Kërkohen shqiptarë “nën armë”, mbi një mijë euro në muaj kosto për çdo rezervist që do i bashkohet ushtrisë
Paqja në botë është e brishtë ndaj Shqipëria i ka hedhur sytë te ushtria. Dy mijë e 100 ish-ushtarakë apo civilë do t’i bashkohen Forcës Ushtarake si rezervistë. Nisma ligjore e propozuar nga Ministria e Mbrojtjes mori “dritën jeshile” edhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike, shkruan A2 CNN.
“Kosto fillestare për vitin 2025 parashikohet për aktivizimin e një kompanie me 125 vetë dhe është e vlerësuar të arrijë në masën 155.7 milionë lekë që është e reflektuar në plan-buxhetin 2025”, tha Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes.
Teksa mbështetën propozimin ligjor, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kdheli dhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi nuk i fshehën pakënaqësitë për shumën që pritet të shpenzohet për ata që do të vendosen “nën armë”. “Nga një kalkulim modest më rezulton se për çdo rezervist do të shpenzohen 105 mijë lekë të reja çdo muaj. Qëllimi në fakt është ula e kostove”, tha ajo. “Kaq i bie, 125 vetë… pjesëtoi. I bie 10 mijë euro në vit për person. Edhe çik më shumë. 1 mijë në muaj për një rezervist që do shërbejë për maksimalisht 40 ditë”, tha deputeti i opozitës, Dashamir Shehi.
Përtej kostove, socialisti Vullnet Sinaj ngri një tjetër shqetësim mbi mënyrën se si do të thirren “nën armë” rezervistët, që njëkohësisht rezultojnë të punësuar diku. “Mos ndoshta duhet një ligj që të detyrojë kompanitë private që kur rezervistë të duhet të shërbejë, t’i japin leje”, tha Sinaj.
Pyetjeve iu përgjigj ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. “Po, kosto është rreth 1 mijë euro pasi përshihen nga uniforma te pajisjet personale, bashkë me rrogën dhe pagesat e ushqimit dhe karburantit. Me bizneset do të ketë mirëkuptim”, tha ai.
Për t’iu bashkuar shërbimit rezervist e marrë në këmbim një pagë, kushti kryesor është që individi të jetë shtetas shqiptar dhe të mos jetë i dënuar me burg, me një vendim të formës së prerë. Në varësi të moshës që ka, rezervisti do të gradohet edhe si ushtra, nënoficer apo oficer. Bashkë me përfitimet dhe përgjegjësitë, mbi rezervistin do të rëndojnë edhe detyrime.