Luçia Nadin zbulon rrënjët e Marin Barletit në Venecia. Autor i “Historisë së Skënderbeut” dhe “Rrethimit të Shkodrës”
Dokumentari i shfaqur sot në Kinema Millenium, “Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik,” sjell në vëmendje edhe jetën e Marin Barletit në Itali. Pas rënies së Shkodrës, Barleti, një nga figurat më të ndritura të humanizmit shqiptar, emigroi në Venecia, ku nisi rrugëtimin që do të shënonte trashëgiminë e tij si historian.
Sipas zbulimeve të Luçia Nadinit, Barleti u regjistrua si emigrant në Venecia që në vitin 1479. Fillimisht, atij iu caktua një tezgë për tregti mishi, por më vonë, së bashku me bashkëpunëtorin Beçikemi, ai hyri në fushën akademike dhe teologjike. Dokumentari e ndjek këtë rrugëtim të Barletit, duke ndaluar në Piovene Rochette, ku ai shërbeu si famulltar në Kishën e Shën Stefanit pas studimeve në Padova.
“Ne e dimë që një nga figurat më të ndritura të kulturës humaniste shqiptare, ai që për shumë studiues është quajtur Dante Aligeri i kulturës shqiptare mbërriti në Itali pas rënies së Shkodrës. Këtu ai shkroi veprën e tij të famshme « Historia e jetës dhe veprës së Skënderbeut, princit epirotas më 1508 dhe para saj më 1504 një tjetër vepër monumentale « Rrethimi i Shkodrës ».
Barleti lindi e u rrit në Shkodër dhe erdhi në moshë të re në Venedik pas rënies së Shkodrës. Edhe ai ishte një emigrant. Luçia Nadin ka ndjekur fatin e tij në fillim dhe na tregon se emri i tij gjendet në regjistrat e Senatit mes shumë të ardhurish pas vitit 1479.
Në fillim atij ju dha një tezgë për të shitur mish dhe pastaj ai bashkë me Beçikemin nisën një karrierë të shkëlqyer akademike e teologjike.
Ja dhe dokumenti që tregon emërimin e Marin Barletit si famulltar. Shkojmë në Piovene Rochette në Kishën e Shën Stefanit ku ka shërbyer si prift Marin Barleti. Më parë ndalojmë në Padova, në sheshin historik. Këtu ndodhemi në Padova, në sheshin Duomo. Ku është godina ku mendohet se ka studiuar Marin Barleti për fe, për religjion përpara se të emërohej prift në Piovene Rochette në kishën e Shën Stefanit. Kjo është kisha e Shën Stefanit në Piovenne në krahinën e Viçenzës.” – rrëfen regjizori i dokumentarit, Ilir Yzeiri.