Vlerësim i lartë / “ArchDaily” rendit Xhaminë e Ballies në Elbasan në top-pesëshen botërore
Xhamia e Ballies e ndërtuar në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit, e rrafshuar nga regjimi komunist dhe e rindërtuar më 2022, është futur në mesin e pesë objekteve më të bukura të kultit në botë, në listën e platformës “ArchDaily”. Me këtë vlerësim, Elbasani dhe Shqipëria bëhen pjesë e hartës globale të arkitekturës fetare, duke treguar se vepra të tilla nuk janë vetëm një shembull i artit dhe kulturës, por edhe një mundësi për të promovuar më shumë turizmin
Xhamia e Ballies në Elbasan është përzgjedhur si një prej pesë objekteve më të bukura të kultit në botë dhe është nominuar për çmimin prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga “ArchDaily”, një platformë e njohur online në fushën e arkitekturës. Ky vlerësim është një njohje e rëndësishme për arkitekturën bashkëkohore shqiptare, duke e vendosur Elbasanin në hartën globale të arkitekturës, sidomos me objektet e kultit, raportojnë mediat në Shqipëri.
Xhamia e Ballies shquhet për dizajnin e saj inovativ, që ndërthur me mjeshtëri traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë unike për besimtarët dhe vizitorët. Me këtë vlerësim, Elbasani dhe Shqipëria bëhen pjesë e hartës globale të arkitekturës fetare, duke treguar se vepra të tilla nuk janë vetëm një shembull i artit dhe kulturës, por edhe një mundësi për të promovuar më shumë turizmin dhe vlerat historike dhe kulturore të vendit.
“Është një lajm shumë i mirë që gëzon jo vetëm qytetarët e Elbasanit por të gjithë Shqipërisë. Elbasani është qytet me vlera, ka kalanë, xhaminë dhe kishën. Në veçanti kjo xhamia ku jemi sot na bën të gëzuar. Është xhami e vjetër, në themelet e saj edhe pse u shemb nga regjimi komunist por komuniteti mysliman arriti ta rindërtojë. Xhamia e Ballies ka pasur një ecuri të kahershme, dikush kishte dëshirë ta ndërtonte me atë strukturë, por ramë dakord që të ndërtohet mes klasikes dhe modernes. Shpresojmë që ta vizitojnë sa më shumë turistë, shpresojmë të ketë interes në rritje”, citohet të ketë thënë Agim Duka, myftiu i Elbasanit.

Xhamia e Ballies ishte ndërtuar nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit. Regjimi komunist më 1967 urdhëroi prishjen e saj. Në vitin 2022 Xhamia e Ballies u ringrit në të njëjtat themele, por shumë më madhështore se e vjetra. Projekti është realizuar nga “Commonsense Studio” dhe elementi më tërheqës i xhamisë është minarja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ origjinal të saj.
Hartuesit e këtij projekti, sipas shpjegimit janë kujdesur që të ndërthurin elemente të arkitekturës moderne me traditën shpirtërore të besimit islam. Dizajn inovativ kombinon mjeshtërisht traditën islame duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese.
“Xhamia e Ballies ka pasur në thelb një përqasje arkitektonike për një hapësirë frymëzuese për besimtarët në zhvillimin e marrëdhënies së tyre me Zotin. Koha është një koncept shumë i rëndësishëm në besimin islam dhe kjo ka qenë një nga pikat tona thelbësore në zhvillimin e të gjithë konceptit. Kemi dashur të interpretojmë kohën nëpërmjet disa elementeve të saj si drita që hyn në hapësirën e faljes, si tregues i kalimit të kohës dhe një ftesë për të kuptuar veten në raport me kohën”, citohet të ketë thënë arkitekti Jurtij Hajro. Sipas tij, dimensionin e kohës kanë synuar ta tregojnë edhe në materialet që formësojnë xhaminë.
“Për shembull përdorimi i bakrit i cili me kalimin e kohës kthehet në një material më dinjitoz apo në përdorimin e gurit e drurit, të cilët e ruajnë dinjitetin me kohën dhe kanë jetëgjatësi. Këto koncepte mendoj kanë ndikuar në përzgjedhjen ndër pesë më të mirat në kategorinë e objekteve të kultit”, ka thënë Hajro.