Ky është mbreti i parë Ilir që ka prerë monedha në vitet 290/285 deri në 270 p.e.s?
Një ndër mbretërit e parë ilirë që kanë prerë monedha ka qenë Monuni, i cili mendohet të ketë mbretëruar në vitet 290/285 deri në 270 p.e.s, në trevat mes Dyrrahut dhe Apolonisë, deri në kufi me Maqedoninë.
Në një informacion të publikuar nga Banka e Shqipërisë, monedhat dyrrahase gëzonin besimin e tregjeve të kohës dhe Monuni vendosi t’i riprodhojë për të lehtësuar shkëmbimet brenda mbretërisë së tij.
Stateri i mbretit Monun mban në faqe figurën e lopës duke e pirë viçi, simbol ky i marrë nga stateret dyrrahase. Mbi lopën ravijëzohet figura e një nofulle derri të egër, simbol i shtëpisë mbretërore të ilirëve.
Në shpinë paraqitet një katror i mbushur me zbukurime lineare të stilizuara (kopshti i Alkinout) dhe në brinjët e katrorit shkruhet emri i shkurtuar i Dyrrahut (DYRRA), titulli dhe emri i mbretit Monun (Basiloeos Monuniu), si dhe topurrja, arma e Herakliut. /atsh/KultPlus.com