E FUNDIT/ Rama angazhon ministrin Taulant Balla për t’i ardhur në ndihmë Parashqevi Simakut
Qeveria shqiptare është vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Parashqevi Simaku. Burime pranë Këshillit të Ministrave bëjnë me dije se për të ndjekur këtë rast, është angazhuar Taulant Balla, i cili mban edhe një rol koordinues për diasporën.
Siç mësohet nga Report TV, ministri i Shtetit dhe për Marrëdhëniet me Parlamentin Balla, dhe stafi diplomatik në Nju Jork të SHBA-ve, janë angazhuar për të siguruar dokumente identifikuese për artisten, e cila nuk dispononte asnjë të tillë pas viteve të fundit që i kishte kaluar në gjendje të rënduar.
Burimet pohojnë se në konsullatën shqiptare në Nju Jork është zhvilluar një takim, i cili ka pasur për qëllim ta ndihmojë këngëtaren në dy drejtime: ta pajisë me një pasaportë shqiptare dhe të ndërmjetësojë me shtetin amerikan, për të kuptuar nëse ka dokumentacion që mund të rifreskohet, apo të niset ndonjë procedurë e re për ta pajisur si me dokumente identifikimi, ashtu edhe qëndrimi.
Gjithsesi, sipas informacioneve, ende ky proces është në fazë fillestare dhe nuk ka ndonjë sukses konkret, i cili do të varet specifikisht nga vullneti i Parashqevi Simakut për t’iu përgjigjur autoriteteve shqiptare apo amerikane, kur ato ta kërkojnë në funksion të këtyre procedurave.
Ngjarja doli në pah pas publikimit të një videoje javën e kaluar nga një televizion amerikan, teksa më 13 Dhjetor erdhën reagimet e para, edhe nga të afërmit, se personi në filmim ishte këngëtarja e njohur.