunikoi vetë Enver Hoxha në zyrën e tij në Tiranë. Unë aty mësova se me grupin tonë do të ishin edhe dy të tjerë, Vaskë Koleci, i cili në atë kohë ishte jo vetëm zëvendësministër i Brendshëm por edhe Kryetar i Sigurimit të Brendshëm të Shtetit dhe Shefqet Musarai, që ishte gazetar i “Zërit të Popullit”. Pavarësisht funksioneve që mbanim ne të dy zëvendësministra të Ministrisë së Brendshme unë dhe Vaska, do të paraqiteshim si shoqërues të Enver Hoxhës, unë edhe si Sekretar Personal, ndërsa Shefqeti do të vazhdonte profesionin e vet të gazetarit.

Përzgjedhja e kreut të Zbulimit dhe Kundërzbulimit të Shtetit tonë në përbërje të delegacionit shqiptar, kishte të bënte me shmangien e çdo kontakti me një kategori njerëzish emigrantë politikë e nacionalistë të shquar shqiptarë, të cilëve partizanët e Enver Hoxhës u kishin vënë pushkën dhe i kishin zbuar nga Shqipëria, ku bënin pjesë krerë të rëndësishëm kundërshtarë të regjimit etj.. P.sh. çështja e Sadik Premtes vlerësohej si më e rrezikshmja. Vetë Enveri ishte shumë i shqetësuar për lëvizjet e tij atentatoriale. Falë bashkëpunimit me “të zotët e shtëpisë”, Sadik Premtja për “arsye zyrtare” ato ditë e transferuan në një provincë se ndryshe Enveri nuk mund të futej në sallën e Konferencës. Aq në frikë ishte Enveri nga Sadik Premtja sa vetë pyeste herë pas here se çfarë ndodhte me të?!

Situata në seancën e 21 gushtit 1946, kur Enver Hoxha mori pjesë në Konferencë ishte e ndezur. Grekët përmes denoncimeve e kishin kthyer çdo gjë në favor të tyre. Protagonist i këtij revanshi ishte bërë vetë Kryeministri i Greqisë, Kostandin Kaldaris. Në krye të herës, ai kishte pohuar se në fillim të shekullit XX -të ka pasur një traktat të nënshkruar nga kryeministri grek Teotokis dhe ai shqiptar Ismail Qemali, që ia kalonte Vorio-Epirin Greqisë. Në vijim, Kaldaris artikuloi edhe një mori akuzash, sipas të cilave Shqipëria kishte bashkëpunuar hapur me fashizmin për pushtimin e Greqisë. Kaldaris bëri edhe akuza të drejtpërdrejta për personalitetet e larta të regjimit komunist shqiptar, madje edhe për bashkëpunëtorët e ngushtë të Enver Hoxhës. Në përgjigje nga tribuna e Konferencës Enver Hoxha sipas “porosisë së Titos” e kundërshtoi grekun, por, siç thonë dokumentet dhe studiuesit e arkivave, ai ato i bëri pa shumë argumente, por vetëm në mënyrë propagandistike e jo bindëse.

Fill pas tij e morën fjalën përfaqësuesit e vendeve të Bllokut Lindor, veçanërisht Jugosllavi Pijade, që sipas porosisë së Titos solli në Konferencë argumente shkatërruese kundër grekëve. “Jam këtu, -deklaroi Pijade, -t’ju bëj me dije se deri ku shkon agresiviteti grek ndaj shqiptarëve. Grekët ndjekin një politikë karakterizuese të monarkive ballkanike. Këto ditë – vijoi në diskutimin e tij Pijade, – grekët na kanë bërë propozime tepër interesante ku del hapur hegjemonizmi i tyre (dhe nxori dokumentin e firmosur nga Kaldaris), për ta ndarë Shqipërinë mes nesh si Jugosllavi dhe atyre si Greqi. Madje propozimi na është bërë drejtpërdrejt nga z. Kaldaris (Kryeministri), që i la të gjithë pa frymë”.

Përse e bëri Pijade ministri i Jashtëm jugosllav këtë punë dhe nuk e bëri ministri i Jashtëm sovjetik, i një vendi të madh siç qe Bashkimi Sovjetik dhe me një autoritet të madh si fitues i Luftës së Dytë Botërore?! Lidhur me këtë pyetje të natyrshme na vijnë në ndihmë jo vetëm dëshmitë, por edhe deduksionet se “a vërtet jugosllavët e deshën Shqipërinë”?! Jo, jo, tjetërkund ishte e vërteta. Tito kërkonte “njohjen dhe mbrojtjen” e Shqipërisë, pasi një Shqipëri e njohur dhe e mbrojtur me një akt ndërkombëtar siç do bënte Konferenca e Paqes, do të ishte më i lehtë “gllabërimi” i dhënë nga Stalini.

Këto gjëra dalin sheshit nga dokumentacionet e pas Konferencës së Paqes, ku në një bisedë të gjerë me të dërguarin jugosllav në Tiranë Josif Gjergjia, Enver Hoxha i kishte deklaruar se “në Paris ishte takuar edhe me Molotovin (ministrin e jashtë sovjetik), i cili i kishte thënë se “mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë qëndronte Jugosllavia dhe me të, duhet që marrëdhëniet të ishin sa më të mira”.

Për takimin, Gjergjia në nëntor të vitit 1946 i shkruan një informacion të posaçëm Titos, duke i cilësuar atij se “Enver Hoxha është kthyer nga Parisi me mendime më të qarta, për atë se si duhet të jenë marrëdhëniet e ardhshme me Jugosllavinë”. Kjo lidhet edhe me atë që Molotovi i kishte thënë Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris, “që politikën e jashtme të Shqipërisë e drejtonin jugosllavët”, gjë që del e qartë edhe nga propozimi i jugosllavëve që “Shqipëria të mos kishte përfaqësi diplomatike (ambasada) të vetat jashtë vendit, por të përfaqësohej prej përfaqësive të Jugosllavisë”. Këtë, vetë Enver Hoxha e pranon edhe në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë në prill të vitit 1946, ku për këtë çështje ai thotë se “jugosllavët na kanë propozuar që kudo ku ata kanë përfaqësi diplomatike, të kemi edhe ne një përfaqësues tonin pranë atyre përfaqësive, për t’i ndihmuar ato në kërkesat tona e për të bërë punën tonë. Ne e kemi pranuar këtë propozim të jugosllavëve”. /PROF. DR. ELMAS LECI – Gazeta Panorama

Scroll to Top