Lidhjet e shqiptarëve me pellazgët

Studiuesi I ri I kohës sonë, që I përcaktoi shqiptarët e sotëm si pasardhës të pellazgëve, ishte Johan fon Han, I cili I vazhdoi kërkimet e veta historike e gjuhësore gjatë 40 vjetëve që shërbeu si konsull I Austrisë në Janinë. Poeti dhe studiuesi arbëresh në Itali, Jeronim De Rada, mbrojti të njëjtën tezë, duke provuar se toponimet pellazge mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe.

Më 1879, një vit pasi Kongresi I Berlinit mohoi legjitimitetin e Shqipërisë, Pashko Vasa e mbështeti këtë argument, duke botuar në Paris dhe në Berlin, në gjuhën ringe e shqipe, veprën e tij të njohur “E vërteta për Shqipërinë dhe Shqiptarët”. Ai vuri në dukje se, kur njerëzit janë të detyruar të shpërngulen, ata i emërtojnë vendet e reja sipas atyre të vjetrave, të cilat u duhej t’i braktisnin.

Kështu, emri i lashtë i Maqedonisë ishte Emathia (shqip: e madhja) dhe pellazgët, të detyruar të shpërngulen në drejtim të trevave të sotme shqiptare, e emërtuan krahinën malore Matia ose Mat.

Virgjili pohon se heronjtë e mundur të Trojës bënë të njëjtën gjë kur u shpërngulën në Butrint; po kështu edhe arbëreshët kur mbërritën në Italinë e Jugut. Studiuesi J.Thomopullos radhiti një numër emërtimesh të tilla dhe, veç kësaj, tregoi se si fjalët etruske kishin të njëjtën rrënjë me përgjegjëset e tyre në shqip.

Një tjetër studiues modern, Spiro Konda, vuri në dukje shembuj nga Odiseja e Homerit, ku emrat e maleve janë kompozita të përbëra nga një emër shqiptar me prejardhje nga banorët vendas pellazgë dhe nga përgjegjësi i tij në gjuhën e banorëve grekë, që erdhën në vend të tyre.

Kështu, mund të përmendim kompozitën Gyropetra, të përbërë nga fjala shqipe gur dhe ajo greke petra, e cila do të thotë gjithashtu „gur’. Po kështu, ndeshet edhe fjala Megallopetras Gyres, një kombinim i „gur i madh“ në greqisht dhe „gur“ në shqip. Veç kësaj, ka shumë variante të fjalës shqipe mal dhe përgjegjëses së saj greke oros, si p.sh., Maleiaon oros.

Duke vënë në dukje përhapjen e gjerë të gjuhës dhe të popullit pellazg, ai vërejti një kompozitë të ngjashme edhe në emërtimin e malit Maliegy, afër Budapestit, ku mal është në gjuhën shqipe dhe egy është përgjegjësi i tij në hungarisht. Një tjetër studiues, Xhaxhiu, ka vënë në dukje, gjithashtu, variantet e shumta të fjalës shqipe pyll, të gjetura në ishullin pellazg të Lesbos dhe në Epir.

Ai është shprehur si më poshtë: „Fakti që pellazgët, të sulmuar nga farefisi i tyre grek, u detyruan të tërhiqeshin nga ultësirat për në pyje dhe në male, shpjegon përdorimin e gjerë të emrave të vendeve, që kanë rrënjët shqipe pyll, mal dhe gur.“

Studiuesit vënë në dukje se gjuhët e vdekura zakonisht lënë gjurmë nëpërmjet emërtimeve të lumenjve, të maleve dhe të dukurive të tjera të qëndrueshme të natyrës, ashtu siç ka ndodhur me emërtimet e indianëve të Amerikës. Një emërtim i tillë është Larisa, fjala pellazge për „kala“, që përdorej gjerësisht në botën e lashtë për të shënuar një qytet të fortifikuar.

Kjo fjalë, që ndeshet ende nëpër harta, vërteton përhapjen e gjerë të popullsisë pellazge. Atlasi i Botës Klasike i Sheperdit paraqet njëmbëdhjetë qytete apo vendbanime me emrin „Larisa“. Një Larisë e tillë ndodhet në Asiri, në bregun e lumit Tiger, dhe shumë të tjera në Azinë e Vogël.

Njëra prej tyre, që ndodhet afër Trojës, përmendet nga Homeri si shtëpia e „pellazgëve të ashpër nga fushat e pasura, pjellore të Larisës“. Qytetet e Ballkanit, që mbanin një emër të tillë, ishin: njëri në lumin Peneus, në viset e Argosit pellazg, në Thesalinë Qëndrore; një Larisa Kremaste, në pjesën jugore të Akeia-Ftiotis, dhe një tjetër, që sot quhet Tekos, pranë lumit Larisos, i cili derdhet në Detin Jon, poshtë kepit veriperëndimor të Gjirit të Korintit, në Elia të Akeas.

Kjo mund të na ndihmojë të vlerësojmë pohimin e rëndësishëm të albanologut Otto Blau, se mbishkrimet e lashta mbi pllakat e gurit, të zbuluara në Kretë e Lemnos më 1897-99 dhe për një kohë të gjatë të padeshifrueshme, mund të deshifrohen nëpërmjet gjuhës shqipe.

Veç këtyre që thamë më lart, del edhe problemi i gjuhës së mistershme të etruskëve të lashtë në Italinë Qëndrore. Për një kohë të gjatë mendohej se ajo nuk ka patur asnjë lidhje me gjuhë të tjera të njohura.

Megjithatë, vitet e fundit, një studiues italian, Filipo Koareli, në shkrimet e tij rreth Qyteteve Etruske të Italisë, deklaroi se gjuha misterioze e etruskëve ishte ngushtësisht „e lidhur me gjuhën parahelene të Lemnosit“. Lemnosi është një ishull pellazg në perëndim të Trojës pellazge.

Studiuesja bashkëkohëse me origjinë shqiptare, Nermin Vlora Falaski, është autore e një studimi të dytë rreth qytetërimit evro-mesdhetar, të titulluar Gjuha Etruske, një gjuhë e gjallë. Duke shfrytëzuar veprat e studiuesve të tjerë, që nga lashtësia deri në ditët e sotme, dhe duke analizuar epigrafet e shumta etruske, ajo arriti në përfundimin se etruskët ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve, që populluan pjesën më të madhe të trevave mesdhetare.

Teksti prej 176 faqesh, në italisht dhe anglisht, është ilustruar me 49 fotografi me ngjyra dhe 53 riprodhime origjinale të mbishkrimeve etruske. Gjithashtu, jepet edhe një transkriptim me shkronja latine i çdo fjale etruske, përgjegjëset e saj në italisht, anglisht e shqip, si edhe një pasqyrë e alfabeteve përkatëse. Teza e saj mjaft bindëse pretendon se këto mbishkrime etruske mund të interpretohen vetëm nëpërmjet idiomës pellazgo-ilire, të ruajtur në gjuhën shqipe.

Studiuesit shqiptarë mund të mos jenë shumë objektivë, por fakti është se, pas studimit të epitafeve mbi varret, kolonat dhe qeramikën etruske, të gjetura në Peruxhia e gjetkë në Toskanë, ata mund ta krahasonin këtë gjuhë vetëm me dialektin toskë të shqipes. Edhe vetë emërtimi italian për këtë trevë etruske është Toskana, vendi i Toskëve, emër ky identik me atë të shqiptarëve të jugut.

Megjithatë, kjo çështje u takon specialistëve. Sidoqoftë, mund të thuhet se, padyshim, këtu nuk bëhet fjalë për një koincidencë të rastit. Hulumtimi i fjalorit karakteristik të këtij populli parahelen bëri që studiuesi francez Luis Benlov të arrinte të njëjtin përfundim në librin e tij La Grèce avant les Grecs (Greqia para grekëve), të botuar në Paris më 1877.

Ai vërejti se „shumë emra vendesh, malesh, lumenjsh e figurash legjendare, të cilat nuk mund të shpjegohen nga etimologjia e fjalëve greke, mund të shpjegohen fare mirë nëpërmjet një gjuhe jogreke.

Deri më sot vetëm një gjuhë është e aftë të hedhë dritë mbi këto emra: kjo është gjuha shqipe. Prandaj autori i këtij punimi është i detyruar të mbështesë tezën se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të popullsisë, e cila jetonte para ardhjes së grekëve në trevat përgjatë Adriatikut e deri në Halis“ (x,xi). Halis ishte një lumë në lindje të Azisë së Vogël.

Scroll to Top