”Nipi i Gjergj Kastriotit, Skënderbeu i Ri, ishte shqiptaro-serb”!
Ylli Polovina është autor i tre librave për Gjergj Kastriotin dhe pasardhësit e tij. Të parin, “Gjysma e harruar e Skënderbeut” e publikoi në vitin 2008; të dytin, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, më 2012; dhe, të tretin, “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur” – më 2013. Shkrimi i mëposhtëm është përmbledhje nga tri veprat e tij.
Në librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut“,Polovina mes të tjerash e informon lexuesin se “Nga Donika e Skënderbeu lindi Gjoni”, shkruan princi i Beratit, Gjon Muzaka, në testamentin e tij të shumënjohur. Pastaj shton: “Gjoni ishte Dukë në San Pietro të Galatinës dhe pat për grua Donna Erina Paleologun, vajzën e Llazarit, Princit të Serbisë. Nga martesa e tyre lindën shumë fëmijë, të gjithë të vdekur, vetëm dy mbijetuan – një mashkull dhe një femër: Don Ferrante Kastrioti, Duka i San Pietros, dhe Donna Maria Kastrioti”.
Saktësojmë: Djali i vetëm Gjon, i martuar në Napoli të Italisë në moshën njëzetenjë apo njëzetedyvjeçare, me serben Erina, përveç dy vajzave pati edhe të paktën tre djem. Kastriotët zakonisht janë një fis që lindin më shumë meshkuj. Njëri djalë, Kostandini, që nga fundviti 1497 ishte ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe rreth 1500-tës, në moshë fare të re, ndërroi jetë. Tjetri djalë vdiq herët, por jetuan gjer në moshë plakjeje Gjergji dhe i fundit i meshkujve, Ferrante.
Të gjithë këta mund të quhen shqiptaro-serbë. Në rast se përjashtojmë mundësinë që e shoqja e Skënderbeut ka qenë një zonjë me origjine etnike serbe dhe mbështesim idenë se djali i tyre i vetëm Gjoni, është një pastërtisht shqiptar, në mënyrë tepër të sigurt kjo cilësi etnike nuk vijon më pas. Familja Kastrioti në brezin e dytë e më tej vazhdon si e përzierë me gjak të dy kombësive.
Biri i shqiptarit Gjon dhe i serbes Erina, Gjergji, edhe pse viti i qartë i lindjes së tij deri tani nuk është gjetur, me arsyetimin e thjeshtë se mban emrin e gjyshit, lë të kuptojë se ka qenë djali i madh i tyre. Edhe me djalin e tij të vetëm Skënderbeu kishte vepruar po njëlloj, pati vënë emrin e të atit të tij, çfarë qe rregull bazë për të drejtën e trashëgimisë. Ky nip i Gjergj Kastriotit në fund të shekullit të katërmbëdhjetë në kujtesën e të afërmeve të tij si edhe të arbërve, po ashtu edhe në studime të historianëve, ka hyrë me emrin “Skënderbeu i Ri”.
Historia e çuditshme e tij zë e bie në sy kur në vitin 1499, pas një kompromisi e paqeje të radhës të Republikës së Venedikut me Perandorinë Osmane. Të parës, për interesa tregtare, i duhej rifillimi i luftës. Pikërisht në shtatorin e këtij viti në Senatin e saj u paraqit, i ardhur nga Arbëria, frati me emrin Françesku i Krujës. Kërkonte përkrahje për të realizuar çlirimin e Shqipërisë. Ai dëshmoi se këtu më shumë nga 20 mijë burra qenë bashkuar e patën shpërthyer një kryengritje. Rebeluesit më të shumtë ishin nga trojet e principatës së Kastriotëve, por qendër të revoltës nuk kishin Krujën. Qe Lezha. Ata po përlesheshin me osmanët, disa herë edhe i kishin mundur repartet ushtarake të perandorisë, por që të ngadhënjenin e të çliroheshin përfundimisht kishin nevojë për një udhëheqës.
Emrin e tij e kishin shumë të qartë dhe ia patën deklaruar frat Françeskut. Ky do të ishte Gjergji i Ri, nipi i Skënderbeut. Për këtë mision jetik do të kishin kërkuar edhe vetë të atin e tij, Gjonin, sepse patën dëgjuar që në Itali kishte zhveshur pa frikë shpatën kur në 1480 turqit me një flotilje të nisur nga Vlora patën sulmuar qytetin e Otrantos, mirëpo ai tashmë qe në një moshë që nuk i përballonte dot mundimet e luftës.
I biri, Gjergji, ishte i ri dhe plot energji. Le të vinte. Ata do t’i bindeshin si një perëndie.
Në Senat e mbajtën shënim kërkesën e të mbërriturit nga Arbëria. Pati ardhur në kohën e duhur. Në vitin 1477 ata kishin ftuar për të kryer një ekspeditë antiosmane në tokat e arbërve edhe vetë Gjonin. Ky kishte rënë dakord pa u lëkundur. Patën bërë edhe një marrëveshje të shkruar, veç ngjarjet u vërtitën në një kahe paqësimi me sulltanin dhe plani i parashikuar u ndërpre.
Kur në Republikën e Venedikut, në atë shtator 1499 qenë të një mendjeje për t’i bërë thirrje Gjergj Kastriotit të Ri të vijonte jo vetëm punën e lavdëruar të të gjyshit, por edhe projektin e lënë në mes të të atit, ky kishte kryer një shërbim të veçantë për monarkun e Napolit, Ferdinandin. Gjashtë vite të shkuara, në pranverë 1493, duke qenë se mbreti dëshironte jo përleshjen, siç e nxiti kur jetonte Skënderbeu, por mbarëqetësinë me Perandorinë Osmane, nisi për në Stamboll, me dhurata në duar, një delegacion miqësor. Sipas kronikave atë e kryesonte Gjergj Scannalibech apo Scannalibecha. Historianët nuk kanë asnjë dyshim: ky qe pikërisht i biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti.
Tashmë kur kishin kapërcyer gjashtë e më tepër vite dhe shekulli po mbyllej, Senati Venecian nipit të Skënderbeut përvojën e dikurshme në rolin e diplomatit të paqes ia ngarkoi për të kundërtën: luftën. Prandaj, më 1 tetor mori vendim që një i ngarkuar special i Republikës, bashkë me Françeskun e Krujës, të niseshin për në Napoli dhe ta ftonin Gjergjin e Ri të sipërmerrte misionin e çlirimit të principatës së familjes së tyre si edhe të gjithë arbërve. Në krah do të kishte fratin e kryeqytetit të tyre të dikurshëm, si edhe një anije për të dalë në bregun tjetër, në Lezhë, ku prej shumë kohësh ziente shpirti kryengritës. Për të përballuar të gjitha shpenzimet e këtij operacioni politiko-luftarak Senati do t’i jepte edhe 500 dukate.
Njeriu i Republikës së Lagunës erdhi në Napoli dhe nuk iu desh shumë t’ia mbushte mendjen nipit të Skënderbeut. Nga që druhej nëse i ati do të qe dakord apo jo me çfarë i patën propozuar, Gjergji ia tha vetëm të gjyshes. Ajo nuk e kundërshtoi.
Tashmë besonte se autoriteti i saj do ta ndihmonte për të mos u penguar nga i ati, Gjoni si edhe e ëma, serbja Erina. Kur ia bëri të ditur të atit, ky e kundërshtoi vrullshëm. Arsyetimi i tij qe shumë i qartë. Duke shkuar në shërbim të Venedikut, rivales së Mbretërisë së Napolit për kontrollin e Ballkanit dhe të deteve të ngrohtë të jugut mesdhetar, ai do të zëmëronte monarkun që i kishte strehuar, përkrahur e mbrojtur, mbretit që Kastriotëve u pat dhënë prona në Itali si edhe çdo ndihmë të nevojshme me të holla.
Edhe Erina, e cila nuk dallohej shumë se e dëgjonte për gjithçka të shoqin, por në të shumtën e herëve ngjante e kundërta, u bashkua me Gjonin.
Gjesti i të birit mund t’i lëndonte shumë marrëdhëniet e tyre me oborrin, pse jo edhe të rrënonte gjithçka. Kur për çfarë kishte rënë dakord i biri i tyre u vu në dijeni mbreti, ky nuk e fshehu nervozizmin. Po të shkonte në shërbim të Republikës së Venedikut Gjergji do të kryente jo një gabim, por një faj. E konsideronte tradhti. Si i tillë të mos shpresonin se do ta toleronte.
Pas kësaj gjendja e nderë përfshiu jo vetëm Kastriotët, por të gjitha familjet fisnike shqiptare të emigruara në Napoli. Ndaj nipit të Skënderbeut u shtua trysnia të ndërronte mendje jo vetëm nga prindërit, nga e motra shpirtmirë dhe e zgjuar Maria, si edhe nga vëllai i vogël me emrin e mbretit, Ferrante, por nga të gjithë arbrit e tjerë me ndikim. Por edhe pse ndeshi në një mur të lartë refuzues, në një mosmiratim të plotë, me gjithë lutjen e prindërve të kthente mendje, Gjergj Kastrioti i Ri në shkurt 1500 u nis për në Republikën e Venedikut.
Atëherë, për të shmangur edhe pasojat që mund t’u binin ndesh, Gjoni dhe Erina e mohuan djalin e tyre të madh, trashëgimtarin e drejtpërdrejtë të emrit dhe të pasurisë së Kastriotëve. Që prej këtij çasti dhe jo më vonë, duhet të kenë kryer edhe veprimin tjetër, atë zyrtarisht rikonfirmues. Shpallën se pasues i ligjshëm i familjes së tyre do të qe i vetmi djalë që u kish mbetur gjallë, Ferrante.
Kështu akti publik i mohimit ndaj Gjergjit plëngprishës u bë i plotë, pa asnjë shpresë pendimi. /Shqiptarja/