free web tracker Gjergj Kastrioti përball Giovanni Antonio, në letra e në fushbeteje. Dokumenti që na ndihmon të kuptojmë veç te tjerash perceprimin etnik gjatë Mesjetes - Shqipet

Gjergj Kastrioti përball Giovanni Antonio, në letra e në fushbeteje. Dokumenti që na ndihmon të kuptojmë veç te tjerash perceprimin etnik gjatë Mesjetes

Elis Buba/ Ngjyrosja forcërisht me tone nacionale e antikitetit dhe mesjetes

Është tradicionalisht interesante të shihet se si në rajonin tonë, të Europës Juglindore, pagëzuar si Ballkan, kontapuntat e ndeshjeve të brirëve të jenë në rend të ditës. I atille është ushqimi, e sidomos pijet, që të shtinë të jesh shumë pasionant. Por më interesante mes ushqimeve që i ofrojmë vetes nuk janë ato që mbushin stomakun, por mendjen dhe shpirtin. Përqark nesh popujt i kane ushqyer me një lloj “hime” a “tërshëre proverbiale ose idiomike”, që e nxeh edhe më tej këtë joshjen për të mprehur e më tej ndeshur brirët e përbëre me material të kalcifikuar shovinizmi. Ndaj edhe popuj të tjerë europianë, herë pas here lënë gallatat e tyre lokale mënjane dhe mbajne sehir nga Ballkani, për të qeshur nga pak. Kjo është edhe më e thjeshtë tashmë, pasi rrjetet sociale jane si një sy i vogel magjik, në dyert tona, por jo nga ata që shohin jashte dere, por nga ata sy që ndihmojnë mysafirët të hedhin një sy brenda shtëpisë.

Le ta konkretizojme pak biseden për aq sa mundemi. Nëse para 100 e kusur vitesh duart e fqinjëve zgjateshin diplomatikisht, teologjikisht e ushtarakisht ndaj trojeve shqiptare, sot vëmë re se këto duar, që përpos trojeve kane zaptuar edhe pjesë të majme nga kultura dhe etnografia jonë, të lakmojnë edhe pjesë nga antikiteti, mesjeta dhe nga identiteti, ose nga imazhe dhe simbole që na qëndrojnë përtej DNA-së edhe në vetëdijen kombëtare. Sa për shembull mund të hasim nëpër rrjetet sociale dhe blogje anonime arsyetime mbi greqizimin e Ali Pashë Tepelenës – Luanit të Janinës, greqizimin e vetë Janinës, Çamerisë e më tej. Po ashtu fare kollaj hasim në greqizimin tashmë të ngurtësuar politikisht të Marko Boçarit, Bubulinës apo Teodor Kollokotronit. Por nuk ndalojmë me kaq, nga veriu na vijnë “lajme” edhe më të çuditshme të bazuara në avull ultranacionalist, që mëtojnë të serbëzojnë kulturën e Vinçës, Ilirinë, rrjedhimisht Kostandinin e Madh, Justinianin, Dioklecianin, Klaudin etj., sllavomaqedonët e sotëm kanë kapluar pindarikisht idenë e prejardhjes nga Aleksandri i Madh, sakaq që shqiptarët në Maqedoni duke qenë myslimanë i identifikojnë me turqit. Por edhe mesjetën e serbizojnë forcërisht, Topiajt, Balshajt, Tribaltet, dhe vetë Kastriotët. Kemi qeshur por edhe kemi qarë me këto hamendësime, pasi numerikisht ne si shqiptarë edhe i humbim betejat në rrjetet sociale pasi jemi popull i vogël e tashme i tkurrur në numër, por edhe me i tkurrur në vetëdije kombëtare dhe edhe më tej i tkurrur në dashuri për rrënjët tona. Kështu që besimi se mitologjia ose propaganda shndërohet në histori është duke pësuar një rritje eksponenciale.

Letërkëmbimi nervoz i një mbreti me një princ

Dua të marr në shqyrtim një dokument mjaft domethënës, të cituar me gërma të mëdha e kapitale edhe në Muzeun e Skënderbeut në Krujë. Fjala është për letërkëmbimin e Gjergj Kastriotit me Princin e Tarantos, Giovanni Antonio. Në Muzeun e bukur në Krujë e gjejmë të ngushtuar këtë letërkëmbim, duke u kënaqur vetëm me përgjigjen e Gjergjit, që identifikohet me shqiptarët e Shqipërinë, por edhe me Epirin e Maqedoninë përmes Pirros dhe Aleksandrit. Në fakt letra e Heroit tonë Kombetar, ruajtur në Librin VI të Komentarëve të Papa Piut II 1463, është një kundërpërgjigje ndaj letrës po kaq të tensionuar të Princit Italian. Ne letrën e tij zoteria nga Taranto bën një diferencim po kaq interesant mes shqiptarëve, turqëve dhe sidomos grekëve. Fjalë që në analizën më sipërfaqësore ndihmojnë masivisht për të kuptuar ndasitë e qarta gati-kombëtare mes të gjithë të lartpërmendurve. Dhe kjo ka një domethënie të fortë nga ana atropologjike, etnike dhe historike, për të heshtur gojët shoviniste e qetësuar me fashitje argumentuese të gjithë plagët e sedrës kombëtare, që krijohen kur na e shndërrojnë Gjergj Kastriotin në grek ose serb.

Më posht do bashkëngjisim tekstin në shqip të letërkëmbimit, fillimisht kundërpërgjigjen e njohur të Heroit tonë, më pas arsyen e kësaj kundërpërgjigje, që është fyerja që i bën Princi i huaj, për popullin shqiptar.

Përgjigja e Skënderbeut

Në letrën e tij, Skënderbeu i përgjigjet me forcë fyerjeve të Princit të Tarantos, duke vënë në dukje prejardhjen e shqiptarëve nga epirotët dhe maqedonasit:

“Për më tepër, ju përbuzni popullin tonë, duke pretenduar se shqiptarët nuk janë asgjë më shumë se dele dhe sipas zakoneve tuaja na konsideroni vetëm me fyerje. Duket se nuk dini asgjë për origjinën e racës sonë. Të parët tanë ishin epirotët, prej nga doli vetë Pirro, fuqinë e të cilit romakët mezi mundën t’i bënin ballë. Ata epirotët që me armët e tyre u nisën dhe pushtuan Taranton dhe pjesën më të madhe të Italisë.

Nuk ekziston asnjë sfidë për fuqinë e tyre nga tarentinët, një specie e njerëzve të lagësht, të lindur vetëm për të kapur peshk.

Dhe duke qenë se ju e shpallni Shqipërinë pjesë të Maqedonisë, ju dhuroni edhe të parët tanë si fisnikë që shkuan deri në Indi me Aleksandrin e Madh, duke mundur të gjithë popujt që u dolën para me shumë lehtësi.” (31 Tetor 1460)

Letra fyese e Giovanni Antonios

Në anën tjetër, Princi i Tarantos përdor një gjuhë provokuese dhe përçmuese ndaj shqiptarëve:

Po nga i njëjti vëllim lexojmë se Giovanni Antonio, Princi i Tarantos, i dërgon përshëndetjet e tij Gjergj Shqiptarit

“E megjithatë ju e keni kthyer shpatën kundër Frankëve, të cilëve me të drejtë u përket Mbretëria e Siçilisë. Ndoshta keni shpresuar se këtu do të gjenit turq të femëruar, ose grekë të paaftë për luftë, saqë jeni mësuar të largoheni para se t’i goditni në shpinë. Këtu do të gjeni një racë tjetër burrash. Sado tmerr të ngjall fytyra jote, asnjë nga burrat e mi nuk do të ikë e nuk do të largohet prej saj, jo, ushtarët e mi do t’ju mundojnë dhe gjaku italik nuk do të dridhet para gjakut shqiptar. Ne e njohim racën tuaj, shqiptarët i konsiderojmë si dele. Është e turpshme të kesh një popull kaq të ulët për armik dhe po te kishe mend nuk do të kishe hyrë në këtë sprovë por do të kishe qëndruar në atdheun tënd.”

Fjalët përballë veprave

Këto sqepitje llafollogjike, tregojnë më shumë se sa mesazhi i drejtpërdrejtë. Dhe sigurisht që nuk mbeti me kaq, pasi shqiptari nuk të lejon të fshihesh pas fjalëve, sado të mëdha. Fjalëve duhet tu qëndrojnë pas vepra. Gjergji e sqaroi në betejë çëshjen e “deleve”, duke e ulur në baltë sqepin e gjelit tarantin.

Në vitin 1462, Gjergj Kastrioti, i mirënjohur ndaj Aragonëve, i erdhi në ndihmë mbretit të Napolit, Ferdinandit I, i cili rrezikonte të humbiste fronin përballë Dukës së Anzhusë dhe Princit të Tarentos.

Fillimisht, Princi i Tarentos i nënvlerësoi si trupat shqiptare ashtu edhe strategjinë e Skënderbeut, por Princi i Matit dhe mbreti i Shqiptarëve iu përgjigj me vendosmëri, fillimisht përmes një letre dhe më pas në fushëbetejë.

Gjatë fushatës në Itali, Skënderbeu arriti një fitore të rëndësishme në betejën e Tranit, përshkoi fushat e Puglias me kalorësinë e tij dhe shkatërroi ushtrinë e Princit të Tarentos. Fitorja vendimtare në Troia i siguroi Ferdinandit I kurorën mbretërore dhe forcoi pozitat e Aragonëve në Napoli. / usalbanianmediagroup

Scroll to Top