“Vrisni Vasiliqinë, mos të bjerë në duart e turkut”, kërkesa e Ali Pashës për gruan e tij, para vdekjes! Si u ekzekutua “Luani i Epirit” me urdhër të sulltanit

Vrasja e tij u urdhërua prej sulltanit, i cili i druhej orvatjeve të Ali Pashës për krijimin e një territori të pavarur nga Porta e Lartë. Nën sundimin e Ali Pashës për 40 vjet me radhë (1788-1822) në pashallëkun e Janinës, u shënuan përparime në fushën e ekonomisë, të politikës së jashtme dhe të asaj të brendshme, në konsolidimin e strukturave shtetërore, ushtarake, policore, e po ashtu u korrën fryte edhe në lëmin e arsimit dhe të kulturës. Në mënyrë të veçantë, u zhvillua hovshëm infrastruktura me objekte me karakter e funksion social-kulturor, si biblioteka dhe shkolla, objekte fetare si kisha, xhami, teqe, manastire etj. Gjithashtu, u ngritën edhe objekte të karakterit ushtarak siç ishte akademia ushtarake.

URDHRI

Asgjësimi i tij u urdhërua prej sulltanit, i cili i druhej orvatjeve të Ali Pashës për krijimin e një territori të pavarur nga Porta e Lartë. Në kopjen e dënimit me vdekje (jafta), dalë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, grafikisht të realizuar si një pikë loti, Sulltan Mahmudi II kërkonte që koka e Aliut të shpihej në Stamboll, siç edhe ndodhi. Nën sundimin e Ali Pashës për 40 vjet rresht (1788-1822) në Pashallëkun e Janinës, u shënuan përparime në fushën e ekonomisë, të politikës së jashtme dhe të asaj të brendshme, në konsolidimin e strukturave shtetërore, ushtarake, policore, e po ashtu u korrën fryte edhe në lëmin e arsimit dhe të kulturës. Në mënyrë të veçantë, u zhvillua hovshëm infrastruktura me objekte me karakter e funksion social-kulturor (biblioteka dhe shkolla), fetar (kisha, xhami, teqe, manastire etj), si edhe ushtarak (akademi ushtarake). Sulltani, nuk duronte dot rebelizmin dhe nënshkroi jaftën: T’i pritet koka! Plot 195 vjet më parë u ekzekutua me vdekje Ali Pashë Tepelena. Ishte 24 janar i vitit 1822. Në përkujtim të kësaj dite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një dokument të rrallë që ruhet në këtë institucion. Është pikërisht vendimi për dënimin me vdekje të shqiptarit, që po i sillte shqetësime Portës së Lartë e Sulltanit Mahmut II.

Dokumenti në fjalë, i cili është një kopje e marrë prej arkivave osmane, shoqërohet edhe me një shënim të shkurtër nga ana e DPA-së: “Luani i Epirit u ekzekutua me vdekje më 24 janar të vitit 1822, teksa prej kohësh përpiqej të krijonte territorin e tij të pavarur nga Porta e Lartë. Përmes dokumentit që paraqesim, Sulltani urdhëronte asgjësimin e tij dhe sjelljen e kokës së Aliut në Stamboll, siç edhe ndodhi. Përveç përmbajtjes së dokumentit, i cili do të duhej të merrej nën shqyrtim nga ana e historianëve dhe osmanologëve, një kuriozitet më vete përbën edhe forma e tekstit në dokument, e cila i ngjan një pike loti. Sipas historianëve, një prej arsyeve të zemërimit të Portës së Lartë ndaj tij ishte bashkëpunimi me rebelët grekë, të cilët po përgatisnin kryengritjen e tyre në 1821, por edhe sjellja e tij e pavarur, ambicia për pushtet dhe mosbindja ndaj Sulltanit. Vrasja e tij është përshkruar prej konsullit francez Pukëvil, i cili përshkruan një betejë heroike të Aliut dhe rojeve të tij në shkallët e shtëpisë, në ishullin e liqenit të Janinës. Sipas tij, fjalët e fundit të Aliut ishin për Vasiliqinë.

Aliu kërkoi që rojet e tij besnike të vrisnin Vasiliqinë “që ajo të mos binte në duart e turkut”. Shkrimtari Aleksandër Duma e përshkruan kështu prerjen e kokës së Ali Pashës: “Edhe koka e tij e prerë përçonte akoma një efekt njëherazi të tmerrshëm dhe të mahnitshëm sa ata që e shihnin, mbeteshin të shtangur në vend. Kur Hurshidit ia sollën në një tepsi të madhe prej argjendi, ai u ngrit hopthi për ta marrë, u përkul tri herë përpara saj dhe, me respektin më të madh, i puthi mjekrën, duke shprehur me zë të lartë dëshirën se edhe ai vetë do të dëshironte të meritonte një fund të ngjashëm. Një adhurim i tillë për trimërinë e Aliut i prekte e i frymëzonte kaq shumë këta barbarë sa zhdukeshin nga kujtesa krimet e tij. Hurshidi urdhëroi që koka të parfumohej me esencat aromatike më të kushtueshme. Përpara se ta dërgonte në Stamboll, ai i lejoi shqiptarët t’i bënin nderimet e fundit ish-padronit të tyre”.

JETA

Ali Pasha i njohur edhe si Ali pashë Janina ose Ali pashë Tepelenjoti (1741 ose 1743 – 24 janar 1822) ishte një sundimtar i fuqishëm fisnik shqiptar i Perandorisë Osmane me tendenca autonomiste që shndërroi vilajetin e Janinës në pashallëk. Pinjoll i derës së fisme të Hysove, qe gjyshi i tij Myftar beu (Samiu e quan Ali Pashë me gradë miri miran) që fitoi pozitën më të lartë duke u caktuar dizdar (kështjellar) i Tepelenës; dhe më pas ra rob dhe u var në litar gjatë rrethimit të dytë të Korfuzit. Një nga tre djemtë e Myftar beut, Veli beu mori për grua Esmiha hanëmen nga dera e bejlerëve të Konicës që më pas do të njiheshin si Zenelbejllinjtë, çifti pati një djalë dhe një vajzë, Aliun dhe Shahnisanë. Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena mënjanoi përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe «tiranët e vegjël» si shkaktarë të anarkisë feudale në vend.

Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror, në fakt, autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe shqipja. Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin.

Pashallëku i Janinës u bë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze e ruse që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën. Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij.

POLITIKA

Orvatjet e Ali Pashë Tepelenës për të krijuar në vitet 1812-1819 një besëlidhje me sundimtarët feudalë të Shqipërisë së Veriut e sidomos me Bushatllinjtë me qëllim që të përballonin bashkërisht politikën centraliste të filluar nga Sulltan Mahmuti II, nuk dhanë rezultat. Rivaliteti midis Vezirit të Janinës dhe atij të Shkodrës e shpuri Mustafa Pashë Bushatlliun të merrte haptazi anën e Portës, kur kjo filloi të merrte masa ushtarake kundër qeveritarit të Janinës, që ishte bërë tashmë tepër i rrezikshëm dhe po tregonte haptazi synimet e tij për t’u bërë i pavarur nga Porta. Në vitet 1820-1822 Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë. Ai ndihmoi për këtë qëllim edhe lëvizjet çlirimtare të popujve ballkanas e sidomos kryengritjen e popullit grek, së cilës i dha ndihmë të madhe si në vitet e përgatitjes, ashtu edhe gjatë vitit të parë të zhvillimit të saj. Por aleanca luftarake e lidhur me kryengritësit grekë të Etolisë e Akarnanisë nuk mundi të zhvillohej më tej, ajo u sabotua nga krerët e kësaj lëvizjeje.

Megjithëse forcat e Ali Pashë Tepelenës në këto kushte u ndodhën vetëm përballë ushtrive osmane që u dërguan kundër Pashallëkut të Janinës, Ali Pashë Tepelena i bëri ballë rrethimit për një vit e gjysmë. I braktisur më në fund edhe nga të bijtë dhe sundimtarë të tjerë krahinorë, Ali Pashë Tepelena bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në një ishull të Liqenit të Janinës, u vra më në fund me të pabesë. Politika e Ali Pashë Tepelenës që synonte autonominë dhe bashkimin e krahinave shqiptare nën sundimin e pashallëkut të Janinës, më në fund dhe lufta e tij e hapur kundër sulltanit, e thelluan më tej hendekun midis shqiptarëve dhe sundimtarëve osmanë dhe ndihmuan për të përgatitur truallin për një etapë të re më të lartë të lëvizjes çlirimtare antiosmane të popullit shqiptar për Rilindjen Kombëtare.

Scroll to Top