10-vjeçarja që jeton në Angli: Shqipërinë do ta kem përherë në zemër, kudo që të ndodhem!
Shqiptarja Izabel Dyle, 10 vjeç ka thyer një rekord në Angli duke lexuar për dy muaj 129 libra si pjesë e një sfide verore ku fëmijët duhet të lexonin 6 libra. Por rekordi që shënoi 10-vjeçarja nga Roskoveci rrëmbeu edhe vëmendjen e gjigandit mediatik britanik, BBC duke i kushtuar asaj një hapësirë televizive.
Në Shqip nga Rudina Xhunga, Dritare TV përveç pasionit për leximin, rrëfeu edhe mallin dhe dashurinë që ndjen për vendin e lindjes, Shqipërinë.
“Sa herë më pyesin unë tregoj dhe flas për Shqipërinë. Më mungojnë dhe librat në gjuhën shqipe këtu në Angli. Nuk mund t’i gjej në bibliotekë, dhe ata aq pak sa janë, nuk janë në gjendje të mirëmbajtur. Më mungon të flas shqip, por në familje përherë flasim në gjuhën shqipe.
Babai përherë më thotë: “Shqipërinë duhet ta kesh gjithmonë në zemër, asnjëherë nuk duhet ta harrosh”.
Unë e kam shumë për zemër Shqipërinë. Është vendi ku kam lindur. E vizitojmë shpesh Shqipërinë, ishim para një viti, në tetor. Edhe tani që jemi në Angli, na mungojnë ushqimet shqiptare. I pëlqejmë shumë, dhe kur dëshirojmë, familjarët na i nisin me furgon. Sidomos, vaj, ullinj por edhe gjizë, këtu në Angli nuk ka. Kur kthehemi në Roskovec, shijoj shumë edhe byrekun që më gatuan gjyshja. Mërzitem shumë që jetoj larg gjyshes, gjyshit, tezes dhe gjithë familjarëve të tjerë. Ata janë Shqipëria.
Sa herë flas, pyes për Shqipërinë, dua të di çfarë ndodh”, tregoi 10-vjeçarja në Dritare TV./M.K-dritare.net