Ulqinit do t’i rikthehet anija liburne e ilirëve të lashtë
Nga Gazmend Çitaku
Çështja e detarisë ilire, me akcent të veçantë në mjetet e lundrimit si është lundruar, me çfarë lloji, si dhe kah lundrohej, sot e gjithë ditën mbetet një ndër fushat më të pahulumtuara të historiografisë sonë. Ulqini si prijës i përhershëm në fushën e detarisë shqiptare edhe kësaj radhe vendosi që veten ta pozicionoj prapë në hartën detare, jo vetëm shqiptare por edhe mbarëbotërore. Si çështje që duhet trajtuar dhe atë në një hapësirë kohore sa më të shkurtër. Andaj, më 07 gusht 2019 në Ulqin, u mblodh grupi punues i identifikimit dhe ndërtimit të maketit të anijes antike ulqinake në proporcine reale.
Për çfarë bëhet fjalë?
Grupi inicues punues në përbërje: Gazmend Çitaku – studiues, Ilir Çapuni – matematikant, Sami dhe Naim Flamuri – veprimtarë, Muho Uruçi – arkitekt, Ammar Tivari – inxhinier i anijendërtimtarisë, Arsllan Hajdinaga – ECC dhe Anton Lulgjuraj – arkeolog u mblodhën dhe diskutuan rreth mënyrës së qasjes së problemit si dhe gjetjet e zgjidhjeve të mundshme dhe më reale për identifikimin dhe ndërtimin e maketit të anijes ilire ulqinake.
Në bazë të gjetjeve arkeologjike (figura e Magna mater) Ulqini është vendos në hartën e vendbanimeve të neolitit kurse dihet se themelet e kështjellës datojnë nga shekullit V-IV para erës së re, gjë që e dëshmon muri ciklopik në pjesën veriore të kështjellës dhe popullsia e kësaj treve duke jetuar pranë detit pa asnjëfarë dyshimi të bien në përfundim se veprimtaria kryesore jetësore e tyre ka qenë puna e lidhur me detin si peshkimi, lundrimi por edhe veprimtaritë tjera jetësore detare. Hapësira nënujore ulqinake është e pasur me mbetje të anijeve të fundosura që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Vetëm në Gjirin e Valdanosit janë të identifikuara disa sosh që i përkasin një shtrirje të gjerë kohore. Zhytësit amator të cilët kanë një sy më të mprehtë mund të identifikojnë mbetje dhe copëza qeramike që i përkasin amforave antike por edhe qypave dhe enëve të ndryshme të qeramikës të periudhave të ndryshme kohore. Gjithashtu copëza e nganjëherë edhe amfora të padëmtuara janë gjetur edhe në lokalitete arkeologjike nënujore tjera si rreth kështjellës së Ulqinit, në grykëderdhjen e lumit Buna, në ishullin Guri i Gjeranave, por edhe në vende tjera. Historiografia njeh liburnën ilire nga pamja e paraqitur nëpër monedhat e fisit të Daorsëve dhe Labeatëve por për çudi asnjë nga historianët tanë nuk është marrë në mënyrë serioze me shpjegimin më detaj të karakteristikave të këtyre anijeve. Andaj duke u bazuar në numizmatikën ilire, gjetjet e anijeve me amfora në bregdetin shqiptar por edhe atë të Mali të Zi, të dhënat historiografike të autorëve antikë por edhe autorëve të kohëve tona por duke mos harruar edhe traditën gojore Grupi punues morri përsipër një detyrë jo të lehtë hulumtuese por me entuziazëm të rrallë so me vullnet të mirë çdo gjë do arrihet.
Duke identifikuar problematikën, sipas profesioneve dhe prirjeve, u ndanë edhe detyrat primare hulumtuese si dhe u sollën disa vendime:
1. Grupi inicues u pajtua që ky grup duhet të zgjerohet dhe t’i bashkëngjiten edhe studiues të profileve të ndryshëm e që kanë të bëjnë me detarinë, arkeologjinë nënujore, historinë e anijendërtimtarinë.
2. Të organizohet në fund të muajit shtator një ekspozitë e cila në vete do të përmbajë:
a. Ekspozitë me modelet e anijeve të punuara nga modelistët ulqinakë
b. Ekspozitë e dokumenteve dhe fotografive që kanë të bëjnë me detarinë ulqinake
c. Ekspozitë e pjesëve të anijeve dhe çdo gjë që ka të bëjë me anijen.
3. Vizitë pune dhe njoftimi me veprimtarinë e njëjtë në Communa di Silvi (Itali), Omish (Kroaci) dhe Durrës (Shqipëri)
4. Detarizimi i lagjes Rana
5. Realizimi i maketit të anijes antike ulqinake në përpjestim 1:1, e cila do të jetë një atraksion turistik
6. Realizimi i ndërtimit të të gjitha maketeve të mjeteve lundruese me të cilat kanë lundruar ulqinakët nëpër shekuj
7. Muzeu detar