“EMRI I HUMBUR” | Pse Noli i dha SHËNGJINIT emrin “WILLSON”, në nder të Presidentit Amerikan

Në seancën e 2 shkurtit të vitit 1924 parlamenti shqiptari mbajti 5 minuta zi. Dy ditë më herët, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte ndarë nga jeta presidenti amerikan Woodrow Willson.

Bisedimet e Kuvendit Kushtetues, 04 shkurt 1924, Reuf Fico: Kryetar. Pa hy në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një proponim. Me hidhërim muarmë vesh se ish kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Willson vdiq. Duke marrë parasyshë shërbimet e mbëdha që i ka bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

Kërkesa e deputetit pranohet dhe seanca ndërpritet për 5 minuta. Por rikthimi në seancë, i ndan deputetët në dy kampe; ideologjikisht të kundërt…

Jashar Erëbara: Para se të hymë në bisedim, proponoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin. Në qoftë se Willsoni do të fliste për të mirën e Shqipnis, ma tepër do të fliste edhe Lenini për një Shqipni të madhe.

Kjo kërkesë e deputetit, për të përkujtuar vdekjen e themeluesit të Bashkimit Sovjetik të ndarë nga jeta me 21 janar të atij viti, pra vetëm 10 ditë para presidentit amerikan,  shkaktoi ilaritet në sallën e parlamentit të Shqipërisë.

Avni Rustemi:Më vjen shumë keq zoti kryetar, që kur përmendet emri i Leninit, ndigjohen qeshje nga ana e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk due qi Shqipnija të jetë bolshevike sepse gjendja dhe pozita e saj nuk e don por për principet e larta njerëzore duhet që me nji respekt të zihet në gojë emri i tij.

Në këtë seancë plenare mungonte Fan Noli, i cili pak muaj më pas do të bëhej kryeministër i vendit. Në seancën e radhës, me 11 shkurt, Noli mban nga fjalimet më domethënese të tij për të vlerësuar figurën e presidentit amerikan të ndarë nga jeta.

Bisedimet e Kuvendit Kushtetues, 11 shkurt 1924, Fan Noli: Amerika edhe e tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Woodrow Willsonit, të 28-it President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pranë Amerikës merr pjesë në ktë zi edhe Shqipëria e cila qan në fytyrën e tij, amerikanin e math, idealistin bujar dhe mprojtësin e saj më të fortë.

Titulli ‘amerikan’ mjafton që ta bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se që të gjithë e dimë se sa të mira kemi parë prej saj.

Që me 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve.

Që me 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetën e tyre e për të fituar bukën e fëmijës.

Për të 25 vjetët e fundme Amerika ka qenë për shqiptarët, një fushë pune dhe një shkollë;  një fushë pune ku fitonin aq para sa ishin të zotët, dhe një shkollë ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt atdheut.

Kështu që ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me idera të reja. Për të kuptuar sa influencë ka pasur kurbeti i Amerikës në Shqipëri arrin kjo shëmbëll i vogël:

Në një fshat të fushës së Korçës prej 90 shtëpish kam gjetur 40 veta që kishin qenë në Amerikë dhe 40 veta të tjerë të cilët janë në Amerikë sot. Me fjalë të tjera, çdo shtëpi ka patur nga një djalë atje. Munt të thuhet me siguri që 80 % prej shtëpive të reja të Shqipërisë jugore janë ndërtuar me para të fituara në Amerikë.

Gjithashtu mund të konstatohet lehtë që një e katërta e popullatës së Prefekturave Jugore ushqehet drejt për drejt nga të ardhura nga Amerika e tri të katërtat përfitojnë prej këtyre parave indirektësisht.

Për qetësinë e cila mbretëron në Shqipëri nën Shkumbin dhe veçanërisht në Labëri, e cila ka qenë gjithnjë e turbulluar, ka një shkak dhe ky shkak është kurbeti i Amerikës.

Se atje Toskët dhe Labrit tanë u bënë punëtorë të urtë, qytetarë dhe patriotë modernë.

Fjalimi i Nolit vijon më tej me analizimin e rolit që diaspora e Amerikës kishte luajtur në Shqipëri. Madje ai evidenton se Kongresi i Lushnjes i vitit 1920, që shënoi një kthesë të madhe për shtetin shqiptar, duke ngritur një qeveri të përkohshme që synonte të shpëtonte Shqipërinë nga copëtimi dhe të vendoste themelet e pavarësisë së vërtetë, kishte buruar në fakt, indirekt nga Shoqata e Shqiptarëve të Amerikës, VATRA.

Por ndërsa evidentoi në fjalim të mirat që i kishin ardhur shqiptarëve nga shqiptarët e Amerikës, Noli ndalet për të përmendur në fjalimin e tij të mirat që i kishin ardhur Shqipëria direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fan NoliMë 1914 kur u shkel Toskëria dhe radhë me mijëra refugjatë në Vlorë, kur vdisnin nga ethet, nga uria, dhe nga e ftohta, vetëm një vend u kujdes t’u dërgojë ndihmë këtyre të mjerëve dhe ay vend është Amerika.

Pas luftës, kur Shqipëria ishte e shkretuar dhe e plagosur prej invazjeve të huaja, prapë Amerika dërgoj Kryqin e Kuq që t’i lehtësonte vojtjet.

Dhe një nga të vetmet, mos të them e vetmja shkollë moderne që kemi është ajo e Amerikës: Shkolla Teknike.

Dhe kur themi Amerikë na kujtohet një emër se që të gjithë kanë ngjarë kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit administronte Shtetet e Bashkuara, i shkëlqyeri dhe shumë i vajtuari President Willson. 

Pasi bën një analizë të gjatë dhe plot me figura letrare për jetëshkrimin e ish presidentit amerikan, Noli ndalet në rolin e tij direkt në rikonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë. Noli tregon se Presidentin amerikan e kishte takuar në vitin 1917, në jahtin e tij, me ratsin e 4 korrikut, festës së Amerikës.

Fan Noli: E kam njohur këtë kalorës të kohëve të harruara në një kohë tragjike, me 4 të korrikut të 1917, në Yachtin e tij presidencial Mayflower, kur i rrethuar prej kabinetit, prej trupit diplomatik dhe prej përfaqësonjësve të racave të ndryshme në Shtetet e Bashkuara shkonte te varri i Washingtonit për të prononcuar të parin diskurs luftëtar.

Atëhere iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj ment sikur po e digjoj sot:

Një zë do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë!”

Dhe e mbajti fjalën e tij. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë me të gjithë anët e vendit tone, i cili qe si një i vdekur në agoni. 

Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar prej Aleatëve, ishte njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv.

Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Willson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë.

Presidenti Willson jo vetëm që nuk e vuri firmën po u përgjegj edhe me dy nota në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy xhevahiret më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer.

Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot.

Qysh ta qajmë e ta vajtojmë këtë kalorës pa frikë dhe pa njollë? U eklipsua dielli i të vegjëlve dhe i të mjerëve. U rrëzua përdhe dushku i madh mi degët e së cilit kishin ndërtuar folenë e tyre ëndërronjësit idealistë.

Dhe nga ky rrëzim oshëtiu me rënkim pylli i errët i dheut dhe u zhduk vizioni i një bote më të mirë dhe më njerëzore.

Por…zemrat përpjetë! Sursum Corda (Korda lexohet). Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Willsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai…”

Presidenti amerikan Uillson promovoi idenë që çdo komb duhet të ketë të drejtën për të qeverisur vetveten. Ai ishte një nga të parët që përkrahu konceptin e vetëvendosjes si një parim thelbësor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky parim ndikoi në formimin e shteteve të reja në Evropë pas shpërbërjes së Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Osmane.

Në janar 1918, Uillson prezantoi një platformë të njohur si “14 Pikat”, e cila shërbeu si një udhërrëfyes për paqen pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ndër pikat më të rëndësishme ishte mbështetja për pavarësinë e disa vendeve të vogla dhe promovimi i paqes së qëndrueshme pa shfrytëzim kolonial apo kufij të imponuar. Në këto pika përfshihej:

Pavarësia e Polonisë,

Vetëvendosja për popujt e Ballkanit,

Liria për kombet e shtypura nga perandoritë.

Kundërshtimi ndaj copëtimit të Shqipërisë:

Wilson është shumë i vlerësuar nga shqiptarët për rolin e tij në mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Në këtë konferencë, fuqitë e mëdha kishin propozuar ndarjen e Shqipërisë mes fqinjëve. Wilson e kundërshtoi prerazi këtë plan, duke e parë si një padrejtësi ndaj shqiptarëve. Ai deklaroi se asnjë vend nuk duhej të ndahej pa pëlqimin e popullit të tij. Falë ndërhyrjes së Wilson-it, Shqipëria mbijetoi si shtet i pavarur dhe më vonë, në 1920, fitoi njohje ndërkombëtare duke u anëtarësuar në Lidhjen e Kombeve.

Nga ana tjetër, Uillson ishte një nga arkitektët kryesorë të Lidhjes së Kombeve, organizatë e cila kishte për synim promovimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Pavarësia e Shqipërisë u forcua falë anëtarësimit të saj në këtë organizatë në vitin 1920.

Woodrow Wilson mbetet një figurë historike që njihet për mbështetjen e kombeve të vogla dhe përpjekjet për vendosjen e një rendi të ri botëror të bazuar në parime të drejtësisë dhe vetëvendosjes. Pavarësia e Shqipërisë është një nga shembujt më të spikatur të ndikimit të politikave të tij, dhe për këtë arsye, ai nderohet si një mik i madh i shqiptarëve.

Nderimi i shqiptarëve: Shëngjini të emërtohet ‘Willson’

Por mirënjohja e Nolit ndaj presidentit të ndjerë amerikan nuk do të ndalej vetëm në fjalimin e mbajtur në Kuvend në muajin shkurt të vitit 1924. Po në atë seancë kur Noli mbajti fjalimin, Faik Konica në cilësinë e përfaqësuesit të Federatës Vatra i kishte dërguar parlamentit shqiptar një telegram ku propozonte që Skela e Sarandës ose e Shëngjinit të emërtohej në ndër të presidentit të ndjerë amerikan. Propozimi erdhi në një kohë kur parlamenti ishte përfshirë intensivisht në debate të forta për problematikat që kishin ndodhur në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1923 ndaj edhe palët debatuan për këtë propozim.

Po ashtu, nuk munguan as kundërshtitë ndaj këtij propozimi dhe parlamenti u nda në dy palë; ku njëra palë kërkonte rrëzimin e plotë të tij ndërsa pala tjetër që çështja t’i kalonte komisioneve parlamentare që më pas të vendosnin se cili qytet-port do të emërtohej Willson, Saranda apo Shëngjini.

Mes këtyre debateve të forta, dakordësia e vetme që u gjet ishte që ky propozim të protokollohej në Kuvend në një moment të dytë.

Pas kësaj seance, situata do të tensionohej së tepërmi e shkak do të ishin zgjedhjet parlamentare që ishin mbajtur 3 muaj më parë e ku kishte pretendime për dhunë e shkelje të rënda në proces. Këtyre debateve do t’i shtohej edhe vrasja e Avni Rustemit dy muaj më pas e më vonë, në qershor do të ndodhte edhe përmbysja e pushtetit dhe në krye të qeverisë do të vinte Fan Noli.

Ky i fundit, nuk do të harronte propozimin e bërë në seancën e shkurtit dhe në 2 gusht, në të njëjtën ditë kur 6 muaj më parë ishte ndarë nga jeta ish presidenti amerikan Willson, Noli do të miratonte vendimin që qyteti-port shqiptar që do të merrte emrin e ish presidentit amerikan, të ishte Shëngjini.

Kam nderin t’i paraqitë të shkëlqyeshmit Këshillë të Naltë se Këshilli Ministerial në bisedën e tij me 2 gusht 1924, mbi propozimin e kryetarit të Vatrës në Kuvendin Kushtetues, vendosi ndërrimin e emrit të Shëngjinit në Wilson. Pra ky Këshillë lyp pëlqimin e aprovimin e atij të shkëlqyeshmit Këshill të Naltë.

Pritni shkëlqesë nderimet e mia ma të nalta.

New York Times do të raportonte kabllogramin që kryeministri Noli i kishte dërguar Federatës Pan Shqiptare Vatra në  Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku i njoftonte për vendimin.

“Shqiptarët e kanë ndjerë këtë në masë të madhe sepse ishte falë interesit të Wodroow Willson që vendi i tyre u shpëtua nga ndarja gjatë ndryshimeve pas luftës në Europë” shkruhej në artikullin e New York Times të 12 gushtit të vitit 1924.

Në këtë mënyrë, pas 21 gushtit kur vendimi hyri në fuqi, çdo shkresë zyrtare që kishte lidhje me Shëngjinin, do të përdorej emërtimi Wilson.

Por ky propozim do të zgjaste pak në kohë, aq sa dhe vetë qeveria e Fan Nolit që do ta mbyllte kapitullin pas 6 muajsh, në dhjetorin e vitit 1924.

Qeveria që erdhi në pushtet pas ikjes së Nolit nuk e avancoi më tej përdorimin e emrit të Shëngjinit, ashtu sikurse edhe popullata  që po haste vështirësi të përshtatej me emrin e tij; që mbeti më shumë si një akt ku Shqipëria tentoi të shprehë në një mënyrë ndryshe mirënjohjen që kishte ndaj ish presidentit, që konsiderohej dhe konsiderohet ende sot, “Miku i Shqiptarëve”

Edhe pse emri i Wilsonit nuk mbeti i përhershëm në toponiminë shqiptare, vlerësimi për të si “Miku i Shqiptarëve” mbetet i pashlyer në kujtesën historike.

Scroll to Top