Tri dramaturget e vetme në letërsinë shqiptare deri më 1990

Ndërkohë që Eglantina Mandia dhe Arsinoi Bino përqendruan veprat e tyre në strukturat e realizmit socialist, duke trajtuar luftën dhe përpjekjet për emancipim brenda ideologjisë së kohës, Edi Shukriu nga Kosova solli një rrymë të re me një dramë filozofike dhe intertekstuale, duke e zhvendosur fokusin nga politikat në tema më universale të dashurisë dhe identitetit.

Këto tri dramaturge, me qasjet e tyre të ndryshme, jo vetëm që përfaqësojnë rrugë të ndryshme të shkrimit për gratë në letërsinë shqipe, por edhe kontribuuan në zhvillimin e mëtejshëm të zhanrit të dramës në të dyja kontekstet kombëtare. Mandia, Bino dhe Shukriu janë tri dramaturget e vetme në letërsinë shqiptare deri më 1990

Nga vitet 1945 deri në vitin 1990, në letërsinë shqipe i kemi evidentuar tri autore që kanë shkruar drama: Eglantina Mandia, Arsinoi Bino nga Shqipëria dhe Edi Shukriu nga Kosova. Ndërsa Mandia dhe Bino shkruanin brenda kornizave të realizmit socialist, duke përfaqësuar tematika të luftës çlirimtare dhe emancipimit të gruas intelektuale, Shukriu trajtoi tema ekzistenciale dhe mitologjike përmes qasjes moderniste. Secila prej tyre solli një perspektivë unike, duke pasuruar peizazhin e dramaturgjisë shqiptare dhe duke reflektuar kontekste të ndryshme politike dhe shoqërore.

Drama “Duke mposhtur vdekjen” (1977) e Eglantina Mandias lidhet ngushtë me personazhet dhe ngjarjet e romanit të saj “Jeta dhe motrat e saj”, por i paraprin atij nga aspekti kohor. Titulli i dramës, i lexuar në kontekstin e realizmit socialist dhe sfondit historik të kohës, ka një mesazh të qartë socio-politik. Sintagma “mposhtja e vdekjes” sugjeron mbijetesën dhe qëndrueshmërinë, duke simbolizuar luftën fizike dhe ideologjike kundër pushtuesit të jashtëm dhe fitoren mbi rrezikun që ai paraqet. Në këtë mënyrë, vepra transmeton një mesazh të qartë triumfi kombëtar.

Drama është një tekst historiko-propagandistik që trajton motivet e luftës çlirimtare, të bazuar në mendësinë e realizmit socialist. Ngjarjet zhvillohen në kampin e përqendrimit në luginën e Maro Kondes gjatë ditëve të fundit të pushtimit nazist në Shqipëri. Personazhet, disa prej të cilëve janë të njohur nga romani i saj paraprak, përfshijnë Sosen, Nilen, Bestar Sazanin, Katerinën dhe Nusjen, të cilëve u shtohen personazhe të reja si Gruaja me bohçe, Partizania e vogël, Musa Helmësi, Bane Beu, Gustavi i egër, dhe Hans fon Lederer. Këto karaktere i japin dramës një larmi të madhe figurash që simbolizojnë aspekte të ndryshme të qëndresës dhe bashkëpunimit.

Struktura e dramës ndahet në dy pjesë, me tetë tablo dhe një epilog. Intriga kryesore sillet rreth rezistencës së shqiptarëve ndaj nazistëve dhe bashkëpunëtorit të tyre, Bane Beut, i cili torturon, vjedh dhe vret bashkatdhetarët e tij. Personazhet femërore në kamp, ndonëse të thjeshta dhe me role të sheshta, janë vepruese dhe përpiqen të mbledhin armë fshehurazi për të planifikuar arratisjen. Skena fillestare thekson sakrificat që bëhen në emër të partisë komuniste, duke treguar përparësinë e ideologjisë mbi interesat personale, edhe në kushtet e vështira të jetës në kamp.

Gruaja me bohçe është një personazh që del jashtë këtij modeli. Ajo nuk përputhet me rezistencën e organizuar nga personazhet e tjera, por përfaqëson një këndvështrim më racional ndaj situatës. Në këtë dramë, qëllimi autoritar i Mandias është më i qartë dhe i zhveshur se në veprat e saj të tjera, duke mos kërkuar nuanca të reja dhe mbetur e varur nga estetika socrealiste.

Pavarësisht nga brutaliteti i përjetuar nga personazhet, këta gjejnë momente të këndojnë, duke krijuar një kontrast të thellë midis vuajtjes dhe optimizmit që përçon ideologjia. Ky element i ndërtimit dramatik i jep patos të tepruar skenave, duke ruajtur një frymë festive pavarësisht situatës së rëndë.

Figura e nazistëve është përshkruar si një grup i konfliktuar dhe me dështime të brendshme. Kjo përvijohet në dialogët midis Gretës dhe Gustavit, ku paraqiten divergjenca të qarta mes tyre, duke dobësuar pozicionin e tyre si pushtues.

Kryengritja e planifikuar kundër nazistëve arrin kulmin e saj në një epilog ku ndodh një betejë e ashpër. Pas fitores, një atmosferë festive përshkon dramën, me një këngë përmbyllëse të korit që feston fitoren e popullit dhe patriotizmin e tyre:

“Atdhe, je gjithmonë yni,
Je i yni i pathyeshëm
Diell i kuq që ndriçon, atdhe.”

Ngjyra e kuqe dhe metafora e “diellit të kuq” simbolizojnë trimërinë, sakrificën dhe shpirtin revolucionar, duke përforcuar lidhjen me komunizmin dhe realizmin socialist.

Në përgjithësi, “Duke mposhtur vdekjen” reflekton betejat, sakrificat dhe fitoret gjatë Luftës së Dytë Botërore, por në thelb mbetet një dramë që i shërben kryesisht propagandës. Dialogët dhe situatat shpesh janë të pamotivuara dhe tërësisht ideologjike. Aksioni dhe konflikti janë në tension të vazhdueshëm, por zgjidhja e ofruar në fund është parashikueshme.

Arsinoi Ligor (Poro) Bino në veprën e saj “Motër e dashur” (1982), një përmbledhje me tri drama, fokusohet kryesisht në çështjen e emancipimit të gruas intelektuale, duke e paraqitur atë brenda kontekstit të dinamikave familjare dhe shoqërore. Temat e trajtuara në këto drama përfshijnë konfliktet brenda familjes dhe përpjekjet për të arritur barazinë dhe drejtësinë. Ndërkohë, struktura e veprave të Binos, ndonëse skematike, ofron mundësi të pasura për diskutime mbi rolin e grave në shoqëri.

Arsinoi Bino

Drama e parë, “Gjaku i ri”, zhvillohet rreth figurës së Vironit, një mjek arrogant dhe egoist, i cili përballet me pasojat e gabimit të tij profesional që çon në vdekjen e një fëmije. Kjo ngjarje nxjerr në pah të metat e karakterit të Vironit dhe paaftësinë e tij për të pranuar gabimet. Figura e tij përfaqëson modelin e njeriut që bie viktimë e ambicieve dhe arrogancës. Në kontrast me të, Bardha, bashkëshortja, është një figurë pozitive dhe intelektuale e re, përfaqëson vlerat e ndershmërisë dhe të vërtetës, duke shërbyer si një busull morale për veprimet e të tjerëve. Konflikti midis Vironit dhe Bardhës paraqet përplasjen midis individualizmit egoist dhe ndershmërisë intelektuale, që në fund nxit moralin e së vërtetës si triumfuese.

Pjesa qendrore e dramës mbështetet në një skenë emocionale ku Bardha largohet nga Vironi pas një përballjeje të fortë, duke përdorur metaforën e “dimrit të egër” dhe “luleve të ngrira” si simbol i ftohtësisë dhe humbjes së dashurisë. Megjithëse përdorimi i figurave poetike është i fuqishëm, skena mban një element patosi që e shndërron në një moment dramatik, por që gjithashtu thekson natyrën e konfliktit.

Në dramën e dytë, “Lina e urta”, protagonistja përballet me një transformim të fuqishëm, duke kaluar nga një grua e nënshtruar dhe e arsimuar në një personazh që sfidon normat e shoqërisë mikroborgjeze dhe lufton për të drejtat e saj. Lina, e cila fillimisht duket e pajisur me urtësi tradicionale, bëhet simbol i përpjekjes për barazi dhe dinjitet në një shoqëri që kërkon nënshtrim.

Skënderi, bashkëshorti i saj, përfaqëson patriarkalizmin dhe normat e vjetra që kufizojnë gratë. Konflikti i tyre paraqet përplasjen midis rolit të përcaktuar për gratë dhe dëshirës për liri dhe barazi. Puna në minierë, ku Lina kërkon të punojë, bëhet një simbol i përpjekjes për të sfiduar këto norma dhe për të fituar dinjitetin përmes punës dhe përpjekjeve të vështira.

Në dramën e tretë, “E dashur motër”, përplasen dy filozofi të kundërta përmes personazheve kryesore, Markut dhe Ilirjanës. Marku kryen një krim për përfitim personal dhe përballet me pasojat e veprimeve të tij. Ilirjana, një inxhiniere e re dhe heroine pozitive, përfaqëson të vërtetën dhe drejtësinë. Konflikti midis Markut dhe Ilirjanës reflekton përplasjen midis karrierizmit egoist dhe moralit shoqëror. Në këtë dramë, autorja thekson rëndësinë e ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj së vërtetës, duke ndërtuar një model moral të qëndrueshëm.

Përfundimisht të tria dramat e veprës “Motër e dashur”, të shkruara në kuadër të letërsisë socrealiste, ndërtohen nëpërmjet elementeve tematike që ishin karakteristikë e peizazhit social-politik të kohës. Fija e përbashkët në këto drama rrudhen në fokusin e autores të paraqesë ngjarjet bashkëkohore, në konsolidimin e fitoreve socialiste dhe përmbysjes së botëkuptimit tradicional. Personazhet përballen me përshtatjen me psikologjinë e re të nxitur nga idealet socialiste, në krahasim me mbetjet e një bote të vjetër të rrënjosur në pronën private, egoizmin dhe ambiciet personale. Autorja krijon konflikte, në dukje të vogla, brenda ndërgjegjes së personazheve dhe pikërisht mungesa e shpërthimeve të forta nënvizon natyrën jo antagoniste të kontradiktave të paraqitura. Këto konflikte nuk janë të izoluara brenda kufijve të marrëdhënieve personale, por kontekstualizohen brenda kornizës më të gjerë shoqërore.

Arsinoi Bino dallohet në realizmin e dramave me aksion të pasur, dialog shprehës dhe gjuhë figurative.

“Motër e dashur” duhet të mbetet një nga modelet e realizmit moralizues që nxit lexuesin/audiencën të reflektojë mbi veprimet individuale në kontekstin e vlerave socialiste.

Edi Shukriu, një zë i fuqishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare, e bëri debutimin e saj në dramaturgji me veprën “Kthimi i Euridikës” në vitin 1987, pas tri përmbledhjeve poetike. Drama është një artikulim modern dhe intertekstual i mitit të njohur të Orfeut dhe Euridikës. Duke marrë një qasje të re ndaj mitit klasik, Shukriu ndryshon perspektivën duke vënë Euridikën në qendër të veprimit, ndërsa në mitin origjinal të Virgjilit dhe Ovidit, Euridika është një figurë pasive. Kjo ndryshon rrënjësisht narrativën dhe thellon kuptimin e marrëdhënieve ndërpersonale.

Edi Shukriu

Në mitin klasik, Orfeu përpiqet të shpëtojë Euridikën nga vdekja, duke e bindur Hadin ta kthejë atë nga bota e nëntokës me kushtin që të mos shikojë prapa deri sa të dalin nga Hadi. Por, Orfeu dështon ta përmbajë veten dhe e humb përgjithmonë Euridikën. Ndryshe nga kjo fabul, drama e Shukriut përqendrohet te kthimi i Euridikës nga Hadi dhe përmbys rolet tradicionale të mitit duke e zhvendosur fokusin tek Euridika dhe fuqinë e saj personale. Euridika nuk është më thjesht një viktimë pasive e dashurisë dhe fatit, por një personazh që kërkon të ndërtojë identitetin e saj të pavarur.

Në këtë version, Euridika sfidon konceptin e Orfeut për dashurinë dhe për rolin e gruas. Ajo refuzon të jetë thjesht një objekt që duhet të shpëtohet dhe të sillet sipas pritshmërive të burrit të saj. Ky përshkrim i Euridikës si një figurë që sfidon normat tradicionale të shoqërisë patriarkale përfaqëson dëshirën e saj për pavarësi dhe kontroll mbi jetën dhe fatin e vet. Përmes kësaj drame, Shukriu artikulon idenë e transformimit të grave nga objekte të pasive në subjekte të vetëdijshme dhe aktive, që kërkojnë të shpëtojnë vetveten.

Karakteret mitologjike të Orfeut, Euridikës, Hadit dhe Persefonës përfshihen në dramë, por Shukriu shton personazhe të reja si Veshbiruesja, Sybiruesja, Sybiruesi dhe Veshbiruesi, të cilët përfaqësojnë kontrollin dhe mbikëqyrjen shoqërore. Këto personazhe shërbejnë si simbolikë për presionet dhe normat e vendosura nga shoqëria, duke përforcuar tensionin midis dashurisë dhe lirisë së individit. Ky element shton një dimension të ri në mitin origjinal, duke reflektuar sfidat bashkëkohore të lirisë personale dhe kufizimeve të imponuara nga jashtë.

Drama nis me kthimin e Euridikës nga Hadi dhe eksploron konfliktet ekzistencialiste të pezullimit midis jetës dhe vdekjes, ikjes dhe kthimit. Euridika shfaqet si një figurë më e fuqishme dhe më e vetëdijshme për veten dhe dëshirat e saj. Ky transformim i saj nga një figurë pasive në një personazh të fuqishëm dhe të vetëdijshëm për rolin e saj, e zhvendos dramën nga një narrativë tragjike në një eksplorim të kërkesës për barazi dhe pavarësi.

Një tjetër figurë kyçe në dramë është Persefona, e cila shfaqet si aleate e Euridikës në kërkimin e saj për pavarësi. Funksioni i Persefonës si ndihmëse dhe ndërmjetëse midis jetës dhe vdekjes nënvizon rëndësinë e mbështetjes midis grave për të sfiduar patriarkatin dhe për të fituar lirinë personale.

Nga ana tjetër, Orfeu mbetet i ngujuar në konceptet tradicionale të dashurisë dhe marrëdhënieve gjinore. Ai refuzon të pranojë që Euridika ka ndryshuar dhe kërkon që ajo të sillet si më parë, sipas normave të përcaktuara nga shoqëria patriarkale. Orfeu përfaqëson përpjekjen e vazhdueshme për të ruajtur status quo-në, ku gruaja është e nënshtruar dhe e kufizuar brenda kornizave të paracaktuara.

Dialogu midis Orfeut dhe Euridikës përfaqëson një konfrontim të hapur midis dy botëkuptimeve të kundërta. Euridika refuzon të pranojë rolin e saj të mëparshëm si një grua pasive dhe deklaron pavarësinë e saj në mënyrë të hapur dhe të fortë. Orfeu, përkundrazi, përdor gjuhën imperative për të kërkuar që Euridika të sillet si një “grua” sipas kuptimit të tij tradicional, por Euridika sfidon këtë perspektivë dhe kërkon të kontrollojë fatin e saj.

Drama “Kthimi i Euridikës” shpreh një tension të thellë midis dashurisë tradicionale dhe kërkesës për barazi dhe liri personale. Edi Shukriu, përmes rrëfimit të saj poetik-filozofik, eksploron kufijtë midis jetës dhe vdekjes, si dhe kërkesën e grave për një identitet të pavarur dhe të plotë. Drama “Kthimi i Euridikës”, për shkak të lidhjes së saj me një nga mitet më interesante dhe për shkak të intertekstualitetit të hapur mitik, është një tekst tërheqës dhe provokues, veçanërisht për reflekset me kohën dhe shtresat e referencave që kalojnë kufijtë mitikë.

Përfundim: Ndërkohë që Eglantina Mandia dhe Arsinoi Bino përqendruan veprat e tyre në strukturat e realizmit socialist, duke trajtuar luftën dhe përpjekjet për emancipim brenda ideologjisë së kohës, Edi Shukriu nga Kosova solli një rrymë të re me një dramë filozofike dhe intertekstuale, duke e zhvendosur fokusin nga politikat në tema më universale të dashurisë dhe identitetit. Këto tri dramaturge, me qasjet e tyre të ndryshme, jo vetëm që përfaqësojnë rrugë të ndryshme të shkrimit për gratë në letërsinë shqipe, por edhe kontribuuan në zhvillimin e mëtejshëm të zhanrit të dramës në të dy kontekstet kombëtare.

Eglantina Mandia

Shtojcë: Me këtë rast, nuk mund të lihen pa përmendur dy dramaturge të rëndësishme në letërsinë për fëmijë: Shpresa Vreto-Alimehmeti dhe Shpresa Vinca-Tuda. Shpresa Vreto-Alimehmeti, në vëllimin “Shokë shkolle” (1977), sjell katër drama të bazuara në tregimet e saj, duke përfshirë dramatizimin e tregimit “Vëllezërit” të Lilana Cukallës. Pjesët e saj përqendrohen te temat etike dhe edukative për fëmijët, si ndershmëria dhe ndërgjegjja e pastër, dhe trajtojnë mënyrat se si këto vlera duhet të kultivohen te fëmijët në një shoqëri që përpiqet të formojë individë me integritet dhe përgjegjësi shoqërore. Pjesa “Krahu i thyer” spikat për thellësinë e saj morale, duke u fokusuar në edukimin etik të audiencës së re.

Shpresa Vinca-Tuda, nga ana tjetër, sjell një qasje të veçantë në letërsinë për fëmijë me dramat e saj të shkurtra, të cilat ngjajnë nga struktura me tregimet. Përmes pjesëve të ngjeshura dhe të fokusuara, me një ose dy skena dhe një numër të madh personazhesh, Vinca-Tuda përdor dramat për të përcjellë mesazhe të rëndësishme edukative dhe morale. Në dramën “Lapsi revolver” (1985), ajo sjell një reflektim mbi rrezikun e armatimit dhe edukimin e fëmijëve në këtë drejtim, ndërsa në “Mbledhësit e manaferrave” thekson rëndësinë e punës dhe sakrificës për të arritur qëllimet. Edhe pse thjeshtësi në ndërtim, dramat e saj janë të pasura me simbolizëm dhe mesazhe të rëndësishme për edukimin moral të fëmijëve.

Këto dy autore kontribuuan ndjeshëm në letërsinë për fëmijë, duke sjellë një qasje didaktike dhe të ndjeshme në formimin estetik dhe moral të brezave të rinj në Shqipëri dhe Kosovë.

Scroll to Top