DOSSIER – U pushkatuan 26 orë e 10 min para vdekjes së diktatorit Hoxha, fati tragjik i muzikantit shkodran Gaspër Çurçia
E martë, ora 24 : 00, 9 prill 1985. Ky është momenti kur koha ka ndalur për dy të dënuarit e dosjes së falsifikimit të biletave të trenit, muzikantit Gasper Çurçia dhe inxhinierit Shkëlzen Doçi. Ishte mesnatë, bënte shumë ftohtë, një acar i pazakontë që vetëm 26 orë e 10 minuta më pas, në orën 02:10 të datës 11 prill, do i merrte jetën diktatorit komunist të vendit, Enver Hoxha. Edhe pse dy nga të pushkatuarit e asaj nate, në fjalën e fundit, mes të tjerave, do kërkonin zgjatjen e jetës së tij.
Një hetues, një prokuror, përgjegjësi i forcave, një mjek dhe një sekretar, ishin njerëzit e ngarkuar me detyrën e rëndë të pushkatimit në mesnatë të dy të dënuarve me vdekje. Ata ishin marrë nga një togë policësh një orë më parë nga burgu dhe sjellë në fshehtësi të plotë, aty, pranë gropës së varrit të përbashkët. Një varri të gërmuar gjatë ditës fund e krye në një formacion shtufi, një varri të fshehtë, piketuar në rrëzë të malit Dajt, pak përmbi ish-repartin e Batalionit të Sigurimit, (Reparti 324), që duket duhet të shërbente edhe si rojë.
Të dënuarit e lidhur me tel i ulin në rrëzë të gropës, si për t’i përshtatur edhe më shumë me atë që i pret. Ata psherëtijnë. Ata ofshajnë. Sepse shpirti në brendësi të qenies proteston. Nuk pajtohet me atë që mendon se do ndodhë pak çaste me pas. Dikur çastet reshtin. Prokurori u afrohet të dënuarve dhe nën dritën e një elektriku dore lexon refuzimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. Pastaj u drejtohet njerëzve me këmbët që u varen në grope, për fjalën e fundit. Ca më tej, një sekretar mban shënim gjithë procedurën, duke përdorur për ndriçim një fener.
Të nesërmen, një nga pjesëtarët e këtij grupi, do të vlerësonte përpikërinë e procesverbalit me fjalët e fundit të së dënuarve. Do e vlerësonte në kohën kur, pasi e kishin daktilografuar, ia kishin vënë përpara për firmë. Ja përmbajtja që ai kishte lexuar:
SEKRET
Ekzemplar nr: 5
Tiranë, më 9.4.1985
PROCES – VERBAL
I mbajtur në qytetin e Tiranës, në datën 9.4.1985 nga unë përgjegjësi i forcave të policisë I. Shtylla, në prani të ndihmës Prokurorit të rrethit D. Skëndo, hetuesit të çështjes R. Icka, mjekut Dh. Stefani dhe sekretarit D. Mata për zbatimin e vendimit nr. 75 datë 20.2.1985 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, dhënë për dënimin me vdekje të, Gjon Ndok Jaku, kërkesa e të cilit u refuzua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, dhe vendimi nr. 97 datë 6.3.1985 të gjykatës së rrethit Tiranë dhënë për dënimin me vdekje të, Shkëlzen Maxhun Doçit dhe Gasper Mark Çurçia, kërkesa e të cilëve u refuzua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ekzekutimi i këtij vendimi u krye në përputhje me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme nr. 530/1, datë 8.4.1985.
Para se të bëhet pushkatimi të dënuarve, ndihmës Prokurori, u njoftoi se vendimin e Gjykatës, Presidiumi i Kuvendit Popullor, e la në fuqi, pastaj kërkoi të shprehin fjalën e fundit.
Gjok Ndok Jaku:“Jam djalë i ri 26 vjeçar, jetën ia kam falë Partisë, të rrojë Partia, të rrojë Shoku Enver Hoxha, lavdi Marksizëm-Leninizmit, nuk më ka faj kush se kam bërë faj vetë”.
Shkëlzen Maxhum Doçi:“Të rrojë Partia dhe Shoku Enver Hoxha, prindërit a i kam të gjallë, për nënën Lirie po më thahet shpirti që s’e kam parë, po iki për një femër”.
Gasper Mark Çurçia:“Të kini mëshirë për fëmijët e mi, po më pushkatoni për njëzet mijë lekë”.
Mbas ekzekutimit, u vërtetua vdekja nga mjeku dhe u bë varrimi.
Procesverbali mbasi u lexua firmoset nga të pranishmit.
(Emrat dhe firmat).
Lista e përfituesve nga shitja e biletat false
- Bukurie Gjeçi 215 mijë lekë
- Shkëlzen Doçi 116 mijë lekë
- Gasper Çurçia 40 mijë lekë
- Erebara 11 mijë lekë
- Shefqeti 4 mijë lekë
- Vasho 2 mijë lekë
- Sadkaj 1 mijë lekë
- Koxhaxhiku 1 mijë lekë
(Shuma totale, prej 475 mijë lekësh, plotësohej me shumën 81 mijë lekë të biletave të pashitura)
Vendimet e Gjykatës për dënimin e të pandehurve
Bukurie Gjeçi:
Gjykata vendosi të deklarojë fajtore të pandehurën Bukurie Gjeçi, për krimin e falsifikimit të letrave me vlerë, në grup të organizuar dhe në përpjesëtime të mëdha në shumën 475 mijë lekë dhe në bazë të nenit 76/II të Kodit Penal e dënon me “VDEKJE”, ekzekutim me pushkatim si dhe heqjen e të drejtave të zgjedhjes për 3 vjet kohë në bazë të nenit 25 të Kodit Penal.
Të deklarojë fajtore të pandehurën Gjeçi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në përpjestime të mëdha në shumë 220 mijë lekë dhe në bazë të nenit 62 të KP, e dënon me 25 vjet heqje lirie.
Përfundimisht duke bërë bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 35 të KP, e dënon të pandehurën Bukurie Gjeçi me “VDEKJE” me pushkatim dhe heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 3 vjet kohë.
Shkëlzen Doçi:
Gjykata vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin Shkëlzen Doçi për krimin e falsifikimit të letrave me vlerë në grup të organizuar dhe në përpjesëtime të mëdha në shumën 192 mijë lekë dhe në bazë të nenit 76/II të Kodit Penal, në kombinim me nenin 25, e dënon me “VDEKJE”, ekzekutim me pushkatim dhe heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 3 vjet kohë.
Të deklarojë fajtor të pandehurin, Shkëlzen Doçi, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të KP, e dënon me 8 vjet heqje lirie.
Të deklarojë fajtor të pandehurin. Shkëlzen Doçi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në shumën 166 lekë dhe në bazë të nenit 63 të Kodit Penal, e dënon me 4 muaj heqje lirie.
Të deklarojë fajtor të pandehurin, Shkëlzen Doçi, për krimin e shkeljes së dispozitave mbi arin dhe valutën në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 77 dhe shkronja “a” dhe “b” të nenit 31 të KP, e dënon me 1 vit heqje lirie.
Të deklarojë fajtor të pandehurin, Shkëlzen Doçi, për krimin e shpërdorimit të detyrës dhe në bazë të nenit 106 të KP e dënon me një vit heqje lirie.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Shkëlzen Doçi, me “VDEKJE” me pushkatim dhe heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 3 vjet kohë.
Gasper Çurçia:
Gjykata vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin, Gasper Çurçia, për krimin e falsifikimit të letrave me vlerë në grup të organizuar dhe në përpjesëtime të mëdha, në shumën 253 mijë lekë dhe në bazë të nenit 76/II dhe 25 të Kodit Penal, e dënon me “VDEKJE”, me pushkatim dhe heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 3 vjet kohë.
Propozimi special i Gjykatës: Të dekorohen ata që zbuluan biletat false
Në ato kohëra, shteti i ndante njerëzit si me thikë. Për në mes tyre, kishte edhe të këqij, që duheshin groposur, që të vinin mend të gjithë të tjerët, por edhe të mirë, që duheshin lavdëruar publikisht, që të shtonin përpjekjet e tyre, për të kontribuuar në të njëjtën linjë të diktimit të gjithçkaje që duhej bërë, për jetë zgjatjen e sistemit.
Kështu krejt habitshëm, pas dhënies së vendimeve për pushkatim të tre të akuzuarve për çështjen e falsifikimit të biletave të trenit, Bukurie Gjeçit (fatmirësisht e falur nga Presidiumi i Kuvendit Popullor), Shkëlzen Doçit e Gasper Çurçisë, Gjykata e Tiranës, ka përpiluar edhe një tjetër vendim të quajtur “të veçantë”.
Një vendim të dytë, me tre faqe, që në fund të tij, kishte rekomandimet për dekorim të fatorinove të trenit dhe të një dispeçeri, që zbuluan biletat e falsifikuara.
Vendimi që ka të njëjtën datë, 6 mars 1985, me atë të dënimit të dhjetë të akuzuarve, të dosjes së falsifikimit të biletave të trenit, është dhënë po nga të njëjtët anëtarë të trupit gjykues.
Në dokumentin e këtij vendimi të veçantë, thuhet pak a shumë se: pasi u shqyrtua në seancë gjyqësore me dyer të hapura, çështja penale në ngarkim të 10-të të pandehurve të akuzuar për falsifikimin e biletave të trenit, pasi u studiuan materialet, gjykata ka vërejtur se; në këtë çështje ka edhe të tjera probleme për të zgjidhur.
Se ka të tjerë njerëz që duhet të paguajnë për mosrespektim të rregullave në punë, por edhe se ka edhe të tjerë njerëz të cilët nga ana tjetër, duhet të dekorohen për punë të mirë. Pasi bën një ekspoze të dy grupeve dhe dy mënyrave të tyre, për të përfituar me anë të biletave false të trenit, gjykata, nis të vlerësojë punën e faturinove që zbuluan gjithçka.
Nëpër radhët e vendimit
“Aktiviteti kriminal i të pandehurës Bukurie dhe të pandehurve të tjerë u ndërpre në sajë të vigjilencës që tregoi faturinua L. Dukeli, kryetares së trenit S. Çekreku dhe Xh. Beshnunit, dispeçer të Stacionit Hekurudhor të Shkodrës, të cilët gjatë kontrollit, konstatuan dhe zbuluan biletat e falsifikuara të vëna në qarkullim dhe e bënë këtë problem, në organet përkatëse dhe pas disa ditëve, të pandehurit u arrestuan dhe u zbulua i gjithë aktiviteti i tyre kriminal”, nisin elozhet e gjykatës në drejtim të njerëzve që zbuluan falsifikimin dhe më tej në të njëjtin vendim, rekomandohet që ata të dekorohen dhe jo vetëm.
“Kemi mendimin se, qëndrimi vigjilent i këtyre të tre punonjësve, në zbulimin e këtij grupi falsifikatorësh, jo vetëm që bëhet i njohur në të gjithë punonjësit e sektorit të hekurudhës, por Drejtoria e Hekurudhës Durrës, rekomandohet, që: të bëjë propozimet përkatëse, për dekorimin e të tre punonjësve të mësipërm, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor”.
Por gjykata me anë të këtij vendimi të veçantë, nuk ka bërë vetëm propozime për dekorime. Ajo ka vënë re edhe shpërdorim detyre nga kontrolluesit e punës së shitëseve të biletave të trenit, apo inventarizuesit e tyre. Nga ana tjetër, gjykata ka zbuluar edhe mënyrën se si shitësja e biletave, Bukurie Gjeçi, ka mundur të mbulojë veprimtarinë e saj, duke bashkëpunuar me një kolege, nga e cila ka marrë bileta të pashitura, për të zëvendësuar mungesat e të hollave në arkë, në momentet e inventarëve.
“Nga hetimi gjyqësor, ka rezultuar gjithashtu, se; kontrolli i financës nga dega e Stacionit të Tiranës në shitëset e biletave, ka qenë shumë i përciptë dhe nuk ka zbuluar diferencat e mëdha që kishte e pandehura Bukurie Gjeçi, si rezultat i përvetësimeve të pasurisë socialiste, në përpjesëtime të mëdha. Kontrollet nuk janë bërë konform rregullave, ato bëheshin gjithashtu pak ditë, jo në të gjitha shitëset, por në disa prej tyre, sipas radhës.
Mbajtja e kasafortave të biletave të çdo shitëseje, në një kasafortë të vetme, mosshoqërimi gjatë inventarit në kasafortë për të parë gjendjen e biletave të pashitura, mundësia e komprometimit, siç ka ndodhur në rastin konkret midis të pandehurës Bukurie Gjeçi dhe shitëses Ruzhdie Rada, ka bërë që ato gjatë inventarëve, të merrnin nga njëra-tjetra bileta, për të zëvendësuar mungesat që kishin në arkë.
Është shqetësues fakti se, të pandehurës Bukurie për vitet 1982 dhe 1983, nuk i është bërë asnjë inventar, nuk i ka tërhequr vëmendjen fakti, pse kjo e pandehur punonte gjithmonë turnin e dytë dhe se derdhjet e lekëve në ndërmarrje, gjatë vitit 1984, kanë qenë më të vogla në krahasim me shitëset e tjera”.
Para se të vijë te vendimi, gjykata e mbyll me rekomandimin se: “Drejtoria e Hekurudhës, duhet të analizojë, të nxjerrë përgjegjësitë e personelit të financës së Stacionit të Tiranës, ta shikojë këtë çështje në shkallë republike dhe të përcaktojë detyra konkrete, në zbatimin e ligjeve mbi administrimin, ruajtjen dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”.
Vendimi
Vendimi i veçantë i gjykatës, përbëhet nga dy pika dhe dy shpjegime. Së pari, ai i rekomandon “Drejtorisë së Hekurudhës në Durrës, për propozim për dekorim, fatorinos L. Dukeli, kryetares së trenit S. Çekerku dhe dispeçerit Xh. Beshnuni, të Stacionit të Trenit Shkodër”.
Së dyti, gjykata rekomandon: “të analizohet përgjegjësia e sektorit të financës të Stacionit të Trenit, lidhur me kontrollet financiare në njësitë e shitjes së biletave dhe të merren masa, për të përcaktuar detyra konkrete për të ushtruar një kontroll sa më efektiv dhe brenda kornizave ligjore”.
Krejt habitshëm, gjykata kërkonte që për këto masa, t’i kthehej përgjigje asaj vetë, brenda muajit. Po kështu në këtë dokument, cilësohej se; kundër vendimit mund të bëhej ankim në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë në Tiranë. /shkodraweb.com/