Konflikte familjare e rreth 8 mijë viktima, çfarë përmban Ligji 7501, për të cilin Sali Berisha tha se është penduar
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbushur 80 vjeç. I pyetur se për çfarë është penduar përgjatë këtyre viteve, Berisha ka përmendur Ligjin 7501 dhe piramidat.
Por çka përmban Ligji 7501?
Ligji nr. 7501, miratuar më 19 korrik 1991, gjatë 27 viteve të tij të zbatimit, ka sjellë pasoja tragjike për vendin, duke shkaktuar rreth 8000 viktima dhe mijëra raste të shkatërrimeve të pasurive, konflikte familjare dhe armiqësi të vazhdueshme.
Ky ligj u hartua nga Qeveria e Stabilitetit PD-PS-PR-OMONIA (1991) dhe u miratua nga parlamenti me pretekstin e kthimit të pronave pronarëve legjitimë, të cilëve iu konfiskuan pasuritë në vitin 1945.
Megjithatë, realiteti i zbatimit të këtij ligji tregoi se qëllimi i tij nuk u përmbush, pasi pronat nuk iu kthyen pronarëve të ligjshëm. Përkundrazi, zbatimi i ligjit e futi procesin e pronësisë në një labirint të pafund gjyqësor, duke krijuar konflikte të rënda midis palëve, përkatësisht pronarëve të ligjshëm, fshatarëve përfitues dhe shtetit.
Ky proces i dhimbshëm, bazuar në Ligjin nr. 7501, çoi në një formë të re sekuestrimi të tokave pas një periudhe 45-vjeçare, duke i shpërndarë ato sipas frymëve të popullsisë në zonat rurale. E ashtuquajtura “reformë e dytë agrare”, nisi në maj të vitit 1992 dhe, edhe pas 26 vitesh, mbetet ende e pazgjidhur. Ky proces ndan ngjashmëri të dukshme me reformën agrare të periudhës komuniste të vitit 1945, kur toka iu nda fshatarëve në mënyrë të ngjashme me ligjet e miratuara atëherë.
Ligji nr. 7501, në vend që të rregullonte të drejtat e pronësisë, ka përshkallëzuar situatën, duke krijuar tensione dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme për tokat dhe pronësinë në Shqipëri.
Ja çfarë përcaktonte Ligji nr. 7501, datë 19 korrik 1991
- Banorëve dhe personave që jetojnë në fshat, si dhe fermerëve të “NB”-ve, t’u jepet toka falas sipas numrit të anëtarëve në familje.
- Çdo familje, i jepet sipërfaqe tokë, të llogaritur sa për të siguruar të ardhurat personale familjare për jetë normale.
- Për mjetet bujqësore, ato do të shpërndahen për mekanizatorët që kanë punuar në secilën ekonomik bujqësore,
- Qeveria, në bazë të ligjit 7501 “Për tokën”, do të bëjë mbështetjen me mekanikë bujësore, me karburante, farë dhe kredi bankare.
- Ndarja e tokave, do të bëhet nga komisionet e banorëve të zonës, të ngritur në fshat, komunë, rreth e prefekturë, nën mbikqyrjen e pushtetit lokal, raportojnë mediat në Shqipëri, përcjell Telegrafi.