Do mbeteni pa fjalë/ “Gërdeci”, David Packouz tregon skemën dhe lidhjet me Shkëlzen Berishën dhe zyrtarë të lartë shqiptarë

Në një intervistë të gjatë për ‘Business Insider,’ David Packouz, ish- zëvëndës presidenti i kompanisë Amerikane “AEY”, flet edhe për kontratën që ai dhe ortaku i tij Efraim Diveroli lidhën me qeverinë shqiptare për tregtinë e municoneve.

Ai shpjegon hollësisht se si ka funksionuar i gjithë procesi, që nga fitimi i kontratës me ushtrinë amerikane dhe deri tek mënyra se si funksiononte skema me Shqipërinë. Ndër të tjera, ai përmend takimin e ortakut të tij, Diverolit, për të negociuar një marrëveshje direkte me shqiptarët. Takim, në të cilin ai thotë se ka qenë i pranishëm edhe djali i kryeminstrit të kohës.

Një tjetër moment, në të cilin Packouz ndalet gjatë rrëfimit të tij për ‘Business Insider’ është edhe prishja e kontratës që ata kishin me Kosta Trebickën për ambalazhimin e municoneve, dhe vdekja e tij në rrethana misterioze.

Prodhimi

“Janë dy kalibra kryesorë në të gjithë botën. Dy sisteme të ndryshme armatimesh. Janë armët e Paktit të Varshavës, që prodhoheshin nga ish-republikat sovjetike dhe NATO, që janë armatimet e prodhuara nga aleanca e NATO-s në Perëndim. Dhe armatimet e këtyre sistemeve nuk mund të përshtaten më njëra tjetrën.

SHBA-të nuk prodhojnë armë si ato të Paktit të Varshavës. Ndaj, kur ju duhet të furnizojnë një shtet me armë të tilla, atëherë ju duhet t’iu drejtohen palëve të treta, që janë përgjithësisht ish-vendet anëtare të Paktit të Varshavës.

SHBA vendos embargo armësh ndaj shteteve të ndryshme për një sërë arsyesh. Kina u vendos nën embargo armës në vitin 1989 për shkak të masakrës famëkeqe në sheshin Tian An’men. Po ashtu, vendosën edhe Rusinë nën embargo armësh pak para se të na jepnin neve kontratën. Fillimisht, SHBA kishte planifikuar t’i blinte të gjitha municionet nga Rusia, pasi ishte furnizuesja e vetme që mund të siguronte të gjithë listën e municioneve që SHBA-të kërkonin të blinin. Prandaj e hapën kontratën për ofruesin më të mirë, për një kompani ndërmjetëse siç ishim ne, që t’iu jepnim një çmim të vetëm për gjitçka sepse nuk donin të merreshin me 50 njerëz të ndryshëm. Parapëlqenin të negocionin me një ndërmjetës të vetëm, i cili nga ana tjetër do të merrej me të gjithë furnizuesit fundorë.

Çmimi më i mirë që gjetëm për municionet e kalibrit të vogël, ai që përdoret në kallashnikovët AK-47, erdhi nga Shqipëria. Në atë kohë, Shqipëria kishte një rezervë masive municionesh të Paktit të Varshavës, dhe ndërkohë po përpiqeshin të anëtarësoheshin në NATO. Aleanca iu kishte kërkuar të asgjësonin municionet e vjetra sovjetike…

Problemi me industrinë e armëve, sa i përket sigurisë së punëtorëve, është se bëhet fjalë për prodhimin e produkteve me rrezikshmëri të lartë. Natyrisht, prodhuesit duan të shmangin katastrofa si ajo që ndodhi në Shqipëri sepse nuk është mirë për biznesin kur të shpërthen fabrika. Nga ana tjetër, ka një ndodhi famëkeqe në Shqipëri, në një fshat të quajtur Gërdec, ku qeveria shqiptare kishte nisur procesin e demontimit të një pjese të municonit të vjetër sovjetik. Por, po e bënin në një mënyrë të papërgjegjshme dhe shkaktuan atë që besoj se është shpërthimi më i madh jobërthamor në histori.

Mënyra se si e realizuam ujdinë shqiptare është se ne kishim bërë biznes më parë me një tregtar armësh zviceran, i quajtur Henri Thomei. Ai kishte shumë njohje, veçanërisht në Ballkan. Ndaj edhe arriti të siguronte këtë ujdi për municionet e AK-47 me një çmim kaq të leverdisshëm për për ne. Ne paguanim Henrin dhe ai paguante shqiptarët.”

Skema

“Kishte një ekip njerëzish, që hapte arkat prej druri dhe kutitë metalike. Vendosnin municionet në qese të trasha plastike dhe më pas në kuti kartoni. Kështu mund të minimizonim peshën gjatë transportit, duke qenë se e dërgonim gjithçka me avion për në Afganistan.

Alex Podrizki ishte miku im më i mirë kur po kërkonim dikë që të manaxhonte ripaketimin në Shqipëri. E punësuam që të shkonte atje dhe të merrej me këtë punë. Në fillim nuk e denim që do na duhej të bënim ripaketim, por donim që të shkonte atje dhe të inspektonte meqenëse kishte njëfare përvoje ushtarake. Atje ai zbuloi që municionet ishin kineze. Kishte simbole kineze në të gjitha arkat dhe kutitë. Efraimi tha: ‘Dëgjoni, këtë do ta diskutojmë vetëm përmes telefonit. Pa email-e, pa mesazhe të shkruara.’ Por, Efraimi donte të sigurohej që Alexi po i jepte informacion të saktë dhe këmbënguli që t’i dërgonte fotografi të kutive dhe arkave. Më pas, të gjithë filluan të flisnin më haptas dhe u krijua një numër i konsiderueshëm email-esh, ku tregohej shumë qartë dhe me hollësi se çfarë ishim duke bërë.

Ne nuk donim të ndërmerrnim rrezikun të humbisnim një kontratë 300 milionë dollarëshe. Prandaj, menduam se ndoshta nuk duhet të tregonim. Ndoshta thjesht duhet ta ripaketonim municionin, që të mos kishte dyshime. Kjo është ajo çfarë bëmë dhe kontraktuam një shqiptar të quajtur Kosta Trebicka, i cili kishte një kompani që prodhonte kuti kartoni në Shqipëri. Ai do të na siguronte kutitë dhe fuqinë punëtore për ripaketimin e municionit, që të shmangnim simbolet kineze. Dhe filluam të bënim shpërndarjen sipas kësaj skeme.

Ishin rreth 100 milionë fishekë që duheshin riambalazhuar. Nuk ishim plotësisht të sigurtë nëse kjo ishte e paligjshme, sepse municioni që po blinim në Shqipëri vërtet vinte nga Kina, por i përkiste viteve ’70-të, shumë kohë para vendosjes së embargos së armëve. Kështu që, ky municion nuk përbënte shkelje të embargos. Ishte i ligjshëm në këtë aspekt, por shkelte kushtet e kontratës tregtare që kishim me ushtrinë amerikane. Nëse do ta dorëzonim këtë municion, do të ishim në shkelje të kontratës, sepse ajo thoshte specifikisht që nuk lejohet municion kinez dhe pikë.

Municionet dhe armët, të paktën ato të kalibrit të vogël, ruheshin në bunkere nëntokësorë. Në Shqipëri kishte një rrjet masiv tunelesh nëntokësorë, që ishin mbushur me armë të kalibrit të vogël dhe municione, për t’i mbrojtur nga ndonjë bombardim i mundshëm. Kur shkuam në Shqipëri për inspektim, na çuan në këto tunele të ngushta nëntokësorë. Kushdo që e njeh historinë e Shqipërisë, e di se shumica e municoneve të tyre vinte nga Kina. Ne, dy djem të rinj nga Miami, nuk e kishim idenë. Ushtria amerikane duhet ta kishte ditur. Nuk e di nëse e dinin qysh në fillim apo jo. Por, e di që kur Ralfi doli në gjyq, email-e të brendshme qeveritare u dërguan dhe ushtria amerikane tha se ato municione ishin kritike për misionin në Afganistan. Pasi ‘Neë York Times’ botoi një artikull të sikletshëm duke demaskuar gjithçka kishte ndodhur, atëherë u shtirën sikur nuk e kishin idenë dhe na e anuluan kontratën.”

Shqiptarët

“Kur gjërat filluan të shkonin mirë dhe ne po dorëzonim rregullisht municionet dhe me Kostë, shqiptarin që merrej me ambalazhimin, po dorëzonim nga 3-4 ngarkesa në javë, Efraimi vendosi që donte të nxirrte më shumë para nga ujdia. Siç ndodhte gjithmonë me të. Ai i kërkoi Kostës nëse mund të zbulonte se sa paguante Ministria e Mbrojtjes për municonin që ne po blinim, sepse deri atëherë paguanim Henrin, tregtarin zviceran të armëve. Nuk i paguanim direkt shqiptarët.

Kosta na ktheu përgjigje pas disa ditësh se Ministria e Mbrojtjes paguhej 2 centë për fishek për municionet. Ndërsa ne, e paguanim Henrin 4 centë për fishek. Kjo e acaroi tej mase Efraimin. Kështu që, Efraimi vendosi të shkonte Shqipëri për të rinegociuar me shqiptarët dhe të arrinte një marrëveshje direkt me ta.

Ai më kërkoi të falsifikoja një sërë dokumentash, që të dukej sikur konkurrentët e shqiptarëve, furnizuesit e tjerë, na kishin dhënë çmime shumë më me leverdi. Është çuditërisht e lehtë të falsifikosh dokumente, sidomos nëse ke një dokument legjitim. Gjithçka që duhet të bësh është të ndryshosh disa numra. Ai jua çoi këto dokumente shqiptarëve dhe ju tha, nëse nuk më jepni një çmim më të mirë, do më duhet të zgjedh konkurrentët tuaj, çekët ose ukrainasit. Por, shqiptarët ju hodhën një sy letrave dhe thanë se ishin false. Mos na tregoni ato m** dokumentash fallco. E kuptuan qysh në fillim.

Ata organizuan një takim me një tip të quajtur Mihal Delijorgji. Efraimi u takua me Delijorgjin dhe një person tjetër, të cilin e identifikoi më vonë si djali i kryeministrit. Delijorgji i tha Efraimit se e dinte që po kërkonim një çmim më të mirë dhe se po e paguanim shqiptarin tjetër, Kostën, që të bënte ripaketimin. Pse nuk ma jepni mua kontratën për ripaketimin. Unë do të fitoj nga kontrata e ripaketimit dhe do t’iu bëj një ulje të vogël tek municionet, pasi do të jem duke fituar para edhe prej saj.

Efraimi tha se ishte ide fantastike. Ai tjetri (Kosta Trebicka) është i pushuar, ti (Delijorgji) je i kontraktuar. Le ta bëjmë këtë.

Kosta më telefonoi dhe tha, e kuptoj që po ndryshoni personin që do të bëjë riambalazhimin. E kutpoj që është thjesht biznes, por më kanë mbetur rreth 20 mijë dollarë kuti stok. I thashë Efraimit, pse nuk ia jep Kostës 20 mijë dhe transferoji kutitë. Por, Efraimi tha jo. E ç’mund të na bëjë ai? I thashë se ai (Kosta) di gjithçka. Je i sigurt që do ta bësh këtë, Efraim? Dhe më tha, po se s’ka çtë na bëjë.

Doli që e kishte gabim. Sepse Kosta u mërzit vërtet shumë për ato 20 mijë dollarë dhe telefonoi ‘New York Times.’ Kështu filloi dhe hetimi që na rrënoi. Ai telefonoi edhe shtypin vendas shqiptar dhe informoi gazetarët shqiptarë, që politikanët shqiptarë po përfitonin nga kontrata jonë. Një ose dy javë më vonë, ai përfundoi i vdekur në rrethana misterioze. Ishte në një rrugë të pashtruar diku në mes të një fushe. S’kishte asnjë njeri rrotull. Dhe, në mënyrë të pakuptueshme, e kishte shtypur makina e tij. E gjetën me fytyrën në tokë dhe makinën rreth 30 këmbë larg tij. Nëse ishte aksident, ishte një aksident i pazakontë.

Besoj se Shqipëria ka një histori të gjatë në lidhje me krimin e organizuar dhe se ky i fundit është ngushtësisht i përfshirë me sistemin politik. Nuk do të shkoj kurrë në Shqipëri. Them se do të qëndroj larg atij vendi, për siguri.

Nuk jam më i shqetësuar, sepse ngjarjet kanë ndodhur 18 vjet më parë dhe shumë nga personat e përfshirë, përfunduan në burg në Shqipëri. Delijorgji shkoi në burg; Ylli Pinari, që drejtonte eksportin, përfundoi në burg. Djali i kryeministrit më hodhi mua në gjyq për shpifje. Por, çështja as nuk u mor parasysh.”

Scroll to Top