Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar

Tirana, me anë tekstesh, ndoshta, don me i afrue shqiptarët e Jugosllavís qi të kenë lakmí për sistemin komunist të zbatuem në Shqipní, mbassi ajo, komunizmin Jugosllav po e cillëson revizionist dhe nuk po ia kursen kritikat n’asnji rase. Ndoshta, mund të jetë tërthoras, ndonji kûnj i huej, për t’i largue shqiptarët e atjeshëm nga shprehjet e tyne, tue i lânun as të hapa, as të hipa

NGA: Tahir Kolgjini

Para disa vjetve, në Prishtinë, qè mârrun nji vendim. Simbas këtij vendimi, aty – e prá, prej të gjithë shqiptarëve në Jugosllaví – si gjuhë shkrimi do të përdorej gjuha e unjisuar, ecilla, e imponueme prej regjimit komunist, âsht përdorun dhe po përdoret në Shqipní. Kjo shprehje, qi âsht pagzue “gjuhe e unjisuar”, paraqet te gjitha tiparet e dialektit toskënisht.

Vendimi i marrun si mâ sipër, ndoshta, mund të jetë ndikue nga ndonji rrethânë. Aj, mund të ketë parapamë, ndoshta, ndonji përfundim dobípruës, qi unë, ose nuk mund t’a çmoj, ose nuk mund t’a shfaqij për nji arsye, o për nji tjetër. Hë për hë mund të na vije ndërmend rrafshi kulturuer dhe tekstet e botueme ne Shqipní, të cillat, mund t’iu apin nji ndihmë shqiptarëve jashta kufinit. Janë arsye të forta, qi nuk mund t’iu mohohet rândësíja.

Tirana, me anë tekstesh, ndoshta, don me i afrue shqiptarët e Jugosllavís qi të kenë lakmí për sistemin komunist të zbatuem në Shqipní, mbassi ajo, komunizmin Jugosllav po e cillëson revizionist dhe nuk po ia kursen kritikat n’asnji rase. Ndoshta, mund të jetë tërthoras, ndonji kûnj i huej, për t’i largue shqiptarët e atjeshëm nga shprehjet e tyne, tue i lânun as të hapa, as të hipa.

Mirëpo, sido qi të jenë arsyet, mâ para duhet te kemi parasysh elementin, qi përbân nji milion e gjymës shqiptarë. Na, e dijmë se, shqiptarët në Jugosllaví, e kanë pasun të ndalueme shkollën shqipe deri ne vjetin 1941. Jo veç shkollën shqipe; por, si prej perandorís Osmane, ashtu dhe prej imperializmit serb, ata, qi guxojshin me shkrue e me këndue gjuhën e tyne, shqipen, ndeshkoheshin me ndeshkime të rânda si me pasë bâmë ndonji krim.

Si e tham, në vendet shqiptare, qi sod ndodhen nën sundimin e Jugosllavís, shkolla shqipe, ishte themelue vetem në vjetin 1941. Me gjithe këtê, ajo, mbas pak vjetve, qe shtërngue me u përshkue nepër gryka të ngushta e nepër këthesa të vështíra. Me shum mundime mbërrini në shkallën e sodshëme. Dredhinat e shovenizmit, qenë të tmerëshëme për t’i vûmë ndërkambëzën shkollës shqipe. Me dasína, me përçamje, me shkallmime arsimtarësh, me përzânje mësimdhânësash e me llojë torturash morale e materiale, shovenizmi, u përpoq me ia nxjerrun rrânjzët në diell shkollës shqipe. U krijuen pakica të pá qenuna nepër qytete. U themeluen shkolla jo shqipe pá asnji kriter dhe pá vullnetin e popullit. Banorë të ndryshëm shqiptarë, u shtërnguen prej veglave të shovenizmit serb qi t’i dergojnë fëmijt e tyne në shkollat turke.

Edhe sod, gjendja e elementit shqiptár, qi banon në krahinën e quejtun Makedoní, nuk shfaqet në përshtatje me dëshirin e popullit. Për shembull, disa katunde shqiptare në Rekë, për të vetmen arsye pse janë të besimit orthodoks, shkollat e tyne i kanë sllavisht. Koha, ndoshta, dikuer, do t’a normalizoje gjendjen edhe këtu. Mbi të tilla padrejtësina, para disá vjetve, pata shkrue nji serí artikujsh, me të cillët âsht lajmue bota shqiptare.

Vallë, ky popull, me nji jetë shkollore kaq të shkurtë e kaq të çale, a mund të jetë brumzue n’atë shkallë sa të jetë në gjendje me e përvetue dhe me e honepsun edhe toskënishten, ecilla, i âsht imponue me marken “gjuha e unjisuar”?

Nuk më besohet. Ata qi e besojnë, më duket se janë optimista të tepruem. Sikurse kemi asish prej jugut, qi ene nuk janë në gjendje me i përngjitun me njana tjetrën katër a pesë fjalë gegenisht, ashtu kemi edhe prej veriut, qi e kanë të vështirë me e përvetue toskënishten. Nji katund, qi shifet, udhërrëfyes nuk don!…

A thue me kët masë a mund të jetë synue ndonji revolucion gjuhësuër? Malum!… Disá nga shqiptarët t’onë, janë revolucionarë të mëdhaj. Në kohë disi të kalueme, ishte e modës me i paraqitun njerzt, tue i cillësue si revolucionarë: –“Âsht nji revolucionar i madh!…”. Aní në kafe Kursal në kërthizë të Tiranës… Ata, qi luejshin pokerin, të gjithë ishin revolucionarë (!)…

Simbas mendimit t’em, revolucioni në lâmën e gjuhësis, nuk vlen as sá banë miza në fletë. Për mâ tepâr, âsht dhe i dâmshëm; sepse, shkakton kalaveshje e ndërlikime në gjuhë. Ata, qi janë teknikët e gjuhës, e dijnë mâ mirë se gjuha, âsht pjella e evolucionit e jo e revolucionit. Çâshtja e gjuhës, nuk iu përgjanë çâshtjeve tjera. Gjuha, lenë prej nevojës. Ajo, me revolucion, përcëllohet; por, nuk piqet.

U lodh bota me revolucione; por, përfundimi, si thotë populli, pesë me hiç. N’ato vende, ku po zbatohet evolucioni, popujt, në çdo shtresë po shkojnë përpara me hapa të shpejtë e të sigurtë, pa i rrjedhun ndokuej gjak hundësh. Ndërsá, në vendet revolucionare përparimi, po hecë rrëzou e çou dhe vetëm në sipërfaqe. Shtresat e popullit, po qëndrojnë harû e gjithënji me duer në gjí, tue u zhytun në frikë e në mizerje.

Kur bisedoj mbi revolucione, e kam fjalën në përgjithësí. Nuk jam tue e dallue ndonjanin prej tjetrit, simbas ngjyrës, qi paraqesin.

Pa tjetër diktatorit, ose klikës së diktaturës, veprat e veta i duken të shkëlqyeshme, për shkak se diktatori vetë, ose klika, e soditë vendin prej s’nalti nga maja e kodrës.

Plasi tue bâmë revolucione Amerika Latine; por, mbolli frymë e korri erë. Eja njâni e mbush e eja tjetri e derdh!… Nuk qè e mundun qi të shkonte pendë, jo me Shtetet e Bashkueme t’Amerikës; por, as me Kanada-n.

Njeriu, në çdo punë, mâ para duhet të dojë, të dashunojë, të ketë zelle, në ketë vullnet dhe, mandej, të veprojë. Po t’i mungojne këto, njeriu, vepron si robot. E veprimi si robot, nuk deperton në të gjitha skutat e mbrendís së njeriut. Nuk i vê’ në lëvizje të tana energjinat e tija. Roboti, mund të vlejë vetëm në përmbushjen e njij norme lândore, për të cillën âsht praktikue. Aj, nuk vlen, kur veprimtaríja, ka lidhje me ndiesí e me gjykim.

* * *

A na shtërngon ndonji arsye qi t’i imponohet shqiptarit në Jugosllaví, dialekti i Jugut, si “gjuhë e unjisuar”? Për me mundun me iu përgjegjun kësaj pyetjeje, po më duhet me i hŷmë nji krahasimi si shkeleshko medis dy dialekteve, tue i përmbledhun pikëpamjet e mija këtu poshtë.

Foljet e paskajueme:

a) Në gegenishte foljet e paskajueme, prîhen prej njij “me”-je: me ardhun, me shkue, me dorzue e tjera. Këto folje, iu përgjegjen verbave italisht: venire, andare, consegnare.
Toskënishtja, kët forme nuk e ka. Tue perjashtue foljen “me qenë”, kët formë t’infinitivit nuk e përdorë. Në vend të formave, qi përdoren në gegënishte, toskënishtja, përdorë: T’ardhur, të shkuar dhe të dorëzuar.

Format, qi përdoren në toskënishte, mjaftojnë sá për me u shprehun me ‘to; por, nuk i përgjegjen shprehjes së pasun gjuhësore. Gjithashtu, nuk e kanë aq vleftën e ushtrimeve në gjuhë tjera, në gjuhë të përparueme. Për shembull, kur thomi: “Âsht ma mirë me vdekun me nderë se me jetue me turp”, tregojmë nji idé pa e lidhun me me ndonji person dhe me ndonji kohë. Kët idé, pikë për pikë, nuk mund t’a shprehim me format e toskënishtes. Do të thojshim: “Është më mirë të vdesish me nderë se të jetojsh me turp”, ose «Ësht më mirë të vdekurt me nderë se të jetuart me turp”.

Si shifet, format e infinitivit të përdoruna në toskënishte, nuk e kanë nuancën e formave të gegënishtes. Ndryshe përkëthehet në nji gjuhë të huej fraza e sipërme gegënisht; ndryshe përkëthehet ajo toskënisht.

Format, si mâ sipër, të toskënishtes, janë edhe në gegënishte: T’ardhun, të shkuem, të dorëzuem. Por, kuptimi i këtyne, ndryshon nga aj i infinitivit. Janë emna foljorë. Kur thomi: “Të dorëzuemt e materialit” âsht tjetër; kur thomi: “Me dorëzue materialin” asht tjetër.

b) Toskënishja, INFINITIV-in dhe EMNIN FOLJOR i përmbledh në nji formë të vetme. Kjo, âsht nji mungesë për ‘tê. Kur i kemi në forma të veçanta, përse të mos i përdorim? A do t’ishte e udhës me bojkotue, ose mâ mirë të thomi, me leçitun nji pjesë të shqipes? Në kët mënyrë, gjuha, në vend qi të zgjanohet, tue lëshue dega, rrêma e ngállore, vjen e kufizohet në nji rreth të ngushtë.
c) Në gegënishte kemi foljet pusore (pësore) si: Me u shkrue, me u kujtue, me u shpalue e tjera. Këto, i gjegjen, të thomi, italishtes: Scriversi, ricordarsi, e spiegarsi. Në çdo gjuhë tjetër janë këto forma. Toskënishtja, këto nuk i ka fare.
Me sá shpaluem deri këtu, merret vesht se, ata, qi merren me gjuhësí, e pranojnë kêt bâmë. Prandej, nuk do t’ishte e drejtë me ngulmue përpara këtij fakti, qi duket lakuriq.

Disá folje ndihmëtore: a) Gegënishtja, ka formën e verbit: Desh u rrëzova, desh u ngatrrova, desh e mbyti, desh e pata vramë, desh e kishe thyem, desh e kishte zemrue e tjera. Âsht nji formë, qi nuk po e dij, në se âsht përfshime në gramatikat t’ona; por, toskënishtja, nuk e ka.

Kësaj forme kishim me i thânun “forma afrimore”. Në gjuhët orientale quhet “fiil-i takribi”. Kjo formë, për kohën e kalueme, tregon nji vepër, ecilla ka mbetun pa u kryem, d.m.th. pa u përmbarue, për arsye të pavaruna nga vullneti i auktorit.

Toskënishtja, kuptimin e kësaj forme e shprehë: Gati u rrëzova, gati u ngatrrova e tjera. Këto forma i ka dhe i përdorë edhe gegënishtja; por, si e tham, ajo, për mâ tepër, ka dhe format e saja të sipërshenueme. Prandej, âsht me nji përmbajtje mâ të gjânë e mâ të pasun.

b) Gegënishtja, ka formën e verbit: Kesh t’a dij, kesh t’a dijshë, kesh t’a dije, kesh t’a dijmë, kesh t’a dijni, kesh t’a dijnë; kesh t’a kem dijtun, kesh t’a kishem dijtun, kesh t’a kishem pasë dijtun e tjera.

Kjo formë meriton nji studim t’imtë prej kompetentave. Unë, kët formë kishem me e quejtun “formë urimore”. Në gjuhët orientale quhet “fiil-i temenni”. Âsht nji formë e veçantë e dëshrores. Toskënishtja, në mënyrë të përshkrueme, kët formë nuk e ka. Fishta, në “Lahuten” e vet, të dyja i ka përdorun.

c) Folja dëshrore në gegënishte, ka edhe nji formë tjetër të posaçme: Hangerté dreqi, gjofti rrufeja, vrafti ora, mârrté lumi e tjera. Vërtetë janë përdorime të rralla; por, janë. Dhe mund të shtohen me përpunimin e gjuhës.
Kët formë toskënishtja, nuk e ka. Si shifet, zanoret në fund të këtyne fjalëve, janë të gjata. Janë të gjata, sepse, janë – në të vërtetë – dy zanore. Përnjimend, kur thomi “hangërté dreqi” duem me thanun “e hangërtë dreqi”. Mandej, “e”-ja, qi tregon nji përemën vehtor e qi âsht kundrinë, kur vjen në fund, merr formen “hangërtee”. Tash, ndeshemi përpara dy zanoreve. Prandej, hjekim zanoren e parë dhe të dytës i vêmë nji theks të gjatë. Dhe kështu, mbërrimë në formën “hangërté”.

Përdorimi i foljeve ndihmëtore në Kosovë

Shprehja e Kosovës, në përdorimin e foljeve ndihmëtore, ka nji epërsí, jo veç mbi toskënishten; por, edhe mbi shprehjet e gegënishtes së përdorun në disa vende. Në fakt, Kosova, në përshtatje me gjuhët tjera motra, përdorë: Jam ardhun, jam shkue e tjera. Ndërsa, pjesa tjetër e Shqipnís, përdorë: Kam ardhun, kam shkue e tjera.

Format e ndryshëme mbiemnore: a) Gegënishtja, i ka të plota format mbiemnore, qi, në vetëvehte, tregojnë nji kuptim merite, ose nji kuptim mundësije. Fjala vjen: i parapëlqyeshëm, i përshkrueshëm, i lakueshem, i pagueshem e tjera. Këto, iu përgjegjen italishtes: Preferibile, descrivibile, inclinabile, pagabile e tjera. Në strukturen e vet, toskënishtes, mbiemnat e kësaj kategorije, i mungojnë. Në se sod përdoren, ky përdorim, âsht ndikue prej gegënishtes. Ky përdorim buron nga dëshiri për të zgjânue sheshin e shprehjes. Do t’ishte sá mâ mirë qi t’ishte synue dhe armonizimi i gjuhës.

b) Toskënishtes i mungojnë mbiemnat, qi mbarojnë me “ëm” dhe me “un” e qi dallohen nga pikëpamja e gjinís, tue mârrun nji e- në fund. F.v.: Libër i shkruem, letër e shkrueme, djal i fejuem, vajzë e fejueme, i kuptueshëm, e kuptueshëme dhe xhaqet i qepun, këmishë e qepune, premtim i dhânun, fjalë e dhânunë.
Toskënishtja, në kët kategorí mbiemnash, gjinín nuk e dallon. Ajo, shprehet: Libër i shkruar, letër e shkruar, djal i fejuar, vajzë e fejuar, xhaqet i qepur, këmishë e qepur. Të njejtën formë për të dy palët…

Dikush, mund të thotë se, gjiníja, kuptohet nga i-ja ose e-ja, qi vjen para mbiemnit. P.sh.: … i shkruar, … e shkruar…

Përgjegjemi: Shkronja i- ose e-, qi vjen para mbiemnit, nuk ka ndonji funkcion me femnue, ose me mashkullue mbiemnin. Këto, janë lidhësa, d.m.th., lidhin dy fjalët, qi përbajnë plotsorin. Këtê e çmojnë ata, qi mêrren me pjesën teknike të gjuhës.

Emna me kuptime foljore: Në gegënishte kanë nji përdorim të gjanë format: Lakueshëmeni, përshkrueshëmeni, pagueshëmeni, thyeshëmeni e tjera. Këto, i përgjegjen italishtes: Inclinabilità, descrittività, pagabilità, frazionabilità e tjera. Këto forma, nuk gjinden në toskënishte. Vërtetë, përdoren: Lakueshëmëri, përshkruashëmëri, paguashëmëri, thyeshëmëri e tjera; por, janë forma t’uhajtuna prej gegënishtes.

Mjeshtrija në kuvend

Gegëníja në përgjithësí e, sidomos, pjesa malsore, në bisedimet figurative, mban nji vend të veçantë prej krahinave tjera të Shqipnís. Banorët e maleve dhe të Kosovës, janë mjeshtër përkah tregimi dhe të hollë përkah përshkrimi. Ka mbetun si fjalí e klishueme: – “Gjuhën e maleve të Dibrës e marrin vesht zogjt e maleve të Shkodrës”.

S’ka dyshim se, gegënishtja, ka nji thesár fjalësh e shprehjesh shum të pasun. Këto fjalë, ene nuk kanë zanun vend, si duhet, në gjuhën e shkrueme, për arsye se, deri sod, nuk janë bamë kërkime e hulumtime kudo. Për t’i mbledhun këto fjalë, âsht nevoja me ardhun në mârrëdhânje me popull dhe me jetue, për të gjatë mot, në gjinín e ‘tij. Edhe për toskënishten nuk po thom se, fjalët e saja, jane notue të tâna. Jo. Fjalët e dy dialekteve, ka për t’i mbledhun e për t’i grumbullue koha e ardhëshëme. Unë, thom se, gegënishtja, edhe për sa i përket vokabolarit, âsht mâ e pasun se toskënishtja.

Unë, për llogarín t’eme, nuk mund t’i daj. Ato dhe këto, janë pasuní e përbashkëtë e shqipes. Në çdo skaj qi të jetë, kur t’a gjejme nji fjalë, duhet t’a perdorim, tue e vumë në vendin e përshtatshëm.

Âsht për t’u mburrun, kur mendojmë se, si populli i ynë, qi ka qenë me shpirtë ndër dhâmbë gjatë mija vjetve, ka mund me e ruejtun gjuhën e vet. Me armë në dorë e me zjarm në gji!… Për kët popull duhet me u flijue. Aní, pse ndokush, pá hymë me i peshue vlerat e tija morale dhe pá hymë me i shoshitun rrethanat e ndryshëme historike, tregon pesimizmë për ‘të.

Veçanisht, duhet t’iu jemi mirënjoftësa maleve, të cillat, tue e pasë thurun vendin t’onë rreth e rrotull, kanë formue nji pritë, qi nuk ka mund anmiku me e kapërcyem pá vûmë në rrezik rradaken e vet.

Ky popull, ishte aj, qi, dikuër, pat formue perandorína, si ajo e Illërís – Illiris – dhe e Makedonís. Ky, edhe kur u zgjidh, pat fërkue brînat me forca imperiale n’epokat e ndryshëme. Për trimní e për heroizmë, mos e kërko mâ të mirë në ftyrë të totës. Bile, edhe sod, me gjithë qi regjimi i terrorit, po ban çmos për t’a shfisnue, aj, po e provon se, po ruen me kujdes e me fanatizmë cillësínat e lavdishëme të trashigueme prej të parëve të vet. Nuk ka ramë shpirtënisht. Nuk âsht shkllahun.

Prá, na, jemi – dhe duhet te jemi – krénare si pinjoj të këtij populli.

Âsht nji fakt sihariques se, populli shqiptár, sod, pá dallim féje dhe pá dallim krahine, âsht bashkue; âsht njitrupzue. Çdo shqiptari i rrehë nji zemër e përbashkëte. Pra, do të vijë nji kohë – dhe shpejt – qi shqiptarët, do të kenë të përbashkët dhe gjuhën; por, pá imponime e pá dhunime.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Marrë nga “Shêjzat”, 1974 (XVIII), n. 1-10, fq. 56-67. Ky tekst u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” në janar-shkurt të vitit 2017]

Scroll to Top