Shqiptari i CIA-s, loja me shërbimet sekrete. Kush ishte THROWOFF 3?
Bashmir Xhemaj, studiues dhe autor i librit “Një shqiptar në CIA”, ka folur në emisionin “Esencë” në Report TV, për Destan Berisha, apo Destan Billusha, i njohur në letrat e CIA-s amerikane me pseudonimin THROWOFF 3. Ai ishte shqiptar i Kosovës nga Prizreni.
Eljan Tanini: -Çfarë dhe kush është ky shqiptar i CIA-s që trazoi disa vende?
Bashmir Xhemaj: -Nuk do të ndodhte kurrë që një shqiptar të mos ishte në CIA dhe jo në një shërbim tjetër! Kur personazhi jonë hyri në CIA, CIA nuk ishte ajo organizatë që është sot, por që ndër të tjera merrej edhe me trashëgiminë e saj të pas Luftës së Dytë Botërore. Shqiptari jonë u gjend në CIA jo sepse kishte ndonjë interes në të, apo ndjesi, por sepse e tillë ishte koha dhe fatet e asaj kohe. Ishte një projeksion i kohës.
Eljan Tanini: -Përse Destani lëvizi nga vendi i tij primar, përse iku nga Kosova, nga Prizreni, përse u arratis?
Bashmir Xhemaj: -Historia e Destanit, e angazhimit te tij, lidhet ngushtë edhe me vitin 1943. Një vit më herët ai ka qenë i burgosur në burgjet italiane në Prizren. I burgosur për një problem fisi apo fshati. Aty nisi epoka e tij që nuk do të mbaronte kurrë, u njoh me njerëz që ishin kundër Italisë Fashiste, ata ishin edhe me bindje nacionaliste. 100 e ca të burgosur arratisen nga burgu. Kur shpartallohen forcat partizane, nis edhe vendosja e komunizmit në Kosovë! Destani me shokët krijuan një tunel në burg. Del nga burgu dhe niset me 56 vetë drejt Greqisë sepse Greqia ishte vend i sigurtë, ishte bazë e rëndësishme, disa të tjerë më herët u arrestuan.
Eljan Tanini: -Cila ishte jeta e tij?
Bashmir Xhemaj: -Jeta e Destanit dhe e shokëve të tij ka qenë nepër male, streha e tyre ishte mali dhe qielli. Kam gjetur të dhëna, një vendim të vitit 1947, dy vjet pas vendosjes së komunizmit ku Destanit i konfiskohet edhe shtëpia. Destani kishte vetëm tre motra që nuk i pa kurrë më. Destan Berisha kishte nje aftësi të jashtëzakonme për t’u përshtatur në terren, apo në rrethanat e luftës! Ai ishte nje guerilas i fortë fizikisht. Thuhet që Destani ka lindur me këmishë, prandaj edhe nuk kapej e nuk vritej.
Eljan Tanini: -Përse nisen për në Greqi? Kush i rekrueton ata?
Bashmir Xhemaj: -Greqia është një kapitull i tërë. Nga Prizreni në Greqi, rrugëtimi zgjati 21 ditë, për diku në Selanik. Një bashkëluftëtar i tyre e shkruan këte rrugëtim. Humbin rrugës rreth 16 shokë. Ditën nuk lëviznin shumë, kryesisht natën, asnjëri nuk e dinte terrenin.
Kishin shumë probleme me ushqimin, u kish mbetur vetëm të hynin natën në ndonjë fshat për ndonjë bagëti. Ata e kaluan kufirin, arrestohen nga forcat greke të sigurisë. Sapo strehoen në kampet e refugjatëve, nisin edhe aktivizimet me shqiptarët e tjerë që ishin në to, si legaliteti etj…
Eljan Tanini: -Sa qëndruan në kamp?
Bashmir Xhemaj: -1945 deri në vitin 1949, Destani rri në kamp. Këtu njihet edhe me një greke, ai ishte 25 vjeç, ndërsa grekja diku edhe më pak se 19 vjeçe. Kishte dashuri të madhe me greken, u nda për shkak të familjes së saj. Lidhja me greken nuk ka zgjatur shumë, familja e vajzës e denoncojnë. Destani ishte gati të dështonte edhe misionin për greken. Ndërhyri edhe vetë CIA për këtë lidhje. Ai nuk hoqi dorë kurrë nga grekja, CIA vendos ta largojë. E dërgojnë në kampet e Panama-së për riedukim. Ai ishte aset tepër i vlefshëm. Atje në kamp, ai bën edhe më shumë skandale, ka edhe letra ku ish shefi i tij ka ndërhyrë për të. Pas pak kohësh kalon në një kamp në Bari.
Eljan Tanini: -Si ka ardhur në Shqipëri? Sa herë është hedhur nga aeroplani në vendin tonë? Si permendet sot në Kosovë lloji i veprimeve të tij?
Bashmir Xhemaj: -Në të folurën publike në Kosovë, nuk permendet as desant e as diversant. Ai hyri në këtë mision për të bashkuar Shqipërinë etnike, nuk donte para për këtë gjë. Ishte shumë i pastër misioni i tij. Stërvitjet e tij kanë ndodhur në një rajon pranë rrethit të Romës, mes amerikanëve dhe italianëve. Krejt grupi i parë që është hedhur me parashutë kanë qenë të gjithë nga Kosova, ishin 10 vetë. Uniformat e tyre nuk kishin simbole nga asnjë vend tjetër. Ata kishin me vete jo vetëm armë moderne te kohës, por kishin edhe të holla, apo fotografi të udhëheqësve lokalë etj…
Eljan Tanini: -Ku hidhet nga aeroplani në operacionin e parë?
Bashmir Xhemaj: -Në Qershor të vitit 1950 është hedhja e parë. Nga tri herë që është hedhur në një vit e gjysmë, me aeroplan dhe me parashutë në Shqipëri, është ndër të vetmit që nuk kapet e as lëndohet si shokët e tij. E dyta, ai arrin të kalojë nga Shqipëria në Greqi. Nderkohë, amerikanët mbajnë shënime.
Eljan Tanini: -Cili është rasti kur shoku i tij u shti në hall?
Bashmir Xhemaj: -Ishte hera e dytë e hedhjes së Destanit. Herën e parë kalojnë më lehtë. Shqipëria kishte probleme me errësirën në ato vite. Pilotët që bënin hedhjet ishin polakë. Në herën e dytë ka luftime. Njëri nga shokët lëndohet rëndë. Thyen këmbën nga hedhja. Ishte një lloji ujdie, shoku e mori vendimin vetë që duhej të vritej. Nuk ishte lexuar mirë terreni sepse kishte shumë pak informacion, kishte keqkuptim që shqiptarët ishin të hapur.
Eljan Tanini: -Sa qendronte Destani kur hidhej në Shqipëri?
Bashmir Xhemaj: -3 javë qendronte. Në herën e tretë, ai ka kaluar vetëm në Greqi. Destani mbijetonte edhe falë një lloji të instiktit, shokët e tij kapen ose vriten. Si Ahmet Kabashi i bashkuar me Hamit Matjanin në gjyqin e famshëm i vitit 1954. Hidhet gjithësej tri herë. Zona e Mirditës ishte zona me potencialin më të madh për të reaguar.
Eljan Tanini: -A ka ndonjë rrëfim të Destanit për zonat në të cilat është hedhur?
Bashmir Xhemaj: -Ka një video, një regjistrim 15 minutësh. Ai nuk flet kurrë për CIA-n, por na morën amerikanët e na stërvitën. Ai ishte rritur me këtë frymë. Këto dokumenta janë deklasifikuar shumë vonë. Unë jam i pari që e kam marrë këtë dosje. Unë kisha dëgjuar në fëmijërinë time per Destan Billushën. Ky është i pari operacion klandestin i CIA-s në botë i dështuar, më pas vazhduan me Kubën. Ishte operacion pa sukses. Unë arrij në disa konluzione ku ata nuk ishin shumë të stërvitur.
Eljan Tanini: -Prej sa kohësh një rrugë në Prizren mban emrin e tij, emrin e Destanit?
Bashmir Xhemaj: -Prej gati 10 vitesh një rrugë goxha e gjatë në Prizren mban emrin e Destan Billushës.
Eljan Tanini: -A ka një debat për këta njerëz si Destani në Kosovë?
Bashmir Xhemaj: -Jo nuk ka, është disi më e stabilizuar kjo gjë në Kosovë, sepse te ne ka një përzierje ku të gjithë janë të mirëpritur. Nuk është shumë e tendosur. Ende në Prizren ka një palestër, një qendër sportive që quhet Shezai Surroi, kur ndërkohë ai ishte një partizan i pushkatuar nga forcat naziste. Po ashtu, emri i Ernest Koliqit del kudo nëpër këto komunikime si një formulues i rëndësishëm i kohës.
Eljan Tanini: -Do të flasim një ditë në këtë studio edhe për Xhaferr Devën…
Bashmir Xhemaj: -Unë kam bërë kërkime për Devën edhe në Amerikë.
Eljan Tanini: -Çfarë ndodh me jetën e Destanit, me kë martohet, me kë rri, si jeton, ku e ngrys jetën?
Bashmir Xhemaj: -1954, mesi i vitit, CIA merr vendim që ta mbyllë operacionin, sidomos kapja e Hamit Matjanit. CIA shumicën e tyre, shokë të Destanit, i sistemon përmes Kryqit të Kuq, ai vetë vendoset në USA, në New York. Atje kishte shqiptarë, gjendet mirë. Hyn në organizimin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit. Lidhet me këto grupe. Destani nis një lloji rrugëtimi. Interesat nisin të fokusohen tani më shumë drejt Kosovës. Destanit i shkon edhe emri NJERIU I DRAMAVE. Në vitin 1968 viziton Kosovën, familjen e tij. Ishte martuar tashmë me një gjermane të amerikanizuar, që quhej Otilie. Ajo mbante mbiemrin e tij. Jam përpjekur të kuptoj nëse kishte ndonjë mision kur kthehet në Prizren pas shumë vitesh. Por ai arrestohet në ditën e 10 të qëndrimit. I bëhet një proces.
Tri akuzat kryesore të tij ishin: 1. Që ishte spiun e që kishte punuar për forca të huaja, 2. Edhe që kishte minuar sovranitetin e Jugosllavisë. Kam gjetur dosjen e tij në Prizren, ai dënohet me katër vite. Vuan 14 muaj burg, u dënua me 4 vite burg. Amerikanët përfshihen në lirimin e tij. Një konsull nga Beogradi kish marrë pjesë në të gjitha gjyqet e Destanit, sepse tashmë ai ishte shtetas amerikan. Një kongresmen amerikan me mbiemrin Conte i kish dërguar letra Titos, u përfshi edhe ambasadori amerikan. Destani në fund u fal me një vendim të Titos. Kur lirohet, largohet menjëherë në Berlin e pastaj në USA. Të gjitha gazetat amerikane shkruajnë për të. Destani e mbylli jetën në USA, i vetmuar. Kishte pësuar sulm në tru. Pas humbjes së gruas e përjeton rëndë ndarjen e saj nga jeta.
Pas viteve 90 ai ishte përpjekur të ndihmonte komunitetin shqiptar në USA. Motra e tij ishte gjyshja ime. Të vetmen vizitë që bën në Shqipëri, është ajo e vitit 1994 në Krujë. Ne e kemi ndjekur intervistën e tij në Radio Tirana, sepse vinin valët në Prizren. Destan Billusha ndërron jetë në vitin 2001.