Si u ndalua dokumentari në NBC për të vërtetën e arbëreshëve të Italisë

Një mbrëmje të ftohtë të marsit 2014, së bashku me Dr. Skënder Murtezanin, udhëtuam nga Bronxi drejt Baldwin, një qytezë, e vendosur në pjesën jugore të Long Island – ishullit më të populluar në të gjithë Amerikën – i cili për dendësinë e popullsisë, renditet i 17-ti në Botë. Nëse do të ishte shtet Long Island, do të renditej i 13-ti në Amerikë, në SHBA-pas Virginias. Dendësia e popullsisë është 5402 banorë për një milje katrore (2,086 për km2.). Ishulli ka një popullsi prej 7,740, 208 (Sipas statistikave të 2013-ës), ndërsa qyteza e Baldwin, sipas Censusit prill 2010, regjistronte një popullsi prej 23.455 banorë. Baldwin është një njësi banimi që klasifikohet e pasur; të ardhurat mesatare për çdo familje janë $72.456.

Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe ngjarjet që pasuan pas vitit 1990, ngjallën shpresa edhe tek Dr. Agim Leka. Nisja e ndryshimeve në Shqipëri e gjeti atë të gatshëm për kontribute konkrete. Ai u ndje mirë, kur djali i tij, Donald Leka, ndërmjetësoi për lidhje ndërmjet Shqipërisë dhe shtetit të Oklahomes.

Donald Leka, në pozicionin e kryetarit të Shoqatës Amerikane ‘Sirius Systems Inc’, inicioi bijësimin ndërmjet Universitetit të Oklahomes dhe Universitetit të Tiranës, i pari në historinë e dy kombeve. Dr. Leka së bashku me Donaldin vizituan Universitetin e Oklahomes, së bashku me një delegacion nga Universiteti i Tiranës, duke realizuar lidhjen. Marrëveshja u nënshkrua nga Rolanda Dhimitri, zv/ rektorja e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe pala tjetër.

Më 1992, Dr. Leka së bashku me Joan Fultz Kontos, e bija e profesorit të shquar amerikan, Harry Fultz, (ish-drejtor i Shkollës Teknike të Tiranës e hapur që më 1922), Donald Leka dhe një grup dashamirësisht të Shqipërisë, ndërmjet tyre dhe ambasadori William Kontos, bashkëshorti i Joana Fultz, krijuan Fondacionin Edukativ Shqiptaro-Amerikan ‘Harry Fultz’. Fondacioni u ndihmua financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Fondacioni SOROS. Qëllimi i fondacionit ishte rihapja e Shkollës Teknike ‘Harry Fultz’ në Tiranë. Mijëra studentë e kanë frekuentuar këtë shkollë.

Dr. Leka ishte nënkryetar i Fondacionit deri në 31 Mars 2006. Donald Leka, një nga themeluesit e fondacionit, u emërua drejtor ekzekutiv, pozitë që e mbajti për shtatë vjet, kohë kur u transferua me zonjën e tij, Claire Leka, në New York. Gjithsesi, Dr. Leka ndjehet mirë, që i biri i tij, Donaldi nuk është ndarë nga Shqipëria as sot e kësaj dite. Para pak ditësh ai ishte sërish në Shqipëri, ku media shqiptare e kishte në qendër të vëmendjes.

GJITHË JETËN DUKE MJEKUAR PLAGËT E KOMBIT

Që në rini, Agim Leka ishte i kthjellët në qëndrimin nacionalist. Reagimet e tij janë pjesë e vetëdijes kombëtare. Ishte vetëm 18 vjeç, kur me 5 maj 1942, përktheu dhe botoi librin; “Skandali Cordignano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar”, në gjuhën italiane, me titullin; “Risposta a Cordignano su suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”. Ishte një aventurë e gjatë botimi i këtij libri, që Dr. Leka ma tregon me detaje.

Nuk ishte e lehtë, duheshin kaluar shumë pengesa, sepse në Shqipëri ishin italianët, por ai arriti që ta botonte librin në 2 mijë kopje, përmes Shtypshkronjës ”Kastrioti”. Libri u shoqërua me një parathënie të shkruar nga i riu Agim Leka; “Prefazione e traduzione di Agim Leka (Borshi)”. Ai shpjegonte aty nevojën për botimin e librit në gjuhën italiane, gjatë pushtimit fashist. Punimi në origjinal ishte shkruar me pseudonimin “Nike Barcolla”. Autori i vërtetë ishte kleriku atdhetar, Don Nikollë Mazrreku, që aso kohe ishte ndihmës famullitar, në Famullinë Katolike të Tiranës.

Libri mbronte Kombin shqiptar, kundër një artikulli denigrues përkundrejt Kombit shqiptar, shkruar nga prifti katolik italian, Fulvio Cordignano, i cili pat botuar një punim antishqiptar, në “Rivista d’Albania”, me titull; “L’Albania nella storia e nella vita ossia visione panoramica di un piccolo mondo primitive”. Botimi i priftit fashist shkaktoi indinjatë, ndërkohë që studentët shkodranë, i dorëzuan rektorit të Jezuitëve në Shkodër peticionin, ku kërkonin që At Fulvio Cordignano, të tërhiqte publikisht artikullin, ndërsa grupi i profesorëve të Liceut të Shkodrës, botuan një broshurë me titull; “Cordignano në gjyq para botës”!

Punimi i Don Nikollë Mazrrekut “Skandali Kordignano dhe mbrojtja e Kombit shqiptar”, ishte një përgjigje e merituar. Pas botimit, Don Mazrreku u internua në fshatrat e malësisë, për mënjanuar ndikimin e tij në kryeqytet, ndërsa libri i shkruar në shqip, u sekuestrua me urdhër të Mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanueli, Jakomonit.

Dr. Leka ka qenë përherë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve që kishin të bënin me Shqipërinë. Ja një shembull: Gazeta amerikane ‘The New York Times’ e 7 shtatorit 1957, botoi shkrimin e Dr. Agim Leka (me pseudonimin “Illyricus”) me titull; “Për Lirinë e Shqipërisë, kërkohet një politikë pozitive amerikane, për të nxitur çlirimin nga Sovjetikët”.

Në artikull Dr. Leka shkruante: “Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Amerikës, z. Dulles se; ‘Qeveria amerikane nuk do të pushojë përpjekjet e saja të shoh Shqipërinë të lirë, është e mirëpritur pa dyshim nga shumica e madhe e Kombit shqiptar, e cila e sheh demokracinë amerikane, drejtimin shpirtëror të botës. Atë që shqiptarët duan ta shohin si shtojcë e kësaj deklarate, është një garanci nga z. Dulles, që SHBA-ja nuk do të lejojnë një tjetër shqyerje të Kombit shqiptar, i cili është gjysëm i copëtuar”!

Më 1961, Dr. Leka protestoi në redaksinë e Enciklopedisë Britanike, për jetëshkrimin e gabuar për heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që paraqitej me origjinë serbe. Dr. Leka ishte shqetësuar dhe i kërkoi ndihmë Metropolitanit Fan S. Noli, për të dokumentuar prejardhjen shqiptare të Gjergj Kastriotit. Përgjigja erdhi nag Peshkop Noli me 21 gusht 1961.

Letra shoqërohej me dokumente të botuar në librin e Nolit; “George Kastrioti Scanderbeg”. Dr. Leka i dërgoi dokumentet dhe u korrigjua gabimi. Në ribotimin e vitit 1967, Enciklopedia Britanike botoi, jo më shkrimin me burim serb, por shkrimin jetëshkrues të Tajar Zavalanit, për heroin Kombëtar të Shqiptarëve.

Në bisedë, i kujtoj Dr. Lekës, se; në arkivin e Federatës ‘Vatra’ kam gjetë një kronikë të veprimtarive të organizuara me rastin e 60 vjetorit të gazetës ‘Dielli’, ku morën pjesë edhe arbëreshët e Italisë. Në kronikë shkruhej se në konferencën shkencore, përshkruhej dhe një ligjëratë juaja, për një dokumentar televiziv në NBC. A mund të kujtoni detaje, çfarë përshkruante dokumentari dhe cili ishte reagimi?

Shpjegimi i Dr. Lekës, ishte si vijon:- “Me 29 dhjetor 1968, një vit para se të vinin arbëreshët në ceremonitë madhështore të 60 vjetorit të ‘Diellit’, ishte shfaqur në kanalin NBC dokumentari ‘Sicilia e Rosselinit’. Në dokumentar Rosselini thoshte: ‘Prania greke, akoma ndjehet në Sicili. Ky fshat është ‘Piana Dei grecci’, fjalë për fjalë; ‘Rrafshina e grekëve’. Ndikimi i Greqisë kristiane, duket haptazi këtu: ‘Musolini urdhëroi që emri të ndryshohet në Piana degli albanesi’ (“rrafshina e shqiptarëve”), por kjo nuk e bëri punën. Prapë Piana është akoma greke në dukje dhe zakonet e vjetra mbahen të pa prekura”!

Pas këtij shpjegimi, kur e pyeta zotin Leka, se cili ishte reagimi juaj, ai na tha: “I dërgova një letër të hapur regjisorit italian, Roberto Rosellini, me anë të Kanalit Televiziv NBC, duke i dokumentuar shqiptarësinë e Arbëreshëve dhe i kërkova kanalit televiziv, që ky dokumentar nuk duhej shfaqur më për pasaktësi. Po ashtu, ua dërgova arbëreshëve letërkëmbimin me kanalin televiziv NBC, duke iu kërkuar që të mbronin origjinën e tyre. Reagimi ishte i menjëhershëm, Kanali televiziv ktheu përgjigje, se dokumentari nuk do të shfaqej më. Dhe kështu ndodhi”.

Dr. Leka përherë ka qenë i ndjeshëm ndaj Kombit të vet. Ngjarjet në Kosovë në fundvitet ’60-të, ai i përjetoi me dhimbje. Me 18 janar 1969, Gazeta The New York Times, botoi një letër të gjatë të Dr. Lekës, me titull; “Shqiptarët e Jugosllavisë”. Kjo letër ishte e frymëzuar nga një shkrim që vetë gazeta kishte botuar rreth vrasjes të një djali shqiptar. në demonstratën e 28 nëntorit 1968. në Prishtinë.

Shkëpusim një fragment nga letra në fjalë: “Qeveria Jugosllave mund të fitojë dashamirësinë e Botës së qytetëruar dhe të vetë kosovarëve, po qe se i trajton demonstruesit në mënyrë njerëzore. Gjithashtu, qeveria jugosllave mund të mësojë nga eksperienca amerikane, se demonstratat e zhvilluara në mënyrë paqësore, mund t’u vënë në dukje autoriteteve dhe botës mbarë padrejtësira, të cilat po të ndreqen me kohë, do të mund të ndihmojnë në fuqizimin e shtetit…! Tito duhet t’i japë Kosovës pozitën politike, që sot ajo kërkon…”!

Vëmendjen e Dr. Lekës, e kanë tërhequr edhe lëvizjet e shtetit grek në Jug të Shqipërisë. Nisja e shkrirjes së akujve në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas 31 vjet ngrirje, sollën reagimin e Dr. Lekës.

Në një letër me titull; “Lidhjet e Shqipërisë me Greqinë”, që ‘The New York Times’ e botoi me 17 Korrik 1971, në faqen editoriale, Dr Agim Leka, pasi denonconte politikën absurde dhe kërkesat po absurde të Greqisë mbi Shqipërinë e Jugut, copëtimin e saj, dhe pushtimin e Çamërisë, shkruante: “Konferenca e Paqes së Parisit 1919-‘20, përfundoi me copëtimin e Kombit Shqiptar ndërmjet fqinjëve të saj, duke lejuar pjesë të mëdha të trevave shqiptare, të përvetohen nga shteti Jugosllav dhe shteti Grek”.

Rrallë gjejmë ndonjë intelektual që të ketë reaguar kaq kthjelltësish, si Dr. Leka. Me 12 shkurt 1971, ai i bëri një thirrje shkrimtarit disident jugosllav, Milovan Gjilas, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Broz Titos, të cilit i kërkoi që të ngrinte zërin për lirimin e kolegut shkrimtar, Adem Demaçi.

Detyra e atdhetarit nuk mbaroi këtu; Dr. Leka u lidh me Komitetin për të Drejtat e Njeriut në New York, për të ndihmuar bashkësinë shqiptare në NY, për të grumbulluar e dërguar pako ndihmash për të burgosurit shqiptarë në burgjet jugosllave. Ky Komitet u lidh me Ambasadën amerikane në Beograd, që të ndërmjetësonte për dorëzimin e pakove, tek të burgosurit shqiptarë.

Disa herë Dr. Leka ka reaguar ndaj veprimeve antishqiptare të lobit greko-amerikan. Me 28 janar 1971, ai shkroi kongresistit greko-amerikan Gus Yatron, në lidhje me seancat e Kongresit Amerikan që ai drejtonte, dhe i bënte thirrje që ta ndalonte promovimin e kërkesave shoviniste greke në Shqipëri. Në seanca nuk ishte thirrur asnjë shqiptar, që të mbronte tezën përkundër asaj greke, se në Shqipëri keqpërdorej minoriteti grek.

Janë të njohura sulmet antishqiptare të shkrimtarit dhe ish gazetarit greko-amerikan, Nicholas Gage, kundër Shqipërisë së Jugut. Në një shkrim Gage botoi në Washington Post, më 11 prill 1983 me titull; “Kosova, fuçi baruti”, ku krahasohej Kosova me minoritetin grek në Shqipëri dhe kërkohej nga faktori ndërkombëtar, trajtim i njëllojtë.

Dr. Agim Leka replikoi në maj 1983 dhe me fakte ia hodhi poshtë Gage, krahasimin e pa vend. Janë të njohura edhe reagimet e tij në mbrojtje të Ramush Haradinaj dhe çështjes së drejtësisë të luftës për çlirimin e Kosovës. Shqetësimet për çështjen kombëtare Dr. Leka i ka pasqyruar edhe në shtypin shqiptar, këtu në SHBA-ës dhe në Kosovë. Ja kështu, Dr. Leka, krahas detyrës humane si mjek, ka “mjekuar” dhe plagët e Kombit…@

VLERËSIME

Dr. Agim Leka ndjehet i vlerësuar për çfarë ka bërë në jetë. Po vlerësimi i të tjerëve për të? Ai u ndje shumë i nderuar, kur me 19 mars 2011, Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, organizoi një mbrëmje madhështore, kushtuar përkushtimit të tij prej gjysëm shekulli, në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Vlerat e këtij nderimi i shtoi edhe pjesëmarrja dhe dorëzimi i çmimit që iu akordua prej shoqatës, nga Nobelisti Dr. Ferid Murat, kryetar nderi i shoqatës. Darka u shtrua në klubin prestigjioz të Universitetit të Harvardit.

Në këtë veprimtari vlerësuese kishin ardhur për ta nderuar Dr. Lekën edhe Presidenti i Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, Dr. Peter Karmel dhe drejtori rajonal i Ministrisë Amerikane të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Njerëzore, Dr. Jamie R. Torres, të cilët edhe përshëndetën dhe e përgëzuan Dr. Agim Lekën. Po kështu, Dr. Agim Leka është nderuar edhe në Kongresin Amerikan me 26 Maj 1994, për hapjen e Qendrës Mjekësore Shqiptare.

Një vlerësim të veçantë i ka bërë Dr. Lekës, ‘Mercy Medical Center’ në Rockville, duke e nderuar me motivacionin; “Në mirënjohje të sinqertë dhe vlerësim për shërbim të dalluar, përkushtim dhe dhe angazhim në 40 vjet”. Në prill 2013, Shoqata Mjekësore e Shtetit të New Yorkut, i akordoi Dr. Lekës, një pllakë mirënjohje, më mbishkrim; “Në mirënjohje për 50 vjet përkushtimi, shërbimi ndaj publikut, në ushtrimin e profesionit të mjekut”.

Një vlerësim emocionues i bëri Dr. Lekës në dhjetor të vitit 2006, “Our Lady of Mercy Medical Center”, që shtroi një darkë madhështore dhe i dha mirënjohje me motivacion; “Në vlerësim, urimet më të mira për një jetë të gjatë dhe të lumtur me rastin e mbylljes karrierës profesionale, – nga miqtë dhe kolegët”. Memorie.al

Nga Dalip Greca

Scroll to Top