Mjeshtri 91-vjeçar në Kalabri: Muzeu im dhe gjuha për të kujtuar arbëreshët
Nga Luca Bergamin-Corriere della Sera
Carmine Stamile, një mësues i palodhur shkolle nga një fshat i vogël kalabrez, është pikërisht ai që të gjithë e quajnë “lis i vjetër”. I rrënjosur fort në origjinën e tij, me një sjellje krenare dhe freskinë fëminore që i pasqyrohet në sytë blu, sot ai jep mësime për fëmijët dhe të rriturit që ulen në stolat e vjetër prej druri, që datojnë në vitin 1861, të rregulluar mjeshtërisht në dhomën e muzeut etnografik arbëresh në qytetin e tij të lindjes, San Giacomo del Cerzeto (Cosenza), i quajtur kështu për shkak të bollëkut të lisave në kodrën ku u vendosën shqiptarët e parë të ikur nga sundimi osman turk në shekullin e 15-të.
Në tavolinën e mjeshtrit është një Olivetti Lettera 22, mbuluar nga kutia prej lëkure. Mbi të Carmine ka shkruar propozimin e tij për mësimin e kulturës arbëreshe, në vitet ’70 kur dekretet e deleguara për shkollat më në fund linin hapësirë për eksperimentimin e formave të reja të mësimdhënies.
“Çdo objekt ka historinë e vet dhe kjo është ajo që duhet t’u tregohet fëmijëve për t’i bërë ata të pasionuar pas saj. Në tekstet shkollore gjenin vetëm data, luftëra, histori pushtimi dhe shfarosjeje. Duhej gjetur një metodë tjetër. Kështu fillova të mbledh objekte që ishin braktisur sepse ishin të vjetruara dhe të tregoj historitë e tyre duke i treguar me emrat arbëreshë.”
Çdo objekt në muze shoqërohet me një etiketë me mbishkrime dygjuhëshe. “Nëse gjuha zhduket, identiteti i një populli humbet”, thotë Carmine, i cili është shumë krenar për kurset e mësimit të gjuhës arbëreshe për të rritur, të cilat i mban edhe online.
Megjithatë, mjeshtri preferon të takojë njerëz në muze, sepse aty historitë e 700 objekteve pasurohen çdo herë me histori të reja.
“Aty është gjineshtra, e cila ka veshur shumë njerëz të këtij komuniteti.”, shpjegon më tej Carmine, duke treguar një shembull të bimës së dashur nga Giacomo Leopardi dhe duke ilustruar të gjitha mjetet e përdorura për të bërë shumë pëlhura fine. Ka edhe topa prej leshi të papërpunuar, mëndafshi, liri dhe kërpi, por ajo që është magjepsëse janë batanijet dhe sixhadet e shtrira në tezgjahët e vjetër, përcjell dritare.net
Nga vargjet e poetëve te qëndismat
“Dhoma e parë që ndërtuam ishte pikërisht kjo, sepse këto dekorime përcjellin bukurinë e kulturës arbëreshe. Është një art që gratë ende duan ta mësojnë dhe të vijnë këtu. Ashtu si në të kaluarën, qëndisja shoqërohet me këndimin e rapsodive tradicionale.” Më pas janë dhomat e tjera të dedikuara për profesione të ndryshme, si këpucaria, për gatim, për larjen e rrobave dhe për lojëra. Ka edhe shumë libra; studiues të rinj vijnë nga larg për t’i konsultuar dhe magjepsen nga tingulli oriental i vargjeve të shkrimtarëve arbëreshë Santori dhe Padula, të cilat recitohen nga Carmine, mjeshtri i vjetër i muzeut etnografik arbëresh./Përshtati Dritare.net