Dhimitris Orologas: Arvanitasit! “origjina e grekëve të rremë”
Kur flasim për Greqinë, doemos që përmendim arvanitët të cilët shteti grek i mohon në çdo mënyrë. Megjithatë historianët janë ata të cilët i përmendin. Njëri prej tyre, Dhimitris Orologas hulumton dhe shkruan për ta. Ai madje ka shkruar një libër, duke pretenduar se në Greqi ka thuajse pesë milionë arvanitë. Libri është botuar më 2011 në gjuhën greke, ndërsa është në proces botimi në gjuhën angleze. Dhimitris Orologas (Demetrios Orologas) ka jetuar shumë vite në Afrikë e Angli. Flet pesë gjuhë dhe ka një diplomë në historin e artit. Ai e konsideron veten një kozmopolit, ndërkaq ka shkruar që i vogël, kurse librin e tij të parë e botoi në moshën 29-vjeçare. Libri nga i cili kemi shkëputur pjesën për arvanitët është i treti. Shteti grek ia ka ndaluar hyrjen, ndërkaq jeton në ekzil në Armeni. Nistori ju sjell ekskluzivisht atë që Orologas e thotë për arvanitët.
Dhimitris Orologas
Përktheu nga anglishtja: Lirim Shala
Sot në Greqi ka gati 5.000.000 pasardhës të shqiptarëve, të cilët të njohur si arvanitas, kanë rrënjët e tyre që në shekullin XI të Erës së Re. Vlerësohet se fillimisht ata numëronin gati 300.000 barinj dhe kusarë të armatosur. Emri i tyre mbetet një mister, pasi disa studiues madje i lidhën me banorët e Albanisë në Kaukaz (Azerbajxhani i sotëm turqishtfolës). Megjithatë, historianët e sotëm dyshojnë fuqishëm për ndonjë lidhje me ilirët e lashtë, ndërkaq ata, në fakt, janë përzier me sllavët.
Një numër i madh shqiptarësh mbërritën në Peloponez gjatë sundimit të despotëve grekë të Azisë së Vogël të Mistrës, të cilët i sollën atje për të shërbyer si ushtarë dhe për të kolonizuar përsëri rajonet e shpopulluara. Më vonë u vendosën në Epir, Rumeli, Eube, Atikë dhe ishujt e afërt të Androsit dhe në gjirin e Saronikës (Spetsë, Hidrë dhe Salaminë). Disa prej tyre kaluan në Shtatë Ishujt, ndërsa të tjerët patën një betejë të hapur më vonë me vllehët në Thesali. Një pjesë e tyre, që fliste greqisht, emigruan në Kalabri në jug të Italisë, ku ende ruajnë një dialekt të vetëm të greqishtes moderne. Pak para Luftës së Dytë Botërore, Benito Musolini i la rajonit emrin “Lugina e Shqiptarëve”, ndërsa në të kundërt, grekët e rremë, duke këmbëngulur në propagandën e tyre injorante të historisë, i konsideronin ata arvanitas si pasardhës të grekëve të lashtë që u vendosën atje dhe themeluan Magna Greqinë (Magna Graecia).
Arvanitasit e krishterë dhe të myslimanë në gadishullin grek u ndanë në fatre, p. sh. klane me një ligj të rreptë të përbashkët, dhe u përkisnin grupeve të ndryshme fisnore si Tsamidët (Tsamides) (shqiptarët çamë), Toskidët (Toskides), Gekidët (Gekides) etj. Një nga atributet e budallallëkut të grekëve të rremë është fakti se vallja “Tsamikos”, vallja tradicionale popullore e Tsamidëve, është shumë e popullarizuar në mesin e pjesës tjetër të “grekëve modernë” siç e quajnë veten pasardhësit e helenizuar të popujve shqiptarë që u vendosën në shekujt XII dhe XII. Mirëpo tema e origjinës së tyre shqiptare është një tabu.
Ndarja midis shqiptarëve myslimanë (të quajtur turkoshqiptarë) dhe shqiptarëve të krishterë përbëri çuditërisht fillimin e dëbimit gradual të të parëve nga territori grek, por jo arsyen e vërtetë. Ligji i çuditshëm i zakonshëm e një klani lejoi edhe atë që konsiderohet si tradhti në kuptimin më të gjerë, pa u konsideruar si e tillë sipas zakoneve shqiptare.
Sidoqoftë, spastrimi etnik që u tentua nga “Mbretëria e Greqisë” e posadalë, menjëherë pas vrasjes së Jon Kapodistrisë (Ioannis Kapodistrias), guvernatorit të parë të Greqisë, ishte vendimtar për të gjithë ata që nuk përputheshin me kriteret e një propagande të çuditshme ballkanike për “grekë me gjak të pastër” siç u konceptua nga borgjezia e parë dhe klasa sunduese e asaj rrëmuje. Kështu ata u përzunë nga territori i Greqisë, e cila më 1832 përbëhej nga populli i Peloponezit, Rumelisë e Cikladeve, nga turqit dhe hebrenjtë, por edhe arvanitasit myslimanë (Lalajtë, Barduniotët e kështu me radhë). “Revolucioni grek” i vitit 1821 kundër Perandorisë Osmane ishte në thelb një revoltë shqiptare, pasi shumica e prijësve dhe trupat e kusarëve (palikaria) ishin arvanitas.
Një revoltë tjetër e orkestruar nga rusët parapriu më 1770, e cila degjeneroi në një grindje e brendshme midis shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë të Peloponezit. A ishte vërtet kështu? Shkaqet e këtyre lëvizjeve revolucionare mbeten ende të paqarta, pavarësisht se librat e historisë së Greqisë moderne kanë zbardhur një realitet që duket aq i besueshëm sa gjoja origjina e grekëve të rremë nga banorët e lashtë të vendit.
Është fakt se krerët që luftuan kundër turqve dhe agjentëve të tyre, koxhabashët (fisnikët e pasur të provincës) u shndërruan në kusarë të tmerrshëm që terrorizuan fshatrat greke, disa dekada pas pavarësisë. Ndonëse ideologjia mbizotëruese e “Greqisë” imponoi një varietet të pastër të gjuhës greke (katharevusa) me arkaizma, i përdorur nga pak njerëz, për shumë vite në fshatra mbijetoi dialekti i shqipes: arvanitika. Sot flitet nga pakkush kryesisht në Thivë (Tebë), si dhe në Atikë deri para disa kohësh.
Thuhet se armiku më i keq i një kombi është ai që ka hequr dorë prej tij. Diçka e barazvlefshme ndodhi me grekët e rremë, të cilët nuk duan ta dinë ose realisht nuk e dinë më origjinën e tyre nga sllavët, shqiptarët dhe vllehët, të vendosur gjatë Mesjetës në Greqi. Edhe pse mbiemrat e shumicës së “grekëve të rinj” janë me origjinë shqiptare, si Merkuri, Nika, Kapsali, Griva, Kotsi, Papuli (Mercouris, Nikas, Capsalis, Grivas, Cotsis, Papulias) e kështu me radhë, ata i konsiderojnë emigrantët ekonomikë shqiptarë si të huaj. Historia, në shumicën e rasteve duhet të rishkruhet globalisht – por veçanërisht në Greqi – për shkak të gënjeshtrave të sajuara nga grekët e rremë në fillim të shekullit XIX. Ndonëse ata që këtë ideologji të kombit grek ua përçuan grekëve të rremë, nuk ishin thjesht grekë të rremë, ata vetë deri më tani injorojnë se paraardhësit e tyre rebelë më 1821 nuk dinin greqisht. Heroi kombëtar Marko Boçari (Markos Botsaris), si të gjithë shqiptarët e tjerë të epokës, fliste vetëm shqip dhe, në rastin më të mirë, kishte pak njohuri të gjuhës greke. Në tubimet që mbaheshin zakonisht në teatrot antike të rrënuara të epokës klasike që historianët grekë të rremë i quajnë me pompozitet “Kuvende Kombëtare”, pjesëmarrësit barbarë flisnin shqip. Teodor Kolokotroni (Theodoros Kolokotronis), pasardhës i një familjeje të vjetër shqiptarësh të krishterë nga Peloponezi dhe njeriu që luajti një rol katalitik në Luftën e Pavarësisë së Greqisë (1821-30), kishte helenizuar mbiemrin e tij nga Bythëguri (Bythegouras) (që rrjedh nga fjalët shqipe bytha = anus, si dhe goura = gur) dhe kishte shërbyer si mercenar në ushtrinë britanike të stacionuar në Shtatë Ishujt, ku britanikët kishin organizuar të ashtuquajturën “Kompaninë Shqiptare” (Albanian Company), një trupë ushtrie mercenarësh. Suliotët e Epirit të Jugut, të cilët luftuan kundër Ali Pashës, sundimtarit të Janinës dhe një nga personalitetet më të mëdha të historisë europiane në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, ishin shqiptarë. Ali Pasha, me baba të krishter apostat, familja e të cilit kishte emigruar ndoshta nga Smirna në Greqi dhe me nënë shqiptare, u bë një nga guvernatorët më të fuqishëm provincialë në Perandorinë Osmane. Lord Bajroni dhe disa shkrimtarë dhe poetë të tjerë të mëdhenj europianë e kishin hyjnizuar. Ai arriti të shpërblehej me pashallëkun e Janinës dhe me aftësitë e tij ushtarake dhe diplomatike, qeverisi Greqinë nga Peloponezi deri në Thesali, përpara se të braktisej nga mercenarët e tij të krishterë shqiptarë që e tradhtuan dhe shkuan te Reshit Pasa. Mizor dhe i pamëshirshëm, ai luajti një rol të rëndësishëm në Luftërat Napoleonike dhe kishte vizione për t’u bërë sullta i Perandorisë Osmane. Në fund pallati i tij ia preu kokën në një ishull me të zbukuroi një shtyllë përballë Xhamisë Sulltan Ahmed (Xhamia e Kaltër), në vendin ku dikur ishte hipodromi i Kostandinopojës. Lajmi për ekzekutimin e tij bëri bujë në të gjithë Europën e asaj kohe.
Thuhet gjithashtu se historia shkruhet nga fituesit. Me siguri nuk është shkruar nga humbësit. Ali Pasa nuk u vendos në Panteonin e personaliteteve të mëdha të “Revolucionit Shqiptar”, siç ndodhi me Papaflesën (Papaflessa), një prift intrigant i asaj kohe, i cili edhe pse jo fort i rëndësishëm, nga “grekët e rinj” modernë nderohet si hero./Nistori