Itali: Vallja shqiptare doli fituese e festivalit folklorik internacional

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Përrenjasit fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit dhe Paqes në Agropoli në Itali, duke promovuar vlerat e jashtëzakonshme të kulturës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Pa dyshim Vallja e Rrajcës ishte elementi i fortë që e bindi jurinë se çmimi i parë, mes disa vendeve të botës, t’i shkojë Shqipërisë.

Gjithashtu një vlerë e shtuar, e cila i dha më shumë identitet përformancës së ansamblit ishin veshjet tradicionale të zonës së Prrenjasit, të cilat morën vëmendje të jashtëzakonshme mes shumë grupeve folklorike pjesëmarrëse të festivalit, duke u vlerësuar me trofeun “Kostumografia më e mirë”.

Djem e vajza valltarë të ansamblit përshkuan rrugët e qytetit të vogël me flamurin kuqezi për t’i dorëzuar trofeun kryetarit të Bashkisë Përrenjas.

Për valltarët ky çmim ishte shpërblim për punën e jashtëzakonshme, por mbi të gjitha krenari e përfaqësimit të Shqipërisë ndërkombëtarisht.

Nuk mund të ndodhte ndryshe, kostumi plot ngjyra i Rrajcës, i qëndisur brez pas brezi nga zonjat e kësaj zone, solli gjithashtu në Përrenjas, çmimin e kostumografisë.

Scroll to Top