free web tracker Refleksionet e publicistit: Kur Venizellos pranon botërisht, se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë… - Shqipet

Refleksionet e publicistit: Kur Venizellos pranon botërisht, se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë…

Nga Gani Vila/ Pjesa e dytë

Detyrimi që unë po shkruaj rreth këtyre krimeve të planifikuara antinjerëzore, të kryera në ato vite nga ushtria e rregullt e shtetit grek, nuk vjen për faktin se unë jam nga ajo zonë, as për faktin se në mes të 375 personave të masakruar, nga data 2 deri në 10 korrik të vitit 1914 në fshatin Panarit të Korçës, 25 persona i përkasin të parëve të familjes sime, të cilët janë djegur të gjallë nga ushtria greke në shtëpinë e Rrape Vilës në lagjen “Vilë”, por më shumë jam i shqetësuar për qëndrimin antikombëtar dhe antinjerëzor të vetë shtetit shqiptar dhe të gjitha qeverive të tij të mëparshme, qysh nga kryerja e gjenocidit grek dhe deri më sot.

Deklarata e papërgjegjshme që përmenda më sipër, të Qeverise Shqiptare dhe të vetë Kryeministrit Edi Rama, krahas ofendimit dhe denigrimit që i bën kësaj popullsie, sjell dëme të interesave tona kombëtare të brendshme dhe të jashtme. Këto qëndrime dilitanteske të diplomacisë shqiptare, na paraqesin në botë dhe para atyre që na kanë vrarë pa dinjitet, si një komb pa thelb, që nuk njohim të kaluarën e të pa orientuar për të ardhmen, pa histori, të pa fe, pa strategji të brendshme dhe të jashtme kombëtare barbarë, të paditur e të pakulture, frikacake, etj.

Me deklarimet tuaja keni turpëruar të vdekur e të gjallë në dije, moral, në traditë e në kulture. Respekti dhe nderimi ndaj shqiptarëve të vrarë e dëbuar nga shteti grek që ka kryer gjenocid për pastrim etnik në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim, nuk është vetëm detyrim kushtetues që ju keni si kryeministër, por për të vrarët është edhe detyrim moral, tradicional e njerëzor, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për grekët e mbarë njerëzimin.

Keni menduar dhe folur keq, prandaj duhet të reflektoni sa me parë, sepse deklarimet e papërgjegjshme që ju keni bërë, dëmtojnë interesat tona kombëtare dhe nga ana tjetër nuk sjellin klimë të favorshme dhe as përmirësojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka kaluar me shume se një shekull Z. Rama, kur janë kryer këto krime nga ushtria greke e udhëhequr nga homologu juaj i asaj kohe, Elefteros Venizellos, i cili kur e pa se po dështonte në rrugën diplomatike për marrjen e Vorio Epirit, vendosi t’i dëboje dhe t’i asgjësoje me çdo kusht shqiptarët e këtyre trevave pa dallim; myslimanë dhe të krishterë, që nuk pranonin se ishin grekë.

Venizellos, kryeministri i Greqisë, i etur për të gllabëruar sa më shumë territore për realizimin e ëndrrës së “Megaliideas”, në vitet 1913-1914, përdori me efikasitet diplomacinë, kartën e aleancës me grupin e Antantës, shfrytëzoi lidhjet me shtetet e tjera dhe gjendjen kaotike që solli lufta Ballkanike dhe veçanërisht situatën e pasigurt të asaj kohe në Shqipëri.

Venizellos, disa vite mbasi kishte kryer krimet maka bre në Shqipërinë Juglindore, në Konferencën e Paqes më 24 shkurt të vitit 1919 (dosje nr. 5) ndër të tjera lidhur me këto krime do të shprehej; “Vrasjet e 15.000 shqiptareve myslimanë, janë bërë nga elementet violentë të krishterë….”! Pra Venizellos pranon botërisht se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë, civile të pa fajshëm, shifër e cila në realitet është rreth 50. 000 mije.

Nga burime të sigurta është vërtetuar dhe bie poshtë teza se këto krime i kryen të krishterët shqiptarë, të ndihmuar nga ish- të burgosurit e Kretës. Qeveria e Venizellosit, për t’i shpëtuar akuzave që mund të ngriheshin ndaj Greqisë, për krime kundër njerëzimit, investoi dhe manipuloi të vërtetën duke ia paraqitur opinionit ndërkombëtar botëror sfidën, se shqiptarët janë vrarë mes tyre dhe nga kriminelë grekë të pa kontrolluar. Kjo legjendë, që edhe sot serviret si arsye për justifikim, fatkeqësisht është “ngrënë” nga të gjithë syleshët tanë pushtetarë.

Çka thotë Venizellos asgjë nuk është korrekt, sepse është vërtetuar me prova të sigurta, dëshmi dhe me dokumente se ushtria e Greqisë, pas tërheqjes së detyruar nga ndërkombëtarët, që ajo bëri nga tokat shqiptare në vitin 1913, u rikthye përsëri në tokat tona në janar të vitit 1914, por ketë herë ushtria e rregullt greke, ishte e veshur me uniforma civile dhe e shoqëruar edhe nga priftërinjtë e kishës greke të cilët, ishin pjesëmarrës aktivë në këto krime.

Krahas armatimit personal ushtarët grekë ishin të pajisur edhe me mjete të dhunshme fizike, si kama, hanxharë, thika etj., për të masakruar e vrarë barbarisht popullsinë civile, për të mbjellë tmerr dhe frikë tek shqiptarët me qëllim që ato familje që kishin ikur nga shtëpitë ku jetonin, të mos ktheheshin më. Njëkohësisht qeveria Venizellos para ndërkombëtarëve do të justifikonte se këto krime janë kryer nga persona civilë dhe jo nga ushtria greke. Kështu grekët e realizuan gjenocidin dhe e manipuluan atë për t’ju shmangur gjykimit të drejtësisë dhe turpit në arenën botërore.

Ky “sukses” i grekëve fatkeqësisht është ndihmuar edhe nga vetë shteti dhe qeveritë shqiptare, të cilët për të qëndruar në pushtet të zhytur e të baltosur në injorance e tradhti, na kanë turpëruar si komb për një shekull të terë, duke harruar të vrarët dhe u kanë dhëne lavdi krimineleve dhe shtetit grek. Ndër kohë, krimet që ushtria greke i ka kryer në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914, nga studio prestigjioze ligjore amerikane, angleze, etj., janë klasifikuar “Gjenocid për pastrim etnik”.

E pra i nderuar z. Kryeministër, gjenocidi që ushtria greke kreu ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914, është arsyeja dhe koha kur marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit fqinjësor që ekzistonin me grekët u gjakosën. Në këto vite janë prishur marrëdhëniet ndër vëllazërore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Këtu në vitet 1913-1914, është koha për t’i zgjidhur problemet me Greqinë dhe jo nga viti 1945, siç deklaroni ju. Gjithçka që është bërë e folur mbas këtyre viteve edhe deklaratat tuaja kanë qenë dhe janë një falsitet marrëdhëniesh gjoja të “mira” dy paleshe!

Edhe Gjenocidi ndaj Çamëve nuk ka filluar ne vitin 1945, edhe Ligji i Luftës nuk është arsye veç për Çamët…! Nuk është koha të heshtni z.Rama, si qeveritë e mëparshme. Greket kërkojnë Vorio- Epirin. Në shkollat dhe në ushtrinë greke, në raste festash kombëtare nxënësit e ushtarët, këndojnë këngën e Vorio-Epirit përpara Parlamentit grek, në pllakë guri është gdhendur harta greke që përfshin edhe Vorio Epirin, po ashtu edhe kisha greke me format e saj bekon vazhdimisht çështjen e Vorio-Epirint. Ky është shteti grek që punon dhe investon, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, muaj dhe vite, me pagesa e pensione, me korruptime, me presione, me shantazhe e agjentura.

Ata kërkojnë të ndërtojnë varre në tokën tonë të përgjakur prej tyre, kërkojnë të marrin detin e favore të tjera. Do të përmend një rast qesharak, por që flet shumë për ne shqiptaret, kur grekët guxojnë të thonë; përse Parlamenti i Republikës të Shqipërisë, zgjodhi si nënkryetar të Parlamentit Shqiptar, shqiptarin Shpëtim Idrizi.

Të gjitha këto e shumë veprimtari të tjera antishqiptare të grekëve, kanë vetëm një qëllim; “ëndrrën e vjetër”. Ata guxojnë t’i bëjnë këto deklarime e veprime hapur, pasi shikojnë se në pushtetarët shqiptarë mungojnë ndjenjat kombëtare. Pushtimi i gjatë i Shqipërisë nga Turqia, sidomos shekulli i fundit si dhe fqinjësia kanë favorizuar Greqinë për të na vjedhur e përvetësuar historinë tonë të lashtë kombëtare.

Mbi gjakun e patriotëve shqiptarë që i dhanë Greqisë pavarësinë, grekët ngritën kombin e tyre. Nipërit dhe stërnipërit e arvanitasve, dikur krenarë për origjinën e tyre, sot e kanë për turp të thonë se janë shqiptarë. Edhe pse Ju z.Rama, jeni pak me i ri se unë, të dy jemi shkolluar në të njëjtin regjim, edhe pse profesionet i kemi të ndryshme, kemi patur mundësinë për të mësuar të njëjtën histori për popullin shqiptar, ndaj mua nuk më çudit mungesa e njohurive tuaja për gjenocidin që grekët kanë kryer në Shqipërinë Juglindore, në vitet 1913-1914, pasi ajo nuk është pasqyruar në librat e ‘Historisë së Popullit Shqiptar’ e këtu nuk është faji juaj kur flasim si Edi, pasi edhe unë po të mos isha nga kjo zonë që po flasim, do të isha i paditur si Ju.

Por Edi Rama në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë e, veçanërisht në kohën e favorshme të mandatit tuaj, kur mediat kanë vite që flasin e shkruajnë për ketë gjenocid, edhe në se nuk keni këshilltarë të aftë e të zotë, si kryeministër, vetë JU keni patuar mundësi që të merrnit njohuritë e nevojshme për këto krime e, të urdhëronit fillimin e procedurave për përgatitjen e dosjes të këtij gjenocidi.

Përse z. Kryeministër shteti shqiptar vazhdon të ketë këtë inferioritet ndaj shtetit grek. Keni 26 vjet që të gjitha qeveritë shqiptare i ndjek pararoja e presionit helen, se mos emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, shteti grek do t’i kthejë në Shqipëri.

Emigrantët shqiptarë në Greqi, ndonëse në censurë, kontroll ,trysni fizike dhe mendore të gjithanshme, vazhdojnë të punojnë e të ndërtojnë Greqinë në një kohë kur po humbasin me shpejtësi, pa e kuptuar identitetin, traditat, kulturën, gjuhën e veçanërisht perspektivën e fëmijëve dhe të familjeve të tyre. Ashtu si trajtohen në Greqi emigrantët, po shkojnë drejt injorim- asimilimit, të cilët edhe mbas 50-100–200-300 vjetëve e më shumë, edhe pse kanë marrë pasaporta Greke nuk do të quhen kurrë grekë, por shqiptarë të përbuzur si trashëgiminë breza, siç ka ndodhur edhe me arvanitasit.

Atëherë kurrë nuk është vonë z.Rama, ndaj ju lutem që me autoritetin e Kryeministrit të Shqipërisë, të vini në shërbim të popullit tuaj, ministritë, institucionet, Akademinë e Shkencave, historianë profesionistë për hartimin e dosjes për Gjenocidin që Grekët kanë bërë në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim. Duke vepruar kështu z.Rama do të qetësohemi ne të gjallët dhe do të vini në vend dinjitetin e të parëve tanë që shteti grek ja u ka shkelur duke i dëbuar, torturuar, masakruar, vrarë, djegur të gjallë, përdhunuar e rrëmbyer nënat, motrat e vajzat tona, në shtëpitë tona.

Po ashtu edhe qeveria greke e veçanërisht populli grek, kur të mësojë të vërtetën se të parët e tyre e kanë kryer këtë gjenocid, do të kërkojnë falje, për krimet e do të jenë të gatshëm për të paguar dëmshpërblimin e nevojshëm, në të kundërt dosja le t’i kalojë institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare. Nëse ndodh kështu, autoriteti i shtetit shqiptar, ngrihet në nivelet e fqinjëve dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke do të rivendosen në baza të shëndosha.

Është e nevojshme dhe keni mundësitë z.Rama, të veproni si burrë shteti e nëse kjo nuk ndodh, prapë ju lutem, si piktor që jeni, të bëni një pikturë kushtuar shqiptarëve të vrarë nga gjenocidi grek. Po ashtu edhe pse feja është e ndarë nga politika në Shqipëri, ju lutem që të ndikoni edhe tek kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, të mbajë një meshë për shpirtrat e të vrarëve myslimanë e të krishterë nga ushtria greke dhe veçanërisht për kolegun e tij At. Stath Melanin nga Përmeti, që ushtria greke e vrau vetëm pse ishte shqiptar dhe kokën sipas urdhrit të kishës greke e çuan në Athinë.

Z. Kryeministër, do të kisha dëshirë që nga mërgimi i largët ku jetoj t’ju falënderoja për punë të mirë që po bëni ndaj popullit tonë, por kjo nuk ndodhi. Në këto rrethana duhet t’ju drejtohem institucioneve më të larta kushtetuese të shtetit shqiptar.

Edhe pse unë e di që Presidenti i Republikës të Shqipërisë aktualisht ka kompetenca të kufizuara kushtetuese, edhe pse e di që Parlamenti i Shqipërisë, fatkeqësisht është i kriminalizuar dhe seancat e kuvendit ka vite që janë kthyer në humor, po i shkruaj këto rreshta për të respektuar shtetin tim, për respekt të atyre shpirtrave që nuk prehen të qetë, por edhe për t’i bërë të ditura këto krime, ketë gjenocid që Ushtria Greke ka kryer ndaj të parëve tanë që edhe pse në jemi të pa kënaqur ndaj shtetit dhe qeverisë shqiptare, le të ngelen në kujtesën e mbarë popullit shqiptar, veçanërisht për gjeneratat që do të vinë dhe situatat ndërkombëtare që ndryshojnë aq shpejt.

I nderuar zoti President i Republikës së Shqipërisë, i nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht se problemi për të cilën unë po shkruaj si ngjarje, është më i hershëm se ardhja Juaj në pushtet, ndaj nuk ju kërkoj juve ndonjë përgjegjësi për ketë heshtje, por për pozitën tuaj institucionale e kushtetuese që keni, unë kam të drejtë t’ju pyes: Përse ju heshtni ndaj shkeljeve flagrante të deklaratave të papërgjegjshme partiake, të paraqitura në emër të kombit që bëri ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. D. Bushati në Athinë dhe kryeministri i Shqipërisë z. E. Rama në Kongresin e PDIUS-së.

Jeni edhe ju të pa ditur ose të pa vëmendshëm? Keni gabuar që nuk keni reaguar. Kush ia dha të drejtën Qeverisë shqiptare që t’ju falë grekëve, krimet e gjenocidit që ka bërë ushtria greke ndaj popullsisë së pafajshme civile shqiptare në vitet 1913-1914 dhe në vazhdim në Shqipërinë Juglindore? Ku e gjeti të drejtën qeveria shqiptare që të shkelë mbi gjakun e foshnjave të lindura e të pa lindur, pleqve e plakave, motrave dhe nënave tona shqiptare të masakruara, të djegur të gjallë, të vrarë në shtëpitë e tyre, në tokën tonë amtare? Të dhëmb shpirti kur mëson që nuk kanë as varre për t’i qarë dhe për të vendosur një tufë lule.

Para dy vjetësh në korrik të vitit 2014 në fshatin Panarit të Korçës, Shoqata Atdhetare Kulturore e Trevës së Vakëfeve Korçë, për herë të parë mbas një shekulli mundësoi përkujtimin e 100 vjetorit të Gjenocidit të ushtrisë greke e cila në korrik të vitit 1914 masakroi, vrau e dogji të gjallë 374 pleq, plaka, gra, djem vajza e fëmijë, mbi 100 panaritas të tjerë të dëbuar vdiqën nga uria dhe epidemia që i zuri gjatë rrugës për në ullishtat e Vlorës dhe fshatrat e tjerë, për rreth dhe mbi 200 familje të krishtere dhe myslimanë e lanë vendlindjen fshatin Panarit, duke shkuar në fshatra e qytete të tjera të Shqipërisë, por një pjese e madhe emigroi edhe jashtë shtetit.

Në ketë përkujtimore morën pjesë deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës të Shqipërisë, Arta Dade e Piro Kapurani, Ministri i Bujqësisë të Republikës të Shqipërisë, djali i këtij fshati, Edmond Panariti, përfaqësues të pushtetit lokal, prefekti i Korçës Ardit Konomi, Kryetarja e Qarkut të Korçës Irena Nikaj, Kryetari Komunës Vithkuq Azis Panariti, etj., të cilët janë për t’u përgëzuar pasi ishte hera e parë që të masakruarve të kësaj zone ju “afroheshin” aq shumë pushtetarët shqiptarë.

Por nga filmimet e plota që dy kameramanët e ALBTVUSA-s, A.B. dhe R.H. që i bënë ceremonisë përkujtimore, të lartpërmendurit kanë folur privatisht, me dhimbje ashtu si ata e ndjenin dhe me qenë se kam rastin si bir i atij fshati unë i falënderoj.

Ajo që të bën përshtypje dhe tregon dyfytyrësinë e Shtetit Shqiptar, është fakti se nuk patëm një përshëndetje, fjalë ngushëllimi zyrtare në emër të shtetit dhe të Qeverisë Shqiptare gjë që e prisnin të gjithë të pranishmit. Nuk foli askush që pasardhësit e ekzekutorëve grekë të kërkojnë falje për ketë Gjenocid, nuk foli askush për detyrimet që i dalin shtetit shqiptar që të krijojë dosjen e këtij Gjenocidi dhe të shkruhet drejt e vërteta në ‘Historinë e Popullit Shqiptar’, si pjesë e kësaj historie.

Ju z. Kryeministër, para se të merrnit detyrën jeni shprehur në mediat shqiptare, se një nga arsyet që donit të uleshit në karrigen e Kryeministrit, ishte që të ngelesh në historinë e Shqipërisë, natyrisht për mirë. Por edhe në qoftë se bën keq me atë detyrë që ju keni do të ngeleni në histori.

Po ata të parët tanë njerëz të thjeshtë, bujk e blegtorë, zanatçinj e shtëpiakë, fëmije që kullosnin bagëtinë, që luanin rrugicave të fshatit e që greku i vrau, se kanë pasur fatin, mundësinë dhe komoditetin tuaj që të uleshin në një kolltuk si ai i juaji, ndaj unë ju pyes:

Si mendoni JU z. Kryeministër i Shqipërisë, për cilët duhet të shkruhet në Historinë e Popullit Shqiptar, më parë për 50.000 të vrarë barbarisht nga Gjenocidi grek në Shqipërinë Juglindore, apo për Kryeministrin Edi Rama, gjallë në kolltuk? Z. Rama, është koha ta hapni kapakun e poçes, tija hiqni petën lakrorit grek./ Memorie.al

Scroll to Top