A e keni ditur se “Paulin” është emri i pagëzimit të Edi Ramës! Lexo detajet

Në “E Diell” në Top Channel, Edi Rama ka treguar dhe historinë e gjyshit të tij dhe se si u bë ai shofer i Ahmet Zogut. Rama tregoi se kur gjyshi i tij studionte në Itali, lekët që i kishte dhënë i ati për të studiuar ai i kishte harxhuar për të blerë një veturë Alfa Romeo të asaj kohe.

Në momentin kur është kthyer për pushimet vitit të ri në Shqipëri, i ati i gjyshit të Ramës e kishte qëlluar të birin për shkak se kishte harxhuar lekët e studimit me veturën dhe i kishte ndaluar të ardhurat financiare për shkollimin. Në këto kushte, gjyshi i Ramës ngeli në Shqipëri dhe menjëherë pasi kryetari i Bashkisë së Durrësit i kishte parë veturën, e kishte ftuar të ishte shofer i tij, pasi nuk mundej një qytetar të kishte veturë më të mirë se kryetari i bashkisë. E njëjta histori ka ndodhur dhe me Ahmet Zogun, i cili e mori si shoferin e tij gjyshin e Ramës me veturën e tij.

Në një nga takimet e Mbretit Zog në Shkodër, në një event në katedralen e Shkodrës është dhe momenti kur gjyshërit e tij janë njohur.

“Në një nga udhëtimet në një event në katedralen e Shkodrës, ishte shofer dhe si të gjithë rrinin jashtë. Gjyshja ime në këtë familje, familja e kumbarit ishte shumë katolike, praktikante dhe gjyshja shkonte rregullisht në kishë dhe duke hyrë gjithë besimtarët në katedrale, shoferi i naltmadhnisë që ishte i dhënë pas veturave, por jo aq indiferent pas vajzave të bukura, i nguli sytë dhe që atë moment iu qep duke i bërë serenata. Një ditë të bukur i thotë të martohet. Kjo i thotë familjes, familja i thotë në asnjë mënyrë dhe bëjnë një rrëmbim konsensual. Me veturë e rrëmbeu nga Shkodra dhe e çoi në Durrës,” – tha Rama.

“Kur arriti në Durrës në darkë, gjyshja i thotë ku po shkojmë ne, tek shtëpia i tha. Në asnjë mënyrë i thotë ajo, pa u martuar nuk futem në shtëpinë tënde. Ku do shkojmë? Në hotel. Gjyshja ishte e vendosur që duhet të martoheshin në kishë. Kisha nuk pranonte se ai ishte ortodoks dhe gjyshja i shkruan letër Papës së Romës ku i thotë se unë jam i dashuruar me këtë njeri, vjen nga një familje ortodokse por nëse ju më jepni lejen që të martohem, betohem para Zotit që fëmijët e mi të jenë të gjithë katolikë,”- vazhdon më tej rrëfimin kryeministri.

Ndërkohë, Rama tregon dhe se emri i tij i pagëzimit është “Paulin”:

“Dhe e ka mbajtur në hotel 6 muaj në Durrës. Vjen përgjigja nga selia e shenjtë dhe martohen në Kishën Katolike, babai im, xhaxhai, halla bëhen të gjithë katolikë dhe kur lind unë, ky më merr dhe më pagëzon ortodoks pa i thënë prindërve. Kthehet në shtëpi i thotë gjyshes e mora hakun, por nipi është ortodoks. Gjyshja e sheh duke qeshur dhe i thotë s’ke për ta kuptuar asnjëherë përse ne katolikët gjithmonë i arrijmë qëllimet tona sepse zgjohemi më herët se ju. Ky është pagëzuar katolik kur ti po flije gjumë. Ajo më kishte pagëzuar natën me një prift dhe unë emrin e pagëzimit e kam Paulin që është emri i xhaxhait, i cili vdiq shumë i ri nga një aneurizëm e zemrës.”

Scroll to Top