NJË VËMENDJE PËR KLERIKUN E PATRIOTIN E MADH HAFIZ ALI KORÇA
NDUE BACAJ
Nëse ka një klerik patriot musliman shqiptar, veprimtaria e të cilit e bënë atë simbol të binomit Fe e Atdhe, është pa më të voglin dyshim Hafiz Ali Korça.
Hafiz Ali Korça u lind në Korçë më 5 prill 1873. Ai ishte i biri i Iljaz efendi Kadiut dhe vinte nga një familje që kishin qenë brez pas brezi dijetarë të fesë, por edhe patriot shqiptar të palëkundur. Hafiz Ali Korça, përveç edukatës familjare të shkelqyer që do ta merrte që në djep së bashku me qumshtin e nënës, do të përfitonte edhe nga edukata, tradita shoqërore e patriotike e Korçës që nuk i kanë munguar kurrë. Ndërsa nën kujdesin e familjarëve dhe aftësive të tij, ai, mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje (Korçë), në shkollën iptidaije dhe atë idadije. Studimet e larta i kreu në medresen “Çifte Minareli” në Stamboll. Vlenë të cilësohet se mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij, ku që në moshën 12 vjeçare atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë hafiz. Ndërkohë Hafiz Ali Korça zgjeroi jo vëtëm njohurit fetare studimore të mirëfillta në Stamboll, por kompletoi dhe zgjeroi njohuritë e tij si intelektual i shquar në disa fusha të jetës shoqërore e patriotike. Ai ishte edhe një poliglot i mirfilltë ku zotronte gjuhët arabe, perse, osmanishte, turqishte dhe frëngjishtën. Pas këtij arsimimi dhe kompletimi me vlerat e një intelektuali patriot Hafiz Ali Korça do t’i hynte pamëndyshje rrugës fetare, letrar, publicistike.
NËPË VEPRIMTARINË PATRIOTIKE, FETARE, KULTURORE E PUBLICISTIKE TË HAFIZ ALI KORÇËS
Hafiz Ali Korça, filloi të jetë aktiv e ti bashkohet lëvizjes kombëtare shqiptare që në vitin 1889, pra kur ishte vetëm 16 vjeç, në kohen kur filloi të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në idadijen e Korçës. Hafiz Ali Korça që në fillimet e aktivitetit të tij atdhetar shqiptar, do të përndiqej e dënohej nga organet e qeverisë turke-osmane. Ishte në moshën 20 vjeçare (1893), kur u internua në Sinop, pasi kur udhëtonte me trenin Sofije-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua përsëri në Anadoll, për aktivitetin e tij në mësonjëtoren e Korçës. Megjithë këto masa nëshkimore nga qeveria e stambollit, Hafiz Ali Korça nuk do të ndalej në veprimtarinë e tij patriotike shqiptare. Hafiz Ali Korça ishte ndër mësuesit e parë të mësonjëtores shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e kësaj mësonjëtore. Hafiz Ali Korça gjatë kohës së debatit të shtyrë nga disa qarqe në Stamboll për llojin e alfabetit për gjuhën shqipe, Hafëz Ali Korça përkrahu alfabetin latin.
Këtë e tregoi Hafiz Ali Korça edhe kur ishte pjesmarrës aktiv në kongresin e Manastirit (14-22 nëntor) 1908. Kongres ku do të vendosej fati i alfabetit shqip, alfabet që na shtroi rrugën e komunikimit (të njëjtë) me Europën Perendimore. Kongresi do të thirrej me inisiativen e shoqerisë “BASHKIMI” në qytetin historik të Manastirit. Këtu u mblodhen perfaqesues nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe shoqeritë jashtë vendit, si ato të Sofjes , Bukureshtit ,Stambollit, Konstances , Amerikës, Egjyptit , Italisë e tjer… Programi i kongresit kishte në themel filozofinë : “Jo me pushkë e barut, por me pendë e letra”.. Në kongres muarën pjesë rreth 400 shqiptarë të njohur si Mit’hat Frasheri, Gjergj Qiriazi, Gjergj Fishta , Nikollë Kaçorri , Ndre Mjeda, Hil Mosi , Mati Logoreci, Thoma Avrami , Sotir Peci , Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi , Adam Shkaba , Bajo e Çerciz Topulli , Mihal Grameno , Fehmi Zavalani , Dhimiter Mole , Nysret Vrioni , Rrok Berisha , Leonidha Naço , Dhimitraq Buda , Akil Eftimi , Shefqet Frasheri , Refik Toptani , Gligor Cilka , Emin Shkupi , Hafiz Ibrahimi (nga Shkupi) , Ramiz Daci , Xhemal Beu (nga Ohri ) , Fahri Frasheri nga Resna etjerë, në mes të cilëve dallohej edhe Hafiz Ali Korça…. (Shaban Demiraj , K.Prifti “Kongresi i Manastirit” , fq.73-74 . + Gazeta “Rilindja Demokratike “ dt.14 nentor 2008).
Në Kongresin e Manastirit vezhguese kishte qënë edhe misionaria amerikane Fineas Kenedi , e cili shkruente se këtu u mbajten shumë kumtesa , por ajo e potetit Gjergj Fishta nga Shkodra ishte më e mira dhe i bëri dëgjuesit t’u rridhnin lotët. Një hoxhë u prek aq shumë sa që rendi ta perqafonte para gjithë të pranishmve… (Edwin Jacques, “SHQIPTARET, histori e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme, fq.342-343 . + Gazeta “55” dt.06 nentor 2008). Hoxha që përqafoi Gjergj Fishten ishte pikrisht kleriku patriot Hafiz Ali Korça, pjesëmarrës në kongresin e Manastirit. (At Daniel Gjeçaj, Jeta dhe Vepra , fq.57, Botime Franceskane , Shkodër 2007). Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23-29 Korrik 1909, ku merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima etj. Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres ishte kryesorja, fjalë që prishte synimet e xhonturqëve dhe bashkëpuntorëve të tyre shqiptar, fjalë që i kushtoj shkatërrimin e shtëpisë…
Kongresi i Dibrës, i quajtur Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman …. Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga xhonturqit. Në kongres me këmbënguljen e patriotëve shqiptar si Hafiz Ali Korça u përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore. (https://gazetadita.al/kongresi-historik-i-dibres/). Veprimtarinë patriotike për alfabetin e miratuar në Kongresin e Manastirit, Hafiz Ali Korça, do ta vijonte me pjesmarrjen e tij aktive në Kongresin Kombëtar të Elbasanit të zhvilluar 2-9 shtator 1909. Ky kongres iu kundërvu propogandës përçarëse të xhonturqëve që propogandonin se gjuha shqipe duhet të shkruhet me me alfabetin turko-arab e jo me alfabetin (e kaurrit) latin. Patriotë shqiptar që muarën pjesë në këtë kongres iu kundërvunë synimeve xhonturke dhe mbrojtën interesat kombëtare.
Në kongres muarën pjesë 35 delegatë të klubeve e shoqërive shqiptare. Disa nga vendimet e rëndësishme të këtij kongresi ishin:
- a) Çelja e një shkolle të mesme pedagogjike (normale) në Elbasan, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe.
- b) Krijimi i shoqërisë qëndrore shkollore “Përparimi” në Korçë e cila do të kujdesej për mbarvajtjen e shkollës normale e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave mësimorë,
- c) Rizgjedhja e klubit të Manastirit si klub qëndror dhe pë dy vjet të tjera.
Duke u mbështetur në vendimet e këtij kongresi, në shtator 1909 u krijua në Korçë shoqëria “Përparimi” dhe me 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan shkolla Normale Shqipe. Drejtor i saj u caktua Luigj Gurakuqi, së bashku me mësuesit e parë të kësaj shkolle kombëtare, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Pjetër Dodbiba etj. (Histori e popullit shqiptar; fq.124-126, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994, Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912, Akademia e Shkencave, Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, fq.199-201-Tiranë -1978).
Pas shpalljes së Pavarësisë, në Qeverinë e përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, Hafiz Ali Korça u ngarkuan me detyra të rëndësishme, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku ndërmori reforma në kurrikula dhe hartoi tekste për nxënësit, që t’u lehtësoheshin studimet edhe në shkollat e larta jashtë shtetit etj…. Kur Princ Vidi erdhi në Durrës më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Haf%C3%ABz_Ali_Kor%C3%A7a). Është me vlera të cilësohet se për veprimtarinë e tij, përveç tjerash, Hafiz Ali Korçen e ndoqën rebelët e Musa Qazimit (1914….) të cilin e burgosën në Elbasan… (https://dritaislame.al/hafiz-ali-korca-1873-1957-drejtor…/).
Me hymjen e Austro-Hungarezëve në Shkodër, fillon edhe një lëvizje e re kulturore në Shkodër: themelohet “Komisia Letrare Shqipe”, e cila vazhdoi që nga 1916 deri me 1918, ku morën pjesë shumë patriot përparimtarë e me kulturë të gjërë, siç ishin Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Hafiz Ali Korça, Dom Ndre Mjeda, Luigj Naraçi etj. , si dhe albanolog të huaj e vendas, siç qenë Profesor R. Nachtigal. Maksimilan Lambertz, Gjergj Pekmezi. Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet-traditë, ngjarje njerëz..vëllimi II, fq.128, shtëpia botuese “IDROMENO”, Shkodër 1999. Qellimi ishte të krijohej një standard letrar dhe drejtshkrim të standartizuar për përdorim zyrtar, sidomos për botimie të teksteve shkollore në gjuhen shqipe.
Antarë të komisionit ishin: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Maximilan Lambretz, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Sotir Peci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani. Pas disa diskutimesh Komisija vendosi që të përdorej dialekti qëndror i Elbasanit, si kompromis asnjënës për gjuhën letrare standard. Robert Elsie, Fjalori Historik i Shqipërisë, fq.319, sh.b. UEGEN 2011. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj. Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen:
Mevludi (1900).
- “303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë më 1910).
- “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288).
- “Jusufi me Zelihanë” (Botuar në Elbasan më 1923).
- Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. “Gjylistani”, përkthim nga Sadiu, (1918).
- “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë më 1944).
- “Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924.
- “Rubaijjati Khajam”(Hajjam, përkthim nga Omer Khajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë).
- Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si :
- “Abetare shqip” (1910).
- “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914).
- “Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime”, (1916).
Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si “Gjylistani”, “Rubairat” si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj.
Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Haf%C3%ABz_Ali_Kor%C3%A7a).
GJITHASHTU HAFIZ ALI KORÇA KA LËNË MJAFT FJALë TË URTA SI :
- E nxë, harron; e shkruan, qëndron.
- Të mos ish e uruara pendë, mësimi do t’ish fort i rëndë.
- Vijat e pendës janë pikat (bebet) e syrit dhe bardhësia e zemrës.
- Mendjet e njerëzve ndodhen në mes të dy çatajve të pendës.
- S’ka më e lart se shkall’e diturisë, ajo të bën të parin e njerëzisë dhe t’afron pranë Perëndisë.
- Kush është me Zotin e vërtetë, është i shumët edhe sikur të jetë vet.
- Kush nuk është me Zotin, edhe i shumët të jetë, s’quhet fare gjë në jetë.
- Të mirat e punëve janë të mesmet.
- Trupi merr fuqi nga hamja e pimja, e mendja forcohet nga dituritë e filozofitë.
(https://urtesi.al/nga-hafiz-ali-korca/).
Me ardhjen në pushtet të komunizmit, kur edhe duhej të fillonte një vlersim për veprimtarinë patriotike e letrare, filloi persekutimi e dënimi i Hafiz Ali Korçës që në vitin 1945 e mbaroi kur ai vdiq me 1957 në Kavajë i internuar. Hafiz Ali Korçës do ti dënonin edhe dy djemtë e tij si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje…
Është interesant se si Hafiz Ali Korça në pak vargje përshkruan vuajtjet e persekutimin e tij (“Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”):
- Për Shqipërinë u përpoqa
- rezikova jetën t’ime
- Nuk rëfehet se sa hoqa
- se shteti m’i njihte krime.
]https://www.standard.al/…/denuar-ne-45-si-u-survejua…/
E VERTET VONON POR NUK HARRON
Kjo sentencë popullore, megjithëse shumë vonë e pas vdekjes vertetohet edhe me Hafiz Ali Korçen:
Presidenti i Republikës Bujar Nishani me 15 shkurt 2017 e vlerësoi Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes) me dekoratën më të lartë, “Nderi i Kombit” me motivacionin:
“Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.
Së fundi mendova ta mbyllë këtë shënim të vogël për këtë klerik të madh patriot, me fjalët që e fillova këtë shkrim vëmendje me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë: Nëse ka një klerik patriot musliman shqiptar, veprimtaria e të cilit e bënë atë simbol të binomit Fe e Atdhe, është pa më të voglin dyshim Hafiz Ali Korça.