Raportet sekrete amerikane, të vitit 1951: Kreu i Partisë ‘Balli-Agrar’ në Greqi, nipi i Petrit Dumes
Regjimi komunist diktatorial i Enver Hoxhës, ka qenë shumë i ashpër ndaj të gjithë dezertorëve dhe atyre që tentonin të arratiseshin nga Shqipëria. Në një dokument të de-klasifikuar nga CIA, jepen detaje mbi atë se çfarë ka ndodhur në vitet 1951 – 1952. CIA, ka arritur të rekrutojë shumë agjentë, me ndihmën edhe të Jugosllavisë, por sipas dokumentit, shumë individë që tentonin të largoheshin nga vendi dhe jepnin informacione, u pushkatuan. Aty jepen emrat e shumë individëve, të cilët njiheshin dhe si krerët e grupeve rezidente në zonë e Veriut. Nga ana tjetër, jepen detaje mbi një 28-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk publikohet, i cili ishte një agjent besnik i grekëve. Po ashtu, aty përmendet dhe Hamit Matjani. Ai është një emër i njohur, si “kryediversant” dhe regjimi komunist, tentoi disa herë ta ekzekutonte. CIA shprehet se; një agjent i tyre, kishte komunikuar me të dhe në dokument jepen përshtypjet që ka pasur ai për Matjanin.
DOKUMENTI SEKRET I CIA-s, MBI SITUATËN NË SHQIPËRI NË VITIN 1952
Plani operacional për Shqipërinë, “Charity”
-Korrespondencë nga shqiptarët në Jugosllavi-
Bashkangjitur kemi dy letra të dërguara më 21 dhe 22 gusht 1952, nga informatori në Sabac, Jugosllavi. Shkruesi informon burimin se ai dhe……kanë nisur punë respektivisht si mekanik dhe elektricist, në fabrikën e kimikateve Zorka, në Sabac, për të plotësuar të ardhurat mbi 3000 dinarët e përmuajshëm, që marrin nga qeveria jugosllave, të cilët nuk mjaftojnë për të gjithë nevojat. Gjithashtu siç iu shpjegua atyre nga kolonel Cedo Mijoviç, të gjithë duhet të punojnë për ta kthyer në një sukses programin socialist.
Në letrën e 21 gushtit, ai shpjegon mbi misionin e grupit me gjashtë njerëz të Jugosllavisë, në Shqipëri. Ded Pjetra, i cili ka vrarë një rreshter dhe një major komunist te Ura e Mesit, bashkë me një mirditor, raportohen të jenë ende gjallë dhe ende nuk janë kthyer në Jugosllavi. Hilë Shllaku, Shpend Bushati (ish-agjent shqiptar i Sigurimit që dezertoi në Jugosllavi në shkurt 1951) dhe një i tretë i paidentifikuar, janë vrarë në Shqipëri. Disa ditë para letrës së tij, një tjetër mision që përfshinte edhe Pjetër Smaili, ka hyrë në Shqipëri.
Në letrën e tij të dytë, kryesisht me anë të konfirmimit të informacioneve të mëparshme, por për fat të keq pa specifikuar datat apo rrethanat e veçanta, shkruesi jep informacionin e mëposhtëm, në lidhje me individët e përmendur: “Kanë arritur në Shkup, vëllezërit Ndue, Pal e Martin Lala, një bir i Gjergj Nikoll Ndreut dhe tre persona të paidentifikuar nga Kruja; Janë vrarë Gjergj Kol Ndreu dhe i biri Zef; Jak Lala; dy bijtë e Gjon N. Ndreut, Kole e Mark; i biri i Llesh Gjok Lalës, Pjetër; dhe Geg Zef Hyseni. Janë plagosur ose kapur nga armiku, Gjon Lalë Piroli; Pjetër Mark Ndoja; Gjon Ndue Perjaku, dhe një tjetër individ, që më vonë vdiq. I gjithë grupi i mësipërm, u tradhtua në Mamurras, nga Gjin Cara nga Perlati.
Në vijim të letrës në fjalë, informatori më tej vazhdon të raportojë, duke shkruar se: “Më 11 gusht 1952, Pjetër Kimza, Dom Zef Oroshi, Frrok N. Jaku, Kol Perdoda, Ndue Jak Zefi dhe pesë individë të tjerë, të paidentifikuar, arritën në Jugosllavi. Anëtarët e një grupi tjetër me dhjetë persona, që ishin drejtuar për në Jugosllavi nga Pjetër Cup Qafa, raportonin për vdekjen në Shqipëri të 15 individëve, duke përfshirë: Llesh Kaziu, Frrok Z. Peshku, Prend Ndue Marku, Ndue Llesh Frroku, Zef e Dodë Coku, Marka Pjetër Gjini, Llesh Froku, Zef Marka Tuci. Thuajse të gjithë krerët e rezistencës antikomuniste në Shqipëri janë arrestuar, ndërsa Llesh Frrok Geci, Preng Gjok Deda e, të bijtë, dhe Osman Vora, janë dorëzuar te forcat qeveritare.
Informatori raporton se; sipas opinionit të tij, jugosllavët e kanë shkatërruar qëllimisht organizatën e mbështetur në Shqipëri.
Raport i përmuajshëm aktiviteti
Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet, këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të pa praktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë, në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni, deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend, kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200.000 pamflete (trakte) propagande në Tiranë dhe në Veri të Shqipërisë, më 21 janar.
Në frontin politik, Radio “Shqipëria e Lirë”, vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta “Shqipëria” vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes, besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët, nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike, ka vazhduar.
Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë, nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës, në Veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit, të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri, në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para, për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion.
Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine, “Zëri i Shqipërisë së Lirë”, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë, për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm, mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA, botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane.
Në 21 janar, kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në Veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese, me nga 300 gramë miell secila.
Një mision për lëshime fletushkash, këtë muaj, u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës, për arsye të kushteve të këqija të motit. 200.000 broshura të palosura dhe 5000 koje të gazetës “Shqipëria”, u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit, do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmendim, Ihsan Toptani i Komitetit të “Shqipërisë së Lirë”, i cili mori pjesë në takimin e Lëvizjes Evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër.
“Lidhja Shqiptare e Azilantëve Politike” në Jugosllavi, e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë”, e cila, në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët, mund të jenë duke ndjekur një politikë uni-laterale veprimi, në lidhje me Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.
Caktimi i Ibrahim Kelmendit dhe Adem Selimit në SHBA-ës, u anulua në momentin e fundit, për arsye të paaftësisë së anëtarëve të komitetit të NCFA, për të rënë dakord në zgjedhjen finale të dy individëve. Sa i përket rekrutimit, është angazhuar një guidë si agjent mbështetës, për infiltrime tokësore në të ardhmen. Shërbimet britanike kanë ofruar të japin për operacionin tonë, tre studentë të operacioneve, radio, trajnimi i të cilëve thuhet se është kompletuar, në tre të katërtat e masës. Ndërkohë janë duke u testuar aftësitë e tre agjentëve britanikë dhe nëse vendoset se janë të aftë, ata do të pranohen në kurset e agjentëve-radio në Gjermani.
Njëzet shqiptarë që kryen kursin e agjentëve dhe mbaheshin të gatshëm në Athinë, janë kthyer në Gjermani, te Kompania e Gardës. Ky veprim u bë për të shtuar sigurinë e infiltrimeve të ardhshme.
Raporti i aktiviteteve të refugjatëve shqiptarë, Athinë
Më 27 shkurt 1952, burimet tona dorëzuan raportin e mëposhtëm sipas kërkesës tonë mbi situatën e aktivitetit të refugjatëve shqiptarë në Athinë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet identifikimit të….si agjent i shërbimeve greke dhe versionit për afrimin e tij, në shërbimin tonë. Me interes të veçantë konsiderohen pikëpamjet e Hamit Matjanit, në lidhje me mundësitë aktuale dhe të ardhshme, për operacione në Shqipëri.
Numri dhe vend-ndodhja e refugjatëve në Greqi
Ka rreth 300-320 refugjatë shqiptarë, në kampin e Lavrion, rreth 40 km. larg Athinës; 25-35 prej tyre, jetojnë në afërsi të Athinës, ndërsa rreth 40-50 të tjerë, mbahen në kampin disiplinor të përqendrimit, bashkë me refugjatë të kombësive të tjera, në ishullin e Siros.
Përfaqësuesi kryesor i Partisë ‘Balli-Agrar’ është ish-komunisti Skënder Dume, nip i kolonelit të njohur komunist’ Petrit Dume, komandant i njësive të Mbrojtjes Popullore të Korçës. Partia e Legalitetit, përfaqësohet nga Myftar Spahia, mbështetës fanatik i Mbretit Zog. ‘Blloku Kombëtar Indipendent’, përfaqësohet nga Ihsan Toptani, i cili kalon shumicën e kohës në Athinë dhe gjithashtu merr pjesë në aktivitetet e NCFA, por përgjithësisht konsiderohet si agjent i shërbimeve greke. Ai udhëton shpesh në Athinë, Romë, Paris, Londër e Munih, dhe natyra e vërtetë e aktiviteteve, është e papërcaktuar.
Të gjithë personazhet e përmendur më sipër, kanë ca më pak e ca më shumë kontakte, me shërbimet greke të inteligjencës. Duke vepruar për llogari të partive të tyre respektive, me qëllim kryesor ruajtjen e moralit të mbështetësve të tyre, atyre u kërkohet të raportojnë te krerët politikë. Ky faktor politik bën që siguria e tyre të jetë e dobët dhe ato që duhet të jenë informacione të rezervuara, herët a vonë, bëhen objekt bisede mes të gjithë rretheve të emigrantëve shqiptarë në Athinë. Kjo situatë është konfirmuar nga burimet tona dhe nga gjenerali grek Nikolopulos, i cili thotë se rrjeti i tij është i mirinformuar për aktivitetet e shqiptarëve në Greqi dhe vende të tjera, si rezultat i korrespondencës me shqiptarëve në vend.
28 vjeçari shqiptar … është një agjent grek dhe amerikan. Ai ka lindur në Gjirokastër dhe më parë ka qenë komunist aktiv dhe partizan në përpjekjen kundër pushtuesve fashistë dhe gjermanë. Më vonë, ai u punësua në Ministrinë e Punëve Publike pas luftës. Me detyrën e tij, ka bërë disa udhëtime në Beograd e Moskë. Është arratisur drejt Greqisë, në vitin 1948 dhe më vonë është lëshuar disa herë me parashutë në Shqipëri, me misione inteligjence. Detyra e tij aktuale, është të raportojë mbi lëvizjet dhe bisedat e bashkë-atdhetarëve të tij, në Athinë.
Burimi ynë në Athinë, foli gjatë me Matjanin, të cilin e përshkruante si një fshatar i thjeshtë, me gjykim të shëndoshë dhe temperament të qetë. Më tej burimi raportonte mbi opinionet e Matjanit mbi Shqipërinë, mbi masat anti-nacionaliste të marra nga qeveria dhe mendësinë e popullatave lokale anti-komuniste. Sipas tij, në vitet 1948-‘49, duke besuar shumë te përpjekjet e aleatëve për Shqipërinë, popullatat lokale i dhanë mbështetjen e tyre misioneve të huaja në vend. Me rritjen e numrit të këtyre misioneve në Shqipëri dhe veçanërisht pas kapjes së grupit të Et’hem Çakos, mbështetja popullore pësoi rënie, veçanërisht në Jug të Shqipërisë.
Gjyqi në Tiranë i Ethem Çakos, me anë të propagandës shtrembëruese të pushtetit, nxori në dritë disa aspekte të operacioneve të Perëndimit kundër Shqipërisë, që, gjithashtu ndikuan në uljen e mbështetjes. Disa misione në Shqipëri, të maskuara nën sferën e një partie të emigracionit, apo një tjetre, në vend që të ruanin propagandën e tyre ekskluzivisht kundër komunizmit, tentuan të influencojnë popullsinë edhe në favor të partive të tyre të veçanta, duke sjellë një efekt krejtësisht të padëshirueshëm, atë të mosbesimit ndaj grupeve politike të emigracionit, për arsye të përçarjes mes tyre. Kjo politikë propagande i shërbeu në fakt pushtetit të Tiranës, që i ktheu në avantazh të tij divergjencat mes grupeve anti-komuniste.
Gjyqet e shumta të anti-komunistëve të kapur, janë shfrytëzuar me dinakëri nga komunistët, për të treguar se aktiviteti i liderëve politikë të emigracionit, ka të bëjë me furnizimin me agjentë të spiunazhit amerikan e britanik. Propaganda e tyre bën të ditur se vetë liderët me këtë aktivitet, sigurojnë një jetë luksi në kryeqytetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA-ës.
Kriteret e dobëta të zgjedhjes së agjentëve dhe trajnimet e dështuara, kanë kontribuar në mungesën e suksesit të misioneve në Shqipëri. Mendimet e mësipërme, vijnë nga një person që motivohet vetëm prej patriotizmit në aktivitetin e tij, prandaj ato nuk mund të hidhen poshtë me lehtësi. Sinqeriteti i tij është demonstruar nga misionet e shumta që ka kryer dhe plagët që mban në trup. Në lidhje me miqtë e ndjekësit e tij, Matjani thotë se; ata janë larguar prej tij, me gjithë protestat, por arsyet nuk i ka mësuar kurrë.
Aktivitetet e inteligjencës në Greqi
Refugjatët shqiptarë në Athinë, raportojnë se bashkëpunimi mes inteligjencës greke dhe amerikane, është shumë i ngushtë. Ndryshimet e kohëve të fundit në personelin amerikan, nuk kanë dhënë ndryshime, sipas refugjatëve që nuk kanë lidhje me NCFA. Oficeri i ri, nuk shihet me të njëjtin respekt që zotëronte pararendësi i tij, në lidhje me sjelljen dhe kontaktet me shqiptarët.
Disa operacione të fundit të inteligjencës greke në Shqipëri, kanë pasur humbje të rënda e të panevojshme, për arsye të stërvitjes së dobët të agjentëve dhe të lëshimit në zona të pasigurta. Disa agjentë, kanë thyer këmbën gjatë lëshimit me parashutë, teksa duke qenë të paaftë të lëviznin u detyruan të vriteshin nga shokët e tyre, ose të kryenin vetëvrasje për të evituar kapjen.
Në konkluzion, burimet theksojnë se megjithëse informacioni i mësipërm ishte i copëzuar, mund të konsiderohet si një tregues i masës së vështirësisë së marrjes së inteligjencës mbi aktivitetet e inteligjencës greke, dhe shprehen të sigurt se më shumë informacion mund të mblidhet, me anë të agjentëve komunistë atje.