VIDEO/ Histori arrestimesh me president e kryeministra
Disa ish-kryeministra dhe ish-presidentë të Shqipërisë janë përballur me arrestime gjatë viteve. Historia e këtyre ndalimeve fillon me arrestimin e Ramiz Alisë, ish-presidentit të fundit të regjimit komunist. Më 19 gusht 1992, kur tre policë hynë në shtëpinë e tij për ta arrestuar, Alia u shpreh: “Një kryetar shteti nuk mund të arrestohej nga tre policë të thjeshtë, pa avokat dhe pa prokuror.” Megjithatë, ai u shoqërua në burgun 313 të Tiranës dhe më 21 maj 1994, u dënua me nëntë vite burg së bashku me dhjetë anëtarë të Byrosë Politike.
Një tjetër ish-kryeministër, Vilson Ahmeti, i cili drejtoi një nga qeveritë teknike pas rënies së diktaturës, u akuzua për përgjegjësinë mbi kambialin prej 1.6 milionë dollarësh për shlyerjen e borxhit të jashtëm. Ahmeti vuajti dy vite burg, por në vitin 1995 mori pafajësinë.
Fatos Nano, një tjetër ish-kryeministër, u arrestua më 31 korrik 1993 dhe u dënua me 12 vjet burg për korrupsion. Ai kaloi rreth katër vite në burg dhe u lirua më 1 mars 1997, mes trazirave që përfshinë vendin.
Në vitin 2000, Ilir Meta, atëherë kryeministër, urdhëroi shoqërimin në komisariat të Sali Berishës, i cili ishte në opozitë dhe refuzonte të dëshmonte për vrasjen e Azem Hajdarit. Në atë kohë, Berisha konsiderohej si një faktor destabiliteti për qeverinë e Metës dhe mazhorancën e tij.
Në fund të dhjetorit 2023, ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha u vendos në arrest shtëpiak nga SPAK, i akuzuar për korrupsion lidhur me privatizimin e ish-klubit Partizani. Berisha kishte mbajtur postin e presidentit nga viti 1992 deri në 1997.
Më 21 tetor 2024, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Ilir Meta u arrestua, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, duke shtuar emrin e tij në listën e gjatë të figurave politike që janë përballur me drejtësinë në Shqipëri.