Revolta ilire që tronditi perandorinë Romake
Kryengritja më e madhe e armatosur e ilirëve ka qenë ajo e viteve 6-9-të erës sonë.
Revolta, e udhëhequr nga Bato i fisit Daesitiate, u shndërruar në një konflikt të armatosur midis trupave romake dhe një aleance të fiseve ilire. Shkaku i revoltës ishte vendimi i Romës për një mobilizim ushtarak në Iliri.
Kryengritësit sulmuan në shumë drejtime. Një pjesë e tyre zunë krahinat dhe qytetet bregdetare, të tjerë hynë në Maqedoni, kurse një fuqi e tretë e madhe mori drejtimin veriperëndimor për në Itali.
Lufta çlirimtare e ilirëve u bë e rrezikshme. Vrulli i saj e tronditi shumë pushtetin qendror. Perandori Oktavian shpalli në senat, se në qoftë se nuk do të merreshin masa të jashtëzakonshme, ushtritë kryengritëse ilire për 10 ditë do të hynin në Romë. Ai i kërkoi të pasurve të sakrifikonin një pjesë të pasurisë së tyre për nevojat e luftës.
Perandori Oktavian i kërkoi gjeneralin e madh romak Germanikun që me trupat e tij të shkonte në Iliri për të shtypur kryengritjen. Me kryengritjen u bashkua edhe fisi tjetër ilir, Breuci, udhëheqësi i të cilit gjithashtu quhej Bato. Në verën e vitit 8, Bato Breuci tërhiqet nga aleanca ose dorëzohet. Një vit më pas ai kapet nga Bato Daesitiate dhe ekzekutohet.
Kryengritja zgjati 4 vjet. Pas betejave të përgjakshme dhe humbjeve të shumta, më 9 shtator, Bato Daesitiates dorëzohet. Pas luftës, Gjermaniku me trupat e tij kryen një ndarje të fiseve ilire në grupe të vogla, duke ndryshuar përbërjen dhe zonat e tyre të banimit, ndërsa anëtarët e tjerë të fiseve u shitën si skllevër ose u dërguan në rajone të largëta të Perandorisë.
Sipas një gojëdhëne, kur Gjermaniku e pyeti pse kishte ngritur krye, Bato, pasi u mendua, u përgjigj: “Ju Romakët jeni për t’u fajësuar për këtë rebelim, sepse kur na merrni ushtarë na përdorni jo si barinj, por si ujqër”.
Bato Daesitiatese e kaloi pjesën tjetër të jetës i izoluar në qytetin italian të Ravenës. Kryengritja ilire e viteve 6-9, sipas historianit romak të shek. I-II, Suetonit. ka qenë më e tmerrshmja nga të gjitha luftërat e jashtme që bëri Roma pas luftës me Kartagjenën.
Roli i madh pozitiv i saj ishte se ajo ndali përparimin e romakëve në Evropën qendrore, në drejtim të së cilës ata më vonë nuk u shtynë më kurrë. Kështu vetëm pas një lufte të gjatë, e cila me ndërprerje zgjati më se një shekull e gjysmë, romakët mundën më në fund ta thyenin qëndresën ilire.