FOTO+VIDEO/ “Mamica” e veshur si Arbëreshe përuron statujën e Skëndërbeut në zemër të Siçilisë
500 vjet shqiptarë – Arbëreshët e Italisë presin Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë. Spiropali vishet me kostumin tradicional në përurimin e statujës së Skënderbeut
Këngët e vallet e arbëreshëve të Italisë, gjuha e tyre e ruajtur me fanatizëm për 600 vjet, kostumet e mrekullueshme, traditat, kultura e pasur shpirtërore, të gjitha këto u shpalosën bukur gjatë vizitës së Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Horën e Arbëreshëve, vendbanimit më të madh arbëresh në Siçili.
Teksa festojnë Ditën e Themelimit të vendbanimit të tyre, pasardhësit e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, manifestojnë me krenari rrënjët e tyre që i lidhin me vendin amë, Shqipërinë dhe mikpresin me dashuri e bujari prekëse delegacionet e mbërritura nga Shqipëria e gjithandej nga Diaspora.
Për t’iu bashkuar gëzimit të tyre me rastin e ngritjes së përmendores së Heroit tonë, mbretit të parë të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, e për të dëshmuar afërsinë, kujdesin, dhe ndjenjat e pamohueshme vëllazërore, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali i ka surprizuar por edhe ngazëllyer banorët vendas, duke u veshur me kostumin e tyre tradicional, si për t’u sjellë një mesazh e porosi nga Shqipëria: ne jemi një!
“Bustet dhe emri i Skënderbeut tij u japin hijeshi shesheve dhe rrugëve në Tiranë, Prishtinë, Romë, Gjenevë, Zyrih, Paris, Londër, Bruksel, Budapest, Shkup e madje edhe në Miçigan e Çikago, në Shtetet e Bashkuara.
Tani Gjergji vjen në bronx si shenjt mbrojtës dhe monument kujtese edhe në qytetin tuaj si për të na kujtuar ne të gjithëve, që na bashkon një “gljuhë e një gjak”, se secili nga ne sot, e fëmijët tanë nesër, do të jemi po secili një gur në piedestalin e pavdekshëm të Kastriotit tonë”, tha znj. Spiropali.
Aktivitetet në Horën e Arbëreshëve janë të shumta këto ditë, teksa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka vizituar muzetë vendorë, kishat, bibliotekat, institucionet shtetërore, si dhe ka biseduar e kuvenduar shqip me arbëreshët patriotë e mikpritës të Siçilisë.