free web tracker Shqiptarët në veprën e Dimitri Kantemir! Si i njohu arnautët e kryeqytetit osman princi i Moldavisë, i cili jetoi për gati dy dekada në Kostandinopojë - Shqipet

Shqiptarët në veprën e Dimitri Kantemir! Si i njohu arnautët e kryeqytetit osman princi i Moldavisë, i cili jetoi për gati dy dekada në Kostandinopojë

Një dëshmi e rëndësishme për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve të viteve 1700 na vjen nga dijetari rumun (moldav) Dimitrie Kantemir, 1673- 1723, princ i Moldavisë në vitet 1700-1710, i cili jetoi për gati dy dekada në Kostandinopojë (Stamboll) ku pati mundësi të njohë personalisht arnautët (arbëreshët) e kryeqytetit osman.

Principata e Moldavisë gjatë shekujve XV-XVII e ndoshta më vonë, është udhëhequr nga princër me origjinë shqiptare, si kemi folur në shkrime të tjera, çka përbën një arsye tjetër të interesimit të Kantemirit për shqiptarët e kësaj epoke në Shqipëri dhe në Perandorinë Osmane. Dimitrie Kantemir jep një përcaktim të qartë të konceptit Shqipëri dhe shqiptar, sikurse dëshmon hapësirat gjeografike të banuara nga popullsia shqiptare, në një prag kohor ku shkenca evropiane e ballkanike ende nuk qe politizuar dhe helmuar nga ideologjia.

Së pari, autori thekson se turqit Shqipërinë dhe Maqedoninë i quajnë me një emër të përbashkët: Arnaud, domethënë “arnaut”, Shqipëri ose Arbëri, faqe 101. Gjon Kastrioti, mbret i Epirit ose Shqipërisë së Poshtme, gjeti rastin dhe u arratis në Epir. Faqe 100. Termat “epir” dhe “Shqipëri” janë sinonime, ndryshe nga ç’duan t’i japin kuptim shumë studiues të kohëve moderne. “Shqiptarë ose epirotë”, faqe 245. Në vitin 1447, sulltan Murati drejtoi armët kundër Kastriot Skënderbeut, shkretoi Greqinë dhe Shqipërinë, hyri në More. Skënderbeu jo vetëm theu betimin ndaj sulltanit, por hoqi dorë dhe nga feja muhamedane.

Kjo fyerje e dyfishtë e xhindosi sulltanin sa shkatërroi të gjitha kishat e Arnaud-it (Shqipërisë), duke i kthyer në xhami dhe duke vrarë mijëra epirotë (shqiptarë). Kjo fushatë gjakatare bëri që shumë banorë të ndërrojnë fenë dhe të hyjnë në rrugën e islamizimit. Faqe 91. Në vitin 1465, shqiptarët shpërthyen përsëri në kryengritje dhe sulltani vendosi të shtypë vatrat kryengritëse dhe të shkatërrojë fortesat e tyre. Faqe 109. Shqiptarët nga të krishterë u bënë muhamedanë dhe përhapën supersticionet madje dhe në radhët e turqve. Ata hoqën dorë nga çdo punë mendore, megjithatë ata që merren me disa lloje artesh, kanë shënuar përparime të dukshme. Talenti i tyre shkëlqen sidomos në dy mjeshtëri: në ndërtimin e akuadukëve dhe në mjekësi. Akuadukët e Kostandinopojës kanë dalë nga duart e tyre. Shqiptarët nuk dinë matematikë, as të masin largësitë e lartësitë, por ia kalojnë dhe gjeometrit me përvojë në matjen e sasisë dhe cilësisë së ujit të akuadukëve.

Po kështu, ata praktikojnë me mjeshtëri të rrallë mjekësinë popullore, sidomos jakitë për ngjitjen e eshtrave e kockave të thyera. Kam parë me sytë e mi një ndërhyrje të tillë në Kostandinopojë. Terapia zgjat dhjetë ditë dhe për shërimin e plagës përdorin të bardhën e vezës. Faqe 229-230. Në vitet 1530 në Kostandinopojë u grabit shtëpia e një të krishteri, e cila ishte afër shtëpisë së sulltan Selimit. Ngjarja bëri bujë, të dëmtuarit iu ankuan sulltanit. Grabitja ishte vepër e shqiptarëve, por meqenëse nuk dihej emri i fajtorit, pasi vjedhja qe bërë në grup, sulltani urdhëroi kapjen dhe vrasjen e të gjithë shqiptarëve që ndodheshin në Kostandinopojë, qofshin me banim, qofshin si udhëtarë. Ata që u kapën u masakruan pa mëshirë. Faqe 198.

KRAHINA E VLORËS, HIMARA DHE AJAS PASHA

“Avlonia”, Vlora, vend i Shqipërisë, të cilin së bashku me Epirin, turqit e përfshijnë në një emër të përbashkët: Arnaud, domethënë Shqipëri. Avlonia është e detyruar të mobilizojë 8000 trupa për çdo fushatë ushtarake osmane. Shqiptarët janë ushtarë të shkëlqyer, dinë të qëllojnë mirë me pushkë, sa bëjnë eksperimente me një kokërr veze ose molle, duke e vendosur mbi kokën e një të afërmi, duke e marrë në shenjë dhe qëlluar pa shkaktuar asnjë rrezik për jetën e tyre. Fushata e sulltan Sulejmanit në krahinën e Vlorës u drejtua nga Lutfi Pasha, i cili pasoi Ibrahim Pashën në detyrën e vezirit të madh të Turqisë. Sulltan Sulejmani në këtë fushatë mori me vete dhe djemtë e tij, Mustafan dhe Muhametin, për të ndëshkuar popullin e Arnautit, i cili kishte shkaktuar mjaft trazira. Krahina e Avlonisë, i kishte hapur shumë probleme perandorisë dhe sulltani vendosi t’i ndëshkojë shqiptarët e kësaj krahine, por një patriot i tyre, Ajas Pasha, ndërmjetësoi për ta zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore, duke shmangur kështu gjakderdhjen.

Sulltani nxori dekretin për shpalljen e kësaj krahine (Himarës) autonome me vetëqeverisje lokale. Faqe 203-204. Studiuesi bashkëkohor spanjoll, Floristan Imiszcoz, në një artikull të botuar në revistën e studimeve bizantine “Eryethei”, viti 1991/1, jep këtë informacion me vlerë për Ajas Pashën: Ajas Pasha, alias Iliaz Pasha, me kombësi shqiptare, është nga Palasa e Himarës. Në vitin 1518 ai u konvertua në mysliman në këmbim të emërimit nga autoritetet osmane “princ” i krahinës së Bregdetit. Një relacion venedikas shënon se Elias Baja Pasha nga Himara është një njeri pa tru (uomo di pocco cervello). Emri i fshatit të sotëm Ilias sipas gjasave buron nga emri i këtij renegati. Qyteti i Durrësit, dikur quhej Dyrrakium, ndodhet midis Shqipërisë dhe Dalmacisë buzë detit Adriatik, qyteti më i famshëm tregtar i gjithë Rumelisë (Turqisë Evropiane). Faqe 122.

HAXHI BEKTASHI DHE URDHRI I DERVISHËVE

Themeluesi i urdhrit të dervishëve është Haxhi Bektashi, të cilët sot quhen bektashinj. Sulltani u dha atyre një ushtri të formuar me ushtarë të zënë rob, por një sheik këtë milici e pagëzoi me emrin “jeniçerë”. Shumë shpejt, kjo trupë arriti suksese të mëdha, në vitin 1365 korri fitore në Batha të Azisë dhe në Zagara (Zagora) e Gumurzhina të Bullgarisë. Andronik Paleologu, perandor i Bizantit, kur vuri re fuqinë e kësaj ushtrie, iu lut sulltanit që ta ndihmonte për të nënshtruar bullgarët e ngritur në luftë.

Sulltani e pranoi këtë kërkesë dhe nisi me mision Lala Shahinin në krye të jeniçerëve. Perandoria osmane po zgjerohej përditë e më tepër, Lala Shahin u bë zot i Iskenderisë, Darmes (Dramës), Kavallës dhe pothuaj të gjithë Arbërisë (Arnaud), me një fjalë Maqedonia dhe Shqipëria morën ligjin e fitimtarit. Bëhet fjalë për vitet 1386. Turqit morën Zihnën në Thesali, Karaferinë dhe qytetin e Manastirit. Faqe 35.

Shkruajti: ILIR CENOLLARI

Scroll to Top